Ish-politikani dhe avokati Azem Vllasi ka thënë se serbët në pjesën veriore të Kosovës po integrohen, duke e cilësuar këtë si burim të nervozizmit në Serbi.
Sipas tij, Serbia e ka të vështirë të pranojë që serbët e veriut, të manipuluar për vite me radhë nga Beogradi, tashmë po integrohen dhe kërkojnë një jetë të qetë brenda sistemit të Kosovës.
“Ky është një shprehje e nervozizmit nga Serbia, për shkak të integrimit të pjesës veriore të Kosovës në sistemin juridik, të sigurisë dhe atë të përgjithshëm të vendit. Serbia po përballet me shqetësimin se serbët e veriut, të cilët tradicionalisht pas luftës kanë qenë të manipuluar dhe instrumentalizuar nga Beogradi për qëllimet e saj, tani po integrohen. Ata po kuptojnë se serbët e veriut dhe të mbarë Kosovës që duan të jetojnë këtu, dëshirojnë të kenë një jetë të qetë dhe të integrohen në sistemin kosovar, pavarësisht dashurisë së tyre për Serbinë. Kjo po shkakton nervozizëm në Serbi”, ka thënë Vllasi në në linje direkte në emisionin FIVE të Dukagjinit.
Sipas Vllasit, hapat e bërë në veri deri më tani janë të rëndësishëm, por procesi nuk duhet të ndalet.
“Serbia vazhdon të gjejë njerëz për t’i instrumentalizuar: më parë ishte grupi terrorist i Radojçiqit në Banjskë, tani ata kërkojnë forma të tjera diversioni, si sulme ndaj komunave apo dëmtim të automjeteve.
Megjithatë, institucionet e Kosovës duhet të tregojnë durim dhe mençuri, duke lejuar që procesi i integrimit të veriut të vijojë. Në dy-tre vitet e fundit janë bërë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim.
Çdo hap i radhës duhet të bëhet me kujdes, pa nguti, pa nervozizëm dhe pa qëllime publiciteti për përfitime politike. Është thelbësore të ketë bashkëpunim të vazhdueshëm me serbët e veriut dhe të identifikohen individët apo grupet me të cilët mund të bashkëpunohet për një integrim gradual dhe të qëndrueshëm. Pas arritjeve të deritanishme, procesi nuk duhet të ngutet, por as të ndalet”, ka shtuar Vllasi.
Burimi: botasot.info