Dy javë nga rihapja, COVID mbyll shkollën e parë në vend

Fiks dy javë nga rihapja e shkollave në kushtet e normalitetit të ri, është marrë vendimi për mbylljen e një shkolle, që është e para në vend që i vihet kyçi si pasojë e COVID-it. Bëhet fjalë për gjimnazin “Sami Frashëri” në Përmet, në të cilin rezultojnë pesë mësues të infektuar.

Brenda harkut kohor të dy javëve janë konstatuar raste infektimesh në radhët e mësuesve e nxënësve në dhjetëra shkolla, por vetëm javën që shkoi, njësitë vendore të kujdesit shëndetësor u detyruan të mbyllin tri klasa, ndërsa një ditë më parë u pezullua pa afat mësimi në gjimnazin e qytetit të vogël.

SITUATA TE “SAMI FRASHËRI”

Sinjalet e para për prezencën e COVID-it te “Sami Frashëri” kanë ardhur që të premten e javës që shkoi, pas rezultatit pozitiv të tamponit të një prej mësueseve. Kjo ka bërë që të testohet i gjithë stafi pedagogjik i shkollës, ku kanë rezultuar pozitivë mësues që kanë pasur kontakte të ngushta me kolegen, e cila mendohet të jetë burimi kryesor i infektimit.

Të hënën u konfirmuan edhe katër mësues të tjerë, duke e çuar në pesë numrin total të të infektuarve. Nga dje, “Sami Frashëri” mbylli dyert duke pezulluar mësimin pa një datë të caktuar. Për mësuesit e infektuar janë përsëritur me urgjencë përsëri tamponët.

Të gjithë mësuesit mësohet të jenë karantinuar, ndërsa ka të dhëna kontradiktore mbi tamponimin ose jo edhe të nxënësve në klasat ku pesë mësuesit kanë dhënë mësim gjatë kësaj periudhe. Njësia e kujdesit shëndetësor në qytetin e vogël, por edhe Ministria e Arsimit, edhe në këtë rast janë treguar hermetike mbi transparencën e të dhënave.

Ajo që dihet me siguri është dezinfektimi i ambienteve të brendshme, ndonëse nuk ka një datë për rifillimin e mësimit apo se si do të procedohet aktualisht. Udhëzimi i ministrive përgjegjëse parashikon mësimin në kushte shtëpie, online dhe përmes RTSH Shkolla. Në gjithë qytetin janë identifikuar vetëm 16 raste aktive dhe janë shënuar vetëm dy fatalitete si pasojë e COVID-it që nga fillimi i muajit mars, kur shpërtheu pandemia.

Përmeti nuk është i vetmi qytet në hartën e depërtimit të COVID-it në shkolla. Korça gjithashtu shënoi dje katër raste mësuesish, dy prej të cilëve u përkasin dy shkollave në qytet, një te “Papa Kristo Negovani” në Ersekë dhe një mësuese e gjuhës frënge në Bilisht. Dy të parët janë një çift bashkëshortësh që jepnin lëndën e Edukimit Fizik në dy shkolla të ndryshme: “Naim Frashëri” dhe “Sevasti Qiriazi”, të cilët gjatë kësaj periudhe, më shumë se mësues, kanë shërbyer për të monitoruar lëvizjet në oborre e korridore. Gjirokastra ka rritur bilancin e saj në shkolla edhe dje, ku ka rezultuar një tjetër nxënës i infektuar në shkollën “Koto Hoxhi”. Javën e kaluar pati raste pozitive edhe në gjimnazin “Siri Shapllo”, pas një maturanteje të infektuar nga e ëma që punonte në një fasoneri.

Ngjarja paraprake

Microsoft ka dërguar një përditësim në Windows 10 që nuk duhet ta instaloni

Ngjarja e ardhëshme

Muça: Fillon zbukurimi i qytetit me lulet e vjeshtës (FOTO)

të fundit nga