“Është bërë përparim i rëndësishëm në zgjidhjen e çështjes së Afganistanit”

I dërguari special i presidentit rus Vladimir Putin në Afganistan, Zamir Kabulov tha se falë përpjekjeve ndërkombëtare është bërë përparim i rëndësishëm në zgjidhjen e çështjes së Afganistanit.

Kabulov në një prononcim për Anadolu Agency (AA) në lidhje me çështjen e Afganistanit tha se në takimin e zgjeruar trepalësh mbi çështjen e Afganistanit të mbajtur javën e kaluar në Moskë, është diskutuar çështja e “ndihmës për përparimin e dialogut midis afganëve” e diskutuar në Doha dhe përshkroi pjesëmarrjen e administratës së Afganistanit në takimin në Moskë si “një mundësi të mirë për negociata të drejtpërdrejta”.

Në lidhje me atë nëse është bërë progres në zgjidhjen e problemit afgan, Kabulov tha: “Ne besojmë se në vitet e fundit, përpjekjet ndërkombëtare kanë bërë përparim të rëndësishëm në zgjidhjen e çështjes së Afganistanit. Forca lëvizëse e kësaj ishin negociatat në formatin e Moskës të mbajtura në nëntor 2018. Kjo ishte një pjesëmarrje e përfaqësuesve nga byroja politike e SHBA-së, Qeveria e Afganistanit, përfaqësuesit e byrosë politike të lëvizjes talebane në Doha si dhe shtetet kryesore të rajonit”.

Duke kujtuar se dy takime të tjera të dialogut ndër-afgan u mbajtën në Moskë, përkatësisht në shkurt dhe në maj të vitit 2019, Kabulov tha se në sfondin e këtyre takimeve filloi procesi i negociatave midis SHBA-së dhe talebanëve.

Ai kujtoi se marrëveshja e mbështetur nga bashkësia ndërkombëtare dhe Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, midis SHBA-së dhe talebanëve përfundimisht u nënshkrua më 29 shkurt 2020.

Duke theksuar rëndësinë e fillimit të negociatave të drejtpërdrejta midis afganëve në kryeqytetin e Katarit, Doha në shtator 2020, Kabulov tha: “Siç mund ta shihni, puna intensive e bërë në vitet e fundit tashmë ka dhënë rezultate, por procesi i zgjidhjes në Afganistan do të duhet më shumë kohë për të arritur një përfundim të suksesshëm. Palët afgane duhet të vendosin vetë në negociatat për përpjekjet e ardhshme të formimit të qeverisë në Afganistan”, deklaroi ai.

Kabulov tha se kanë mirëpritur qeverinë e Afganistanit dhe Këshillin e Lartë të Pajtimit Kombëtar për të dërguar një delegacion zyrtar në takimin e mbajtur në Moskë më 18 mars. “Ne e konsiderojmë këtë fakt si provë të një ndryshimi në qasjen e administratës afgane ndaj përpjekjeve të Moskës drejt pajtimit kombëtar afgan”, tha ai.

“Arsyeja e mbështetjes popullore për talebanët është vetë qeveria afgane”

Kabulov shtoi se qeveria afgane dhe mbështetësit e saj janë përgjegjës që talebanët të marrin mbështetjen e një pjese të popullatës afgane. “Ne besojmë se arsyeja pse një pjesë e konsiderueshme e popullsisë së vendit mbështet talebanët duhet të kërkohet tek gabimet në politikat e qeverisë afgane dhe forcave ndërkombëtare që e ndihmojnë atë. Përafërsisht 20 vite nuk u vendos një qeveri e qëndrueshme, e vetë-mjaftueshme që do të zgjidhte në mënyrë efektive problemet e sigurisë dhe për të rritur mirëqenien e popullsisë së vendit”, tha ai.

Më tej duke theksuar se administrata e presidentit të SHBA-së, Joe Biden ende mban një politikë të paqartë në lidhje me çështjen e Afganistanit, Kabulov: “Ne shpresojmë që Marrëveshja e Dohas do të ruhet dhe palët do të qëndrojnë në këtë marrëveshje. Ne e shohim këtë marrëveshje si një hap të rëndësishëm drejt arritjes së paqes në Afganistan. Dështimi i marrëveshjes do të ishte jashtëzakonisht e padëshirueshme dhe do të çonte procesin e pajtimit kombëtar disa hapa prapa në Afganistan. Në rastin më të keq, kjo mund të çojë në një spirale të re të konfliktit të armatosur”.



. .

Ngjarja paraprake

Kryeministri Kurti vizitoi Kombëtaren e Kosovës, presidenti Ademi ia dhuron fanellën dardane

Ngjarja e ardhëshme

E thonë psikologët, ja çfarë tregojnë ngjyrat që vishni për karakterin tuaj

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian