Elitat e Popoviqit

Pasi na vendosën ca mediokritet në Shqipëri, me në krye Enver Hoxhën, instaluan edhe mediokritetin e Kosovës, misioni i të cilëve do ishte blerja e qehtësisë shqiptare, pas tradhëtisë që Beogradi i bëri shqiptarëve që Kosova të mos i bashkohet Shqipërisë. E kaluar gjeopolitike, e përplasjes së interesave ideologjike dhe ndarjes lindje-perëndim, por që po na përcjell akoma sot, teksa shohim mendjemadhësinë (si virtyt mediokriteti) të bijëve dhe bijave komuniste mediokre që ju kapën pushtetit të Kosovës për shumë vite.

Popoviqi (Miladini), dhe skema “programore” pushtet instaluese në Shqipëri dhe Kosovë, që mision kishin krijimin e një atmosfere mos qef prishëse të Beogradit “çlirimtar nga nazi-fashizmi” (gjithmonë ballkani ka pasur problem me “çlirimtarë” të ndryshëm) në mesin e shqiptarëve, do e bënin këtë duke e fshehur nën petkun e ideologjisë, vllazërim-bashkimit dhe identitetit të ri Jugosllav nga ku do “ngritej civilizimi” shqiptar i Kosovës, teksa kompleksiteti gjeopolitik në nivel bote do e prishte planin rreth Shqipërisë akoma pa arritur 1950-ta, Kosova do vazhdonte udhën pa prishur terezinë deri në vitin 1999.

Siç ndodhë rëndom nga përsëritja e historisë atyre që nuk duan t’ia dijnë për asnjë shkencë e lere më historisë në veçati, tash që në vitin 2022 kaluam kuislingë të ndryshëm, OJQ që punuan për ri-bërje identitetesh nacionale, elita politike të derivuara nga një pjesë barbare e uzurpatore e shoqërisë, e deri te serviliteti e mediokriteti i shprehur në shkallë të gjerë deri te deputetët e ministrat e njëzet viteve të fundit, jemi në prag të një përsëritjeje tjetër historie.

Raporti i mediokritetit me sunduesin

Mediokriteti urren më së shumëti vetveten, nuk pajtohet që natyra nuk ka kamzhikuar fat të mirë për të, intelekt të lartë dhe principiel. Si i tillë, mediokriteti bën pakt me çdo “djaj” vetëm e vetëm që të mposhtë komplekset e tij. E tillë kishte qenë elita politike e udhëzuar dhe rekrutuar nga Miladin Popoviqi, politikë kjo e cila Beogradit i’a garantoi Kosovën deri në vitin 1999. Por cili ishte mediokriteti dhe si u lind elita prej tyre?

Vrapimi për të fshehur të bëmat e Rankoviqit, për të shpallur “CUBA” këto që nuk kishte qenë komunist* (pa lexuar 2 libra), për të shpallur aspiratat nacionale shqiptare si “ide të së kaluarës dhe primitive”, për të shpallur utopinë e barazisë anipse bota e rendi natyrës kurrë nuk e pranoi, janë ca nga karakteristikat e elitës mediokre që me kohë, do i’a veshte vetes shumë arritje si; largimi i analfabetizmit, elektrifikimi apo në gjuhën sub-urbane “të mësuarit e të ushqyerjes me lugë”. Sigurisht, këtu hynin edhe kositja e intelegjencës (si zakonisht në rastet tranzivitve siç ndodhi edhe 2 dekadat e para pas vitit 1999), dorëzimi i gjithë resurseve të Kosovës ekonomisë së Rankoviqit, spiunimi dhe spastrimi i shumë nacionalistëve e deri te elementet tjera dytësore si; uzurpimi i arsimit, propagandës, administratës, sektorit privat, policisë dhe gjyqësisë (që natyrisht u nda me me shefat nga Beogradi e Podgorica), që në termat e sotëm, quhet “kapje shteti”.

Dhe ja, na u krijua elita 2 (meqë elita 1 ishte elitë bejlerësh Stambolli me rroktarë e tespi në dorë), elitë kjo komuniste, e “njeriut të ri”, de-facto e mjeranëve të rinjë që do vendosin standardet e kulturës, shkencës, dijes, nepotizmit, klientelizmit, korrupsionit dhe dy më të këqijat nga të cilat nuk po shërohemi dot si shoqëri as sot; servilizmit dhe mediokritetit.

