E pranon se dha 2 mijë e 500 euro për t’u punësuar në KEK, i akuzuari tjetër deklarohet i pafajshëm për marrje ryshfeti

Egzon Hyseni e ka pranuar akuzën se ka dhënë ryshfet 2 mijë e 500 euro për punësim në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) derisa inxhineri i KEK-ut, Sylejmon Pllana është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzat për “Marrje ryshfeti” dhe “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Pranimi i fajësisë nga Hyseni dhe deklarimi i pafajshëm i Pllanës ka ndodhur të premten në seancën shqyrtimit fillestar të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Dulina Hamiti, të akuzuarit Egzon Hyseni iu veçua procedura nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, pasi i njëjti u deklarua fajtor për veprën penale e cila i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Procedura u veçua, pasi paraprakisht pranimi fajësisë u aprovua nga kryetarja e trupit gjykues, dhe të njëjtën nuk e kundërshtuan as prokurorja  Hamiti, e as mbrojtësi i të akuzuarit Hyseni, avokati, Ahmet Gjinovci.

Sipas prokurores Hamiti, lidhur me lartësinë e dënimit gjykata, të ketë parasysh rrethanat mbi pranimin e fajësisë dhe  të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.

Mbrojtësi i të akuzuarit Hyseni, avokati Gjinovci në fjalën e tij përfundimtare i propozoi gjykatës që me rastin e shqiptimit të dënimi të mbrojturit të tij ti shqiptojë një dënim sa më të butë.

Pas dëgjimit të palëve, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Krasniqi-Jashanica tha se shpallja e aktgjykimit për të akuzuarin Egzon Hyseni do të bëhet, me 17 maj në ora 10:00.

Për të akuzuarin Sylejmon Pllana, i cili u deklarua i pafajshëm, e një deklarim i tillë u mbështet edhe nga mbrojtësi i tij, avokati Nexhmedin Sejdiu, gjykatësja Krasniqi-Jashanica  e njoftoi  se brenda 30 ditësh mund të bëjë kërkesë për hudhje të aktakuzës apo kundërshtim të provave.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 26 janar 2021, Sylejmon Pllana po akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, inxhinier në Korporatën Energjetike të Kosovës ( KEK) duke e keqpërdorur detyrën e tij, ashtu që Egzon Hysenit i ka kërkuar ryshfet në shumë prej 5500 euro duke i premtuar se do ta punësonte si vozitës në KEK.

Gjithnjë sipas aktit akuzues, Pllana fillimisht i kishte pranuar shumën prej 2000 euro nga i akuzuari Hyseni, e pastaj në një takim tjetër  ai kishte pranuar edhe shumën prej 500 euro, kurse për pjesën tjetër prej 3000 euro, ata ishin pajtuar që ajo pjesë të paguhej pasi i akuzuari Hyseni të punësohej dhe ta marr pagën e parë në KEK.

Me këto veprime, Pllana po akuzohet se ka kryer veprat penale “ Marrja ryshfetit” nga neni 428 par 1 dhe “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 par 1  të KPRK-së.

Sipas kësaj aktakuze, në dispozitivin e tretë po akuzohet edhe Egzon Hyseni, i cili gjatë muajit prill 2019 është takuar me të akuzuarin Pllana në Fushë Kosovë, dhe me qëllim punësimi në KEK, fillimisht i kishte dhënë shumën prej 2000 euro e pastaj në një takim tjetër shumën prej 500 euro, e për pjesën tjetër ishin pajtuar që të paguhej pasi i akuzuari Hyseni të punësohej në KEK.

Me këtë, Hyseni po akuzohet se ka kryer veprën penale “ Dhënia e Ryshfetit” nga neni 429 par 1 të KPRK-së.

Ngjarja paraprake

Zaev-Cipras: Përfitimet e Marrëveshjes së Prespës sot njihen edhe nga palët të cilët kishin dyshime

Ngjarja e ardhëshme

3 sinjale shqetësuese që ju paralajmërojnë për të ardhmen e lidhjes

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian