Dyert ishin të mbyllura. Nxënësit u stepën në shkallët e shkollave! Pa mirëpritje për fatosa

Të nderuar mësimdhënës,

Viti shkollor 2022/23 në shtatorin e sivjetmë nuk pati fillim. Shkollat nuk u hapën. Dyert ishin të mbyllura. Nxënësit u stepën në shkallët e shkollave. Nuk pati mirëpritje as për fatosa, për fëmijët që për herë të parë deshën të hyjnë në shtëpinë e tyre të diturisë, në shkollat fillore të cilat përbëjnë themelet e dijes dhe të qytetërimit të çdo njeriu. Atë ditë pati lot hidhërimi e jo gëzimi. Për dyzetmijë fëmijë të regjistruar në klasën e parë munguan përkëdheljet, buzëqeshjet dhe përqafimet e mësueseve dhe të mësuesve në tërë Kosovën. Fëmijët nuk e përjetuan kontaktin e parë me mësuesen e tyre të cilën e kishin ëndërruar, përfytyruar ose imagjinuar shumë kohë.

Atë ditë, më një shtator, në vjeshtën e parë të këtij viti dhe në vijim, arsimi ynë mori goditje të rëndë shkatërruese. Prindërit me fëmijë përdore mbeten të hutuar dhe të zhgënjyer në oborret e shkollave. Klasat, karriget dhe bankat e zbrazëta sikur po flisnin e kërkojnë të zotët e tyre: mësimdhënësit dhe nxënësit. Nga 1 shtatori nuk ra zilja e shkollës. Nuk mbahen orë mësimi ngase mësimdhënësit janë në grevë sindikale, jo të gjithë. Shumë mësimdhënës kundërshtuan bojkotin e mësimit. Disa prej tyre janë nën trysninë e disa aktivistëve sindikalë të pavetëdijshëm për veprimet e tyre të papërgjegjshme, të dëmshme shkatërruese për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme. Barrën e përgjegjësisë e bartin udhëheqja e sindikatës së arsimit me simotrat e saja. Ka disa mësimdhënës që pa peshuar mirë përgjegjësinë e tyre për çka janë në shkollë verbërisht solidarizohen me aktivistë injorantë të sindikatës e nuk kthehen në punën e tyre fisnike te nxënësit e tyre që po i presin me padurim. Kjo është trishtuese. Është përgjegjësi e madhe e mësimdhënësve. Nëse nuk e zotërojnë psikologjinë shkollore mirë le të funksionojë njerëzorja.

Nxënësit për çdo ditë kanë nevojë për dije të reja për gjuhën letërsinë, kulturën, për numrat, për shkronjat, për historinë, natyrën. Orët e humbura gjithmonë mbesin të humbura. Asnjë përmbajtje programore mësimore nuk mund të përvetësohet më në shkallë të mjaftueshme cilësore. Në qoftë se organet kompetente të arsimit vendosin që mësimdhënësit të vlerësohen në saje të suksesit të nxënësve e jo të vlerësimit numerik të mësimdhënësit, mund të kemi ndoshta rezultate zhgënjyese të suksesit në shkolla. Shkolla nuk është e mësuesve. Mësuesit janë në shërbim, në bazë një kontrate pune të nënshkruar me shtetin. Drejtori i shkollës është përfaqësues i shtetit në shkollë. Roli i tij, sot, është i paqartë dhe i ndërlikuar, pa kompetenca administrative, financiare dhe profesionale, nuk janë apolitikë. Shkolla është e komunitetit. Komuniteti sjellë fëmijët në shkolla publike sipas një rregulloreje të përcaktuar për rajonizimin e shkollave.

Prindërit kanë të drejtë të kërkojnë fillimin e procesit mësimor. Asnjë sindikatë nuk ka të drejtë të shkelë të drejtat e fëmijëve për shkollim. SBASHK-u ka monopolizuar të drejtat e nxënësve, të arsimtarëve, të prindërve të komunitetit, dhe të rrethit shoqëror. Këtë nuk po e bëjnë vet. Udhëheqja e SBASHK-ut nuk është i vetëdijshme se ka goditur fushën më të ndjeshme të popullit shqiptar të Kosovës. Se arsimi tani në Kosovë është i politizuar kjo punë është ditur. Por, nuk është ditur se Udhëheqja e Sindikatës bëhet vegël për ta futur politikën në shkolla për t’i përçarë mësimdhënësit duke i përdorur fëmijët e pafajshëm dhe duke sjellë situata të pakëndshme në gjiun e çdo familjeje. Votat nuk fitohen me fëmijë peng përpara. Qeveria ka dhënë propozime racionale. Duhet pasur durim. Edhe liderët e partive politike duhen të kërkojnë që shkollat t’i hapin menjëherë.

Story i mëparshëm

Joseph: Marrëveshja është për fqinjësi të mirë, ndërsa sjellja e Bullgarisë nuk është aspak miqësore

Story i radhës

Microsoft prezanton më 12 Tetor Surface Pro 9 dhe Surface Laptop 5

Të fundit nga

AlbanianMacedonianEnglish