Javët e fundit dukej sikur Rusia po bënte përsëri përparim ushtarak në luftën kundër Ukrainës. Por çmimi për këtë është i lartë.
Javët e fundit dukej sikur Rusia po bënte përsëri përparim ushtarak në luftën kundër Ukrainës. Analisti dhe blogeri i njohur estonez Artur Rehi dhe revista Forbes, tani kanë adresuar pyetjen se sa i lartë është çmimi që Rusia po paguan për ofensivën e saj dhe sa kohë mund ta durojë vendi atë.
Shtatori muaji më i përgjakshëm
Shtatori ishte muaji më i përgjakshëm për rusët, në gjithë luftën e tyre. Numri i rusëve të vrarë dhe të plagosur, shpesh ka qenë më shumë se 1500 çdo ditë, në muajt e fundit – sipas Rehi, rreth dy herë më shumë se një vit më parë.
Në përgjithësi, Rusia ka humbur midis 500,000 deri 730,000 ushtarë, sipas burimeve të qeverisë amerikane dhe numërimit zyrtar ukrainas.
Ushtarët rusë kanë një jetëgjatësi prej dy deri në katër javë
Sipas Rehi, jetëgjatësia e mbetur e një ushtari rus, që nga momenti i regjistrimit, është dy deri në katër javë.
“Rusia është bërë një rrip transporuesi i vdekjeje, duke shkatërruar Ukrainën dhe duke gllabëruar veten në këtë proces”, shkruan Rehi. Sipas informacioneve të tij, çdo rekrutë i kushton shtetit rus nga 50,000 deri në 100,000 euro përsa i përket logjistikës, ushqimit dhe pagës.
Presioni mbi ekonominë po rritet
Sipas Forbes, ekonomia ruse po tregon gjithashtu shenja se presioni mbi sistem është i madh. Shpenzimet e luftës tani arrijnë në më shumë se gjashtë përqind të produktit të brendshëm bruto – dy herë më shumë se shpenzimet e SHBA dhe tre herë më shumë se përqindjet e rekomanduara të NATO-s, për shpenzimet e luftës.
Sasia e madhe e parave të shtetit të derdhur në kompanitë e mbrojtjes e ka çuar inflacionin vjetor në Rusi në tetë për qind. Banka Qendrore ruse ka rritur normën bazë të interesit në 21 për qind. Investimet në pjesën tjetër të industrisë kanë rënë në mënyrë dramatike.
Fabrikat e goditura nga sanksionet nuk mund të gjejnë punëtorë. “Operacioni special shpërqendron njerëzit dhe ky problem nuk mund të zgjidhet shpejt,” tha Alexander Shokhin, kryetar i Federatës Ruse të Industrive dhe Sipërmarrësve.
Analisti: Mbështetni Ukrainën derisa Rusia të shembet
Për analistin Artur Rehi, është e qartë: mbështetja për Ukrainën duhet të vazhdojë dhe të rritet, derisa sistemi i Rusisë të shembet.
“Pyetja e madhe është, çfarë do të shembet së pari: ekonomia apo ushtria? Në çdo rast, njëri do të marrë tjetrin me vete.”
Nga Gjermanishtja: Sherif Ramabaja
Burimi: botasot.info