Erdoğan: Bashkësia ndërkombëtare nuk ka arritur të nxjerrë mësimet e nevojshme nga e kaluara

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se në kryerjen e krimeve kundër njerëzimit, nga Holokausti deri në Bosnje e Hercegovinë, nga Ruanda në Mianmar, fillimisht u dëgjuan hapat e gjuhës së urrejtjes. Megjithatë, siç theksoi si, bashkësia ndërkombëtare nuk ka arritur të nxjerrë mësimet e nevojshme nga këto përvoja të dhimbshme, secila prej të cilave është një pikë e zezë në histori, transmeton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan dërgoi një video-mesazh në Forumin e 12-të Ndërkombëtar të Sigurisë Halifax.

“Akuzat e Bashkimit Evropian nën maskën e ‘solidaritetit brenda unionit’ në lidhje me aktivitetet e kërkimit dhe shpimit që po kryejmë me vendosmëri për të mbrojtur të drejtat tona dhe interesat e turqëve qipriotë në Mesdheun Lindor janë në kundërshtim me historinë, ligjin dhe faktet”, tha presidenti turk.

Ai gjithashtu tha se Turqia nuk ka luksin t’i kthejë shpinën as Lindjes dhe as Perëndimit.

“Nuk mund të kemi luksin t’i kthejmë shpinën as Lindjes dhe as Perëndimit. Përderisa zhvillojmë marrëdhëniet tona me Evropën, nuk neglizhojmë as Azinë dhe as Afrikën”, tha Erdoğan, duke shtuar:

“Ne do të vazhdojmë me vendosmëri përpjekjet tona për të ndaluar izolimin e turqëve qipriotë dhe për të vendosur një ndarje të drejtë të burimeve në Mesdheun lindor”.

Erdoğan tha se Turqia, përderisa merret me problemet në rrethinën e saj, kurrë nuk udhëhiqet nga kuptimi ekspansionist dhe ndërhyrës.

“Nëse ka shpresë dhe perspektiva për një zgjidhje politike në Libi sot, Turqia ka kontribuar shumë në atë me ndërhyrjen e saj në kohë”, tha presidenti turk.

Ai gjithashtu foli edhe për marrëveshjen që i dha fund luftimeve në Malësinë e Karabakut.

“Me marrëveshjen e arritur përmes përpjekjeve të përbashkëta me Federatën Ruse, ne i kemi dhënë fund konfliktit të nxehtë dhe kemi dhënë një kontribut të rëndësishëm në zgjidhjen e problemit që është ngrirë për 30 vjet”, tha Erdoğan.

Në mesazhin e tij, ai gjithashtu foli rreth aktiviteteve të vendit të tij në veri të Sirisë.

“Falë hapave që kemi ndërmarrë, ne kemi siguruar që më shumë se 411 mijë vëllezër e motra sirianë të kthehen vullnetarisht dhe të sigurt në atdheun e tyre”, tha Erdoğan.

Turqia ka ndërmarrë gjithashtu hapa të rëndësishëm për të mbështetur disa vende në luftën kundër pandemisë së koronavirusit.

“Deri më tani, ne kemi ndihmuar 156 vende dhe 9 organizata ndërkombëtare, pavarësisht nga feja, gjuha ose raca”, tha Erdoğan.

Ai gjithashtu foli për pasojat negative për ato vende që ndihen të lëna pas nga bashkësia ndërkombëtare.

“Për fat të keq, kjo situatë u jep shtysë sëmundjeve serioze shoqërore si racizmi, ksenofobia dhe islamofobia. Organizatat terroriste, duke përfituar nga vakumi i pushtetit i krijuar nga epidemia në disa vende, janë përpjekur ta përdorin atë për qëllimet e tyre”, tha Erdoğan, duke shtuar:

“Në veçanti, strukturat e ekstremit të djathtë po përpiqen të krijojnë bazament për veten e tyre duke përfituar nga vështirësitë ekonomike të shkaktuara nga epidemia. Si një vend, miliona qytetarë të të cilit jetojnë jashtë vendit dhe shumë prej qytetarëve të tij kanë qenë viktima të terrorit racist, ne e ndjekim këtë zhvillim me shqetësim”.

Presidenti turk gjithashtu tha se “gjatë kryerjes së krimeve kundër njerëzimit, nga Holokausti deri në Bosnje e Hercegovinë, nga Ruanda në Mianmar, fillimisht u dëgjuan hapat e gjuhës së urrejtjes”.

“Megjithatë, bashkësia ndërkombëtare nuk ka arritur të nxjerrë mësimet e nevojshme nga këto përvoja të dhimbshme, secila prej të cilave është një pikë e zezë në histori. Në këtë aspekt, është e nevojshme të ndërmerren iniciativa, jo vetëm për sigurinë e qytetarëve tanë, por edhe për sigurinë e të gjithë bashkësisë ndërkombëtare”, tha presidenti turk.



.. .

Ngjarja paraprake

​Atletico Madrid – Barcelona, formacionet zyrtare

Ngjarja e ardhëshme

Ndryshimit të flokëve nuk po i reziston dot as Kate Middleton

të fundit nga