Është e vërtetë: Evropa i urren shqiptarët

Në faqen e internetit “alfapress”të datës 18 qershor 2022, lexova Esenë e Kreshnik Spahiut, me titull “Pse i urren Evropa shqiptarët?!”. Në faqen e internetit “Fjala e Lirë” të datës 26 qershor 2022, lexova Esenë e Kristo Zharkallit, me titull “Kur do të bëhet Shqipëria si… Evropa”.

Në trajtimin që i bën urrejtjes së Evropës ndaj shqiptarëve, Kreshnik Spahiu shprehet:

“Evropa na urren… nga proamerikanizmi ynë”.

Po ashtu, Kristo Zharkalli shkruan:

“Shqiptarët janë mësuar me racizmin dhe diskriminimin evropjan, tashmë e kanë njohur mirë. Etheksoj se vetëm miqësia me Amerikën i shpëton shqiptarët!”.

Që të dy autorët e Eseve kanë shumë të drejtë. Evropa vërtet i urren shqiptarët. Një urrejtje që duket sheshit. Le të mos shkojmë larg. Të marrim vetëm një fakt:

Evropa hapi negociatat me shtetin më kryekriminal të Gadishullit të Ilirisë – me Serbinë fashiste – dhe ka hequr vizat për serbët, kurse për Republikën e Dardanisë as që ka ndër mend t’i hapë ndonjëherë negociatat dhe as të heqë vizat.

Shtrohet pyetja:

Mos vallë vetëm proamerikanizmi i shqiptarëve, siç e thekson Kreshnik Spahiu, është arsyeja kryesore që ata urrehen prej Evropës?

Mendoj se ka edhe një arsye tjetër, fort bindëse, për një urrejtje të tillë. Në këndvështrimin tim, përgjigjen e pyetjejes së mësipërme, në heshtje, e gjejmë te disa dijetarë të shquar, personalitete me emër të madh të kulturës dhe të shkencës evropiane, të cilët, në dallim të theksuar nga politika shoviniste evropiane, kanë thënë ca të vërteta, të cilat, tërthorazi, zbulojnë lakuriq shkaqet e armiqësisë ndaj kombit shqiptar të asaj që Fishta i Madh e quante “kurva e motit”.Ata dijetarë janë të shumtë, por këtu dëshiroj të përmend emrat e vetëm pesë prej tyre: një i periudhës së lashtësisë, dy të periudhës së pasmesjetës dhe dy të kohëve moderne, të shek XX.

I pari i përket lashtësisë romake të periudhës paskristiane. Ky është Plini Plaku (23-79 e.r.).Në vëll. VI, të veprës së tij me titull “Naturalis Historia”,f. 95,e cila përbëhet prej 37 vëllimesh dhe është botuar në vitin 77, ai ka shkruar se romakët e patën marrë alfabetin nga pellazgët.

I dyti i përket periudhës së pasmesjetës evropiane. Ky është dijetari i shquar italian Galileo Galilei (1564-1642), i cili ka thënë:

“Shumë emra të vendeve, të maleve, të lumenjve, të personazheve legjendarë nuk mund të shpjegohen me etimologjinë greke. Vetëm një gjuhë ka qenë në gjendje të hedhë dritë mbi emrat e këtyre vendeve, e kjo gjuhë është shqipja”.

I treti, po ashtu, i përket periudhës së pasmesjetës evropiane. Është fjala për dijetarin e shquar gjerman Lejbnicin (Gottfried Wilhelm Leibniz – 1646 – 1716), i cili ka theksuar:

“Nëqoftë se duam të dimë historinë para Krishtit dhe shkencat e asaj kohe, duhet t’i drejtohemi gjuhës shqipe”.

E katërta është përkthyesja dhe albanologia e shquar bavareze Marie Amelie Julie Anna, Baronesha von Godin (1882-1956), e cila jetën e vet ia pati kushtuar historisë dhe kulturës shqiptare, të pasqyruar në 20 veprat e botuara.

I pesti është Prof. Horald Whitehall (1905-1986),profesor i linguistikësanglo-gjermane nëUniversitetin Indiana të Shteteve të Bashkuara të Amerikës prej vitit 1951 deri në vitin 1986. Ky profesor i njohur ka shkruar:

“Shqipja është dega më e vjetër e trungut të familjes së gjuhëve indoevropiane. Si e tillë, ajo nuk është degëzuar më tutje, por ka mbetur si gjuhë e parë dhe e vetmuar”.

Ka edhe personalitete greke që e pranojnë lashtësinë e kombit shqiptar.

Historiani grek Kostandinos Pangalis ka deklaruar që helenët e dikurshëm janë shqiptarët e sotëm.

Historiani grek Dhimitri Bethanis ka deklaruar publikisht se ilirët janë popull i lashtë dhe shqipja është më e vjetër se latinishtja.

Historiania greke Maria Efthimiou, profesore e historisë në Universitetin e Athinës, ka deklaruar publikisht se Greqia ishte shqiptare, edhe sot gjysma janë shqiptarë.

Pra, kuptohet fare qartë që Evropën e ka brejtur, e bren dhe do të vazhdojë ta brejë përbrenda kompleksi i smirës ndaj kombit shqiptarë, si kombi më i lashtë, dhe ndaj gjuhës shqipe, si gjuha më e lashtë e kontinentit.

Në Enciklopedinë e Madhe Greke, vëll. 19, f. 873, thuhet:

“Stërgjyshët e shqiptarëve të sotëm, pellazgët, në periudhat parahistorike, kanë jetuar në pjesën më të madhe të botës që njihej atëherë, duke zhvilluar një qytetërim shumë të rëndësishëm e duke ngritur vepra me vlerë të tejzakontë”.

Fishta i Madh ka thënë:

“Kur sllavët erdhën nga shpellat e Uralit, shqiptarët e kishin kryer ciklin dy mijë vjeçar të qytetërimit të lashtë… Kombi i Dioklecianit, i filozofit Julian, i Justinianit, një komb i cili kish një qytetari të tij kur gjyshstërgjyshët e francezëve e anglezëve visheshin me lëkurë bualli e rrinin të futur në shpella”.

Si duhet kuptuar pyetja e Kreshnik Spahiut “Pse i urren Evropa shqiptarët?!”.

Sipas bindjes sime, me këtë pyetje zbulohet antipatia e heshtur e Evropës ndaj Amerikës. Por, sipas asaj shprehjes frazeologjike, asaj i ka zënë rrota bishtin me Amerikën, se është superfuqi dhe shteti më me autoritet në botë dhe inatin e nxjerr me shqiptarët. Veç kësaj, Evropa ka ushqyer nën zë një simpati të nxehtë për Rusinë, ndërkohë që ka qenë e bindur me kohë e me vakt për faktin që Rusia e urren Amerikën, siç theksohet në artikullin e zonjës Marina Sokollovskaja me titull “Urrejtjen për Amerikën, si urrejtjen për tartabiqet, ne e kemi në gjak!”, të botuar në faqen e internetit “Russkij bazar”të datës 10 qershor 2022.

Evropa mosmirënjohëse ndaj Amerikës do t’ia kishte parë mirë hairin simpatisë për Rusinë, sikur trupat amerikane dhe angleze, prej 1 milion e 500 mijë ushtarë, të mos kishin zbarkuar në Normandi të Francës në qershor të vitit 1944, për hapjen e Frontit të Dytë kundër ushtrisë gjermane. Atëherë do të ishte bërë realitet ëndrra e shovinizmit rusomadh, në zbatim të Testamentit të Pjetrit I, për pushtimin e Evropës, të cilin Stalini kishte vendosur ta fillonte më 06 korrik 1941, fillimisht kundër Gjermanisë, dhe ta përfundonte në Gjibraltar, duke e vënë krejt Perëndimin evropian nën çizmen e komunizmit rus. Atëherë Perëndimi evropian, pas pushtimit rus, i komunistizuar sipas modelit rus, në fund të viteve ’80, përfundimisht, do ta kishte provuar mirë shijen e varfërisë komuniste gati gjysmëshekullore që pati mbjellë dhe selitur me aq kujdes kolera e komunizmit sovjetik në vendet e Evropas Lindore.

Diçka është sa interesante, aq edhe e pabesueshme.

Ka pasur dhe ka udhëheqës nga disa vende kryesore të brukselizmit të sotëm, si Franca dhe Gjermania, të cilët poshtërimin publik që u pati bërë dikur Rusia, e harruan krejtësisht dhe erdhën e u shndërruan në servilë të saj. Në përfundim të fushatës së Napoleonit në Rusi, ushtria ruse vazhdoi marshimin e vet drejt Perëndimit evropian. Pas një beteje të ashpër me trupat e Napoleonit në rrethinat e Parisit, më 19 (31) mars 1814, ajo, me në krye carin Aleksandër I, hyri triumfalisht në Paris. Ky ishte një poshtërim publik që iu bë Francës në sytë e mbarë opinionit publik ndërkombëtar. Paskëtaj, këtë poshtërim të rëndë dikush e gëlltiti si pa gjë të keqe dhe, me kalimin e kohës, u vu re diçka e pabesueshme: politika franceze filloi të ushqente një dashuri përvëlimtare, zhuritëse, për Rusinë. Aristokracia ruse, nga ana e saj, e harroi fare gjuhën ruse, të cilën e vlerësonte si gjuhë katundarësh dhe në mjediset e veta fliste vetëm frëngjisht. Kur NATO-ja, me në krye Shtetet e Bashkuara të Ameikës, po bombardonte Serbinë në pranverën e vitit 1999, presidenti francez Zhak Shirak ngrihet e shkon në Moskë, për t’u takuar me presidentin Boris Jelcin. Në atë takim, Shiraku, ankohet për Shtetet e Bashkuara dhe i thotë Jelcinit: “Bota duhet të jetë shumëpolare, jo njëpolare”. Me sa duket, Franca kërkonte të kishte “polin” e vet në politikën botërore.

Në nëntor të vitit 2019, presidenti Makron pati deklaruar në Bruksel:

“NATO po përjeton vdekje klinike dhe BE duhet të rimarrë sovranitetin ushtarak”.

Një deklaratë e tillë, në të vërtetë, adresohej kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vjen në sinkron të plotë me ëndrrën e kahershme të shovinizmit rusomadh për shpërbërjen e NATO-s. Pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ne e dime fare mirë se sa “i aftë” është Bashkimi Evropian për të pasur “sovranitet” ushtarak!

Kur ushtria sovjetike hyri në Berlin në vitin 1945, me inkurajimin e vetë Stalinit, kreu krime të rënda, seksuale, duke përdhunuar 2 milionë vajza dhe gra gjermane. Ky ishte një akt barbar sa i neveritshëm aq edhe i poshtër, i paparë ndonjëherë në historinë e njerëzimit, të cilin e përsëritën bishat fashiste serbe në Dardani në fundin e viteve ’90. Por, çuditërisht, Gerhard Shrëder (1944), kancelar i Gjermanisë në vitet 1998-2005, duke e harruar krejtësisht atë poshtërim të rëndë që iu bë vajzave dhe grave gjermane, ra në dashuri me Kremlinin. Në një material, të botuar në internet, thuhet:

“Kush mund ta mendonte që ish-kancelari do të parapëlqente jo atdheun e vet, po Kremlinin… Ai pati lidhur një marrëveshje me Putinin dhe vazhdon të jetë pjesë e aparatit të pushtetit të tij me një rrogë të majme. Atë nuk e shqetëson as lufta agresive e Putinit në Ukrainë, as diktatura e hapur që mbretëron në Rusi. Shumë gjermanë janë të mendimit se një qëndrim i tillë është amoral… Shrëderi, i cili nuk është dinstancuar nga Putini as edhe një milimetër të vetme, e ka shndërruar vetveten në një lloj të lebrosuri social” (Citoher sipas: “Miqësia absurde e Shrëderit me Putinin”.Faqja e internetit “aussiedlerbote.de”.26 qershor2022).

Por le të kthehemi te urrejtja e Evropës për shqiptarët që theksojnë Kreshnik Spahiu dhe Kristo Zharkalli. Nëse ne do të kishim një klasë politike me dinjitet të lartë kombëtar, e cila do të mendonte, para së gjithash, për ngritjen e nivelit të jetesës së mbarë popullit dhe jo vetëm të oligarkëve, çka do të ndikonte së tepërmi në reduktimin në maksimum të kriminalitetit dhe të korrupsionit, punët do të shkonin ndryshe. Në këto kushte, nëse Bashkimi Evropian do të bënte naze për hapjen e negociatave, atëherë atij do të duhet t’i kthehen krahët përfundimisht dhe brukselizmit t’i thuhet troç:

“Nuk ia kemi nevojën anëtarësimit në Bashkimin Evropan, se ja ku e kemi shembullin e Zvicrës, aq më tepër që edhe Londra autoritare atë e braktisi”

Pra, do të duhet që ne shqiptarët, me në krye një klasë politike të formatit dinjitoz, nacionalist, ta marrim vetë në dorë fatin tonë, me kusht që të shmangim krejtësisht përçarjen tragjike që na ka karakterizuar gjithmonë dhe të forcojmë marrëdhëniet miqësore me Shtetet e Bashkuara, me synimin përfundimtar ribashkimin e trojeve tona etnike, që nga Çamëria deri në Veriun e Mitrovicës. Por, fatkeqësisht, siç tregojnë bathët, këto janë ëndrra në sirtar, se punët po shkojnë keq e më keq. Majtizmi shumëvjeçar në pushtet e ka rrënuar ekonominë në një mënyrë të pariparueshme, çka ka sjellë si pasojë braktisjen e vendit nga më shumë se 600 mijë njerëz. Servilizmi i neveritshëm i kreut socialist Rama para serbosllavizmit, po çon drejt rrudhosjes së pandërprerë të popullsisë së vendit, me synimin përfundimtar shpërbërjen e saj.

Kaliforni, 27 qershor 2022

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Rruga më e shpejtë drejt paqes në Ukrainë

Story i radhës

Amnistia fiskale/ Ervin Salianji drejton gishtin nga Ceno Klosi: Kush po e bën, ky drejtori i Tatimeve që të pastrojë vilën e tij në Londër?!

Të fundit nga