Po që se ke lindur rreth viteve 80’, që i bie se mundësitë që të ishte student në fillim të shek. XXI, pra Kosovës së lirë, e kupton ç’farë po shtrohet, meqë do përjetoje të njejtin fenomen, pra mediokritetin që lindi nga “virtyti” i servilizmit. Në katedrën e universitetit do gjeje shumë mbiemra të njohur që vinjë nga një apo dy rajone nga ku vinin liderët politikë që u vendosën në 1945, do takoje administratë e profesorë të vjetër të cilët në shokun e tranzicionit, do ishin duke kalkyluar cilës “kope” politike t’i kapeshin për të vazhduar benifitet e trashëguara nga pushteti i vendosur nga Popoviqi, ca do ishin të kapur me banditë, ca me vjedhacakë, por të gjithë ama në emër të patriotizmit e shtet-ndërtimit.

Sigurisht, që do takoje edhe “profesorët” e rinjë, ata pa diploma de-facto, por që duhej të vendoseshin aty meqë i kishin dërguar ata që do e quanin veten çlirimtarë. Do takoje, me kalimin e kohës, një elitë të re mediokre, por që këtë herë, do vendosej nga administrata ndërkombëtare që duhej ta pajtojë Serbinë që të mos e sjell Rusinë në Danub, një gjë ishte e sigurtë, nuk duhej të kishte shumë intelegjencë e cila komplikon gjërat në diplomaci.

Në vitin 1945, mediokriteti do tentoj të blejë qehtësinë publike me mjete të ndryshme, meqë ishte shpërblyer me pushtet që “ja hiqte mediokritetin”, teksa në vitin 2000 e tutje, mediokriteti duhej ushqyer në blerjen e qehtësisë publike meqë ishte shpërblyer me pushtet për të amortizuar nacionalizmin shqiptar, për të pajtuar Serbinë që të mos ecë kah Rusia.

Gërshetimi i dy elitave mediokre, asaj të 1945 dhe asaj 2000, u kurorëzua më së miri në koalicionin e parë PDK-LDK, për të krijuar “kohezionin” social të mediokritetit. Sot, kur cënohet interesi nacional nga deformimet e historisë, mediokriteti i historianëve heshtë, teksa bijtë e bijat e komunistëve tashmë që shiten intelektualë meqë për 70 vite u veshën me pushtet, çojnë zërat. Nga lindi kjo frikë kalkyluese? Pikërisht nga fakti se mediokriteti gjithmonë ka padronë, padronë që i shkolloi anipse nuk ishin për shkollë. Padronë që i futi në Akademi anipse nuk janë as për mësues, padronë që i bëri deputetë ani pse akoma sikletaven e kompleksohen për mënyrën e veshjeve kur hyjnë kafeneve snobe të Prishtinës.

Elita e vërtetë nuk është lejuar, asaj i zihej fryma vazhdimisht nga OZNA, UDBA, Akademia e Shkencave Jugosllave. Ajo ishte ose në arrati, ose e vrarë si rasti me Akademik Fehmi Aganin. Por elitat elitë- përmbysëse, pra elitat mediokre, që kanë standardizuar mendimin dhe kulturën shqiptare, vazhdojnë edhe sot të na shesin mendët e tyre të zbrazëta, sepse rrethanat e volitshme mund të krijojnë ca dije, por nuk garantojnë kurrë intelegjencen e mirëfilltë. Kosova edhe luftën në emër të dijes e intelektit, në të vërtetë, përgjithësisht e ka luftë në mes të dy taboreve mediokre, asaj të krijuar në 1945 dhe asaj të 2000-tës, për të mos thënë tri, duke futur edhe elitën bejlere otomane. E para ka përparësinë e eksperiencës, teksa e dyta siç pritej, do ishte e përkohshme, në mungesë të një rafinimi minimal.

Do duhen shumë vite, forcim arsimimi, integrim kulturoro/medësor me botën e jashtme, që Kosova të ri-balancoj standardet e saj mes intelegjencës dhe mediokritetit të rastësisë. Mbase në atë kohë, do mund të fillojmë të shtjellojmë objektivisht (shkencërisht) figurat tona historike, përse jo, edhe të figurës së Xhafer Devës.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Në prag të luftës: Ukraina merr raketa kundërajrore nga Lituania, çfarë po ndodh?

Story i radhës

Александар и Марјан, дел од финалниот круг среќни добитници на наградната игра на 2win.mk

Të fundit nga

AlbanianMacedonianEnglish