E tërhoqën 10 ditë me vonesë pasi i zuri Covid-i, familjes i ndërpresin ndihmën ekonomike dhe i kërkojnë para mbrapsht

Një histori sa e pazakontë, aq edhe e dhimbshme është shpalosur ditën e sotme në emisionin “Fiks Fare” në TCH.

Një familje ka humbur ndihmën e saj ekonomike, pasi ka shkuar 10 ditë me vonesë për ta tërhequr atë.

Dhe jo vetëm që e hoqën nga ndihma ekonomike për këtë vonesë, por i thanë që duhet t’i kthente shtetit 460 mijë lekë të vjetra me arsyetimin se ia kishin dhënë gabimisht.

Gjyste Petoku iu drejtua emisionit Fiks Fare, në emër të vjehrrës Dava Petoku. Ato kishin aplikuar për ndihmë ekonomike të cilën e kishin fituar pasi dhe i shoqi është tetraplegjik. Kur ndihma ekonomike i doli Gjystja nuk shkoi ta tërhiqte, pasi kishte sëmur me Covid -19 dhe burrin dhe vjehrrën.

Terhëqja e ndihmës ekonomike kishte afat kohor 10 ditë, por zonja prej sëmundjes nuk kishte mundësi të shkonte ta tërhiqte, kështu që pasi kaloi sëmundja shkoi tek administratori. Ky i fundit i kishte thënë se me një raport te mjekut i cili vërtetonte se kishin kaluar covidin në datat që shpërndahej ndihma ekonomike, mund të riaplikonin sërish për ta rimarr atë muaj.

E kështu ndodhi,  më pas zonja e tërhoqi dhe një vit në mënyrë sistematike. Një ditë kur paraqitet në sportele për të rimarr pagesën e radhës mujore i thonë se  e ka përfituar ndihmën ekonomike  pa të drejtë. Sipas punonjësve auditi kishte kapur ‘shkeljen’, por pa pare dokumentin mjeksor që zonja kishte dorëzuar. Kështu ajo automatikisht doli debitore, pasi shërbimi social e kishte orientuar se dokumenti që kishte dorëzuar nga mjeku kjo zyrë e kërkonte t’i shkonte zyrtarisht nga bashkia. Zonja Petoku  e dërgon këtë dokument  me postë në bashki  si dhe duke aplikuar tek e-albania. “Ka afro gjashtë muaj që e kam dorëzuar, por asnjë reagim. Kam 6 muaj pa ndihme ekomomike”, shprehet Petoku.

Specialisti i financës z. Drilon Kapllani, në Shërbimin Social Shtetëror të Durrësit thotë se auditi ka konstatuar që familjes së Dave Petokut nga bashkia i është arkëtuar vlera e muajit përkatës të cilin nuk e ka tërhequr. Në bazë të VKM nr. 597 në moment që familja nuk e tërheq ndihmën ekonomike sipas aftatit, duhet të largohet nga ndihma ekonomike. Në këtë rast kjo është bërë. Dhe Auditi i Drejtorisë Rajonale e ka konstatuar këtë në 2022 dhe i është lënë të arkëtohet shuma 46.140 lekë.

Pyetjes së gazetarit se zonja e ka një dokument ku e justifikon mosparaqitjen në kohë të tërheqjes së ndihmës ekonomike z. Kapllani shprehet se nëse dokumenti është dorëzuar tek pushteti vendor, ky i fundit i drejton një shkresë Drejtorisë rajonale të Shërbimit Social se zonja ka dokument justifikues. Dokument të cilin pushteti vendos nuk ua kishte dërguar”. Deri në këto momente që flasim nuk e kemi një dokument të tillë dhe në momentin e parë që vjen në zyrën tonë zonja nuk do të jetë më debitore dhe do marri parat”, theksoi specialisti.

Drejtoresha Meme Xhaferaj e Shërbimit Social në Bashkinë Durrës tha se nga auditi ishte kapur shkelja dhe detyrimisht nga kjo zyrë i ishte ndaluar pagesa. Për sa i përket raportit mjekësor që familja ka paraqitur drejtoresha pohon se dorëzimi i tij është bërë mbrapa dhe sapo të akordohen edhe me  zyrat e tjera lekët do t’i rikthehen familjes.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Fer Volley mposhtet nga Partizani

Story i radhës

Aktivistët e pakënaqur të Alternativës kanë disa kërkesa

Të fundit nga