Erdoğan dhe Michel diskutojnë rreth Azerbajxhanit

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, zhvilloi sonte një bisedë telefonike me kreun e Këshillit Evropian, Charles Michel, ku u diskutua për zhvillimet në Mesdheun Lindor dhe çështjet rajonale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan i bëri thirrje BE-së të merrte një “qëndrim të qëndrueshëm” mbi integritetin territorial të Azerbajxhanit, thuhet në deklaratën e Drejtorisë së Komunikimeve të Turqisë.

Erdoğan tha se Armenia ka rrezikuar furnizimet e energjisë në Evropë duke sulmuar qytetin Ganja të Azerbajxhanit, si dhe rajonit Tovuz, ku ndodhen tubacionet e gazit natyror dhe naftës, si dhe linjat e transportit.

Presidenti i Turqisë i bëri thirrje Michel-it të punojë për të rigjallëruar marrëdhëniet Turqi-BE, përmbushjen e detyrimeve të BE-së sipas marrëveshjes së migrantëve të vitit 2016, si dhe të bëhet përparim në azhurnimin e Unionit Doganor dhe liberalizimin e vizave.

Pavarësisht nga qasja e vullnetit të mirë të Turqisë, Greqia vazhdon të përshkallëzojë tensionin në Mesdheun Lindor, thuhet në kumtesë, duke shtuar se Ankaraja pret hapa konkretë nga BE për të caktuar konferencën e Mesdheut Lindor që u propozua.

Marrëdhëniet midis dy ish republikave sovjetike janë tensionuar që nga viti 1991 kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakuz, një territor i njohur ndërkombëtarisht si i Azerbajxhanit.

Përleshjet e reja filluan më 27 shtator, kur forcat armene shënjestruan vendbanimet civile të Azerbajxhanit dhe pozicionet ushtarake në rajon, duke shkaktuar viktima.

Katër rezoluta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe dy rezoluta të Asamblesë së Përgjithshme të OKB, si dhe shumë organizata ndërkombëtare, kërkojnë tërheqjen e forcave pushtuese.



.. .

Ngjarja paraprake

Përfundon Festivali i 1-rë Ndërkombëtar i Filmit Sportiv "Prishtina 2020"

Ngjarja e ardhëshme

Pak nga festa e ditëlindjes së Anita Haradinajt, kështu duket

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian