Ekskluzive: Eksperti gjerman zbulon lojën e Serbisë në Kosovë: Ja si Osmani dhe Kurti mund ta ndalin Vuçiqin – ky shtet mund të intervenojë

“Nëse Perëndimi do të ishte më i qartë me Beogradin, se kërcënimet me dhunë ndaj Kosovës janë të papranueshme dhe se kjo do të ndikojë në aspiratat e Serbisë për anëtarësim në BE, dyshoj se do të ndodhnin kaq shpesh tensionet në veri të Kosovës”. Kështu është shprehur Kurt Bassuener nga organizata ndërkombëtare Këshilli për Politikën e Demokratizimit, me seli në Berlin, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”.

Ai iu sugjeron udhëheqësve të Kosovës, që të vazhdojnë të ndërtojnë elektorat mes ligjvënësve perëndimorë, veçanërisht në Bundestag, ku aspiratat e Serbisë për BE mund të ndalen, nëse politikat nuk ndryshojnë.

Ai e vlerësonte të arsyeshëm vendimin paraprak të qeverisë Kurti, për mos shtyrjen e afatit për regjistrimin e automjeteve me targa ilegale të Serbisë, teksa ka theksuar se qëllimi i afatit 10 mujor, ishte shpërblim për politikën serbe.

Duke komentuar për kundërshtimin e Beogradit ndaj planit franko-gjerman, eksperti Bassuener thotë se qëllimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiq, është të bëjë qëndrimin e Perëndimit edhe më të favorshëm për të.

Ai është shprehur i habitur se si Serbia mbetet pika qendrore e politikës së Perëndimit, marrë parasysh politikën e saj ndaj Ukrainës dhe ndaj Kosovës e fqinjëve tjerë.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Z. Bassuener, cili është komenti juaj lidhur me tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, për shkak të regjistrimit të makinave me targa ilegale të Serbisë, gjë të cilën po e kundërshton Beogradi? Çfarë duhet të bëjë Kosova për ta zgjidhur këtë situatë?

Kurt Bassuener: Serbia në mënyrë teatrale po përshkallëzon tensionet e sigurisë në mënyrë periodike si pjesë e qëndrimit të saj negociues për një çështje mjaft të thjeshtë – por të rëndësishme – të sovranitetit të Kosovës. Nëse Perëndimi do të ishte i qartë me Beogradin se kërcënimet e dhunës së armatosur janë të papranueshme me angazhim të zëshëm për t’i frenuar ato, si dhe qartësi se këto ndikojnë në aspiratat e Serbisë për anëtarësim në BE, dyshoj se do të ndodhin kaq shpesh. Por, Vuçiqi e di se ato po funksionojnë; Perëndimi do t’i bëjë presion Kosovës që të heqë dorë (dhe këshilltari i Departamentit të Shtetit Derek Chollet sapo bëri një postim në Twitter).

Mendimi im është se kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani duhet të vazhdojnë të ndërtojnë elektorat mes ligjvënësve perëndimorë, veçanërisht në Bundestag, ku aspiratat e Serbisë për BE-në mund të ndalen, nëse politikat nuk ndryshojnë.

“Bota sot”: Qeveria e Kosovës, përkundër presionit ndërkombëtar, kundërshtoi gjatë për të mos shtyrë për herë të dytë afatin për regjistrimin e targave. Si e komentoni këtë vendim të kryeministrit Albin Kurti, pse SHBA-ja dhe BE-ja kërkonin pikërisht 10 muaj shtyrje?

Kurt Bassuener: Sinqerisht, nuk e kam të qartë rëndësinë e afatit 10-mujor; nuk është i sinkronizuar me asnjë kalendar elektoral për të cilin jam në dijeni. Por, qëllimi i shtyrjes duket i qartë – të shqelmosh kanaçen proverbiale (dhe në këtë mënyrë të shpërblehet efektivisht politika serbe). Mendoj se vendimi i kryeministrit Kurti është i arsyeshëm.

“Bota sot”: Serbët u larguan pothuajse nga të gjitha institucionet e Kosovës, por janë rikthyer në Kuvendin e Kosovës. A po bëjnë “lojë” të dyfishtë ata, a fshihet ndonjë skenar i Vuçiqit këtu?

Kurt Bassuener: Loja e Serbisë është goxha e hapur, më duket mua. Të gjitha veprimet synojnë t’i përshkruajnë autoritetet e Kosovës si irrituese/problematike në rajon. Dhe me qëndrimin tolerant të Perëndimit ndaj Beogradit, pavarësisht agjendës së tij rajonale dhe arbitrazhit gjeopolitik, kjo duket se po funksionon, për fat të keq. Nuk mendoj se parashikon mirë.

“Bota sot”: Si e shihni planin franko-gjerman si zgjidhje për mosmarrëveshjet Kosovë-Serbi, pse Serbia po e kundërshton këtë plan sipas jush?

Kurt Bassuener: Plani, siç po zbulohet, vendos një shirit dukshëm më të ulët sesa e përcaktoi karakterizimi fillestar i Vuçiqit – që kërkon njohjen e plotë të pavarësisë së Kosovës nga Beogradi. Ky është një zhgënjim i vërtetë. Në thelb, ky plan – dukshëm i mbështetur fuqishëm nga SHBA-ja dhe BE-ja – po riinveston në një dialog që ka dështuar prej kohësh. Mendimi im për kundërshtimin e Vuçiqit (dhe keqkarakterizimin e tij më shumë se një muaj më parë) është të vazhdojë të ulë shiritin, për ta bërë qëndrimin e Perëndimit edhe më të favorshëm për të.

“Bota sot”: A mendoni se marrëveshja finale gjithëpërfshirëse mes të dyja vendeve është afër, marrë parasysh vëmendjen e “shtuar” të dialogut nga ndërkombëtarët, pas shpërthimit të luftës në Ukrainë?

Kurt Bassuener: Jo, nuk mendoj. Më habit fakti që Serbia, duke pasur parasysh politikën e saj më të çuditshme ndaj Ukrainës, si dhe politikën e saj haptazi irredentiste “bota serbe” (Srpski svet) ndaj fqinjëve, Kosovës, Bosnje-Hercegovinës dhe Malit të Zi, mbetet pika qendrore e politikës së Perëndimit. Kjo nënvizon qëndrimin afatgjatë të Perëndimit për të kërkuar qetësim mbi përparimin.

“Bota sot”: Kosovës po i bëhet trysni e madhe edhe për çështjen e formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, por kryeministri Kurti ka thënë se nuk do të lejojë formimin e një “shteti serb” brenda Kosovës. Si e shihni ju zgjidhjen e kësaj teme?

Kurt Bassuener: Të jetosh në Bosnje dhe Hercegovinë – dhe të kesh studiuar Maqedoninë e Veriut – ideja e territorializmit të përkatësisë etnike është në thelb problematike. Qëndrimi i Serbisë – që pasqyronte jo vetëm politikat e saj drejtpërsëdrejti në Kosovë (dhe kontrollin e politikës serbe brenda Kosovës), por edhe konceptin Srpski Svet – sigurisht që nuk bën asgjë për ta siguruar Kosovën se lloji i Asociacionit që kërkon Beogradi do të ishte në përputhje me sovranitetin e Kosovës dhe zhvillimin e një shteti të përbashkët. Pikëpamja ime është se çdo zgjidhje funksionale për popullatën serbe të Kosovës do të mbështetet në zhvillimin e një elektorati ndërsektorial dhe integrues që angazhon ata si në jug ashtu edhe në veri të Ibrit. Kjo dukej se po zhvillohej para dialogut, i cili në fakt i dha Beogradit sovranitet etnik mbi serbët e Kosovës përmes Listës Serbe.

Ky OPINION është huazuar nga media BOTASOT.INFO

Story i mëparshëm

Kapiteni i Belgjikës tallet me gjermanët

Story i radhës

Publikohet thirrja për subvencionimin e racionit për student për vitin akademik 2022-2023

Të fundit nga

AlbanianMacedonianEnglish