“Dua të jetoj, jo thjesht të mbijetoj”, Euronews: Kosova dhe problemi i ikjes së trurit

Me titullin “Dua të jetoj, jo thjesht të mbijetoj: Kosova dhe problemi i ikjes së trurit”, mediumi i njohur “Euronews” ka shkruar për problemin e madh me të cilin po përballet Kosova qe disa vjet – ikjen e të rinjve jashtë vendit për jetë më të mirë.

Në këtë artikull ka folur Gzim Olluri, që më 2017 kishte diplomuar në gazetari në Universitetin e Prishtinës. Pak javë pas diplomimit ai ishte në Zagreb të Kroacisë për të apeluar për leje pune në ndërtimtari.

“Kur dorëzova dokumentet më thanë: ‘Si mund të punosh në ndërtimtari me diplomë gazetarie?’”, ka kujtuar Olluri.

Tani 29-vjeçari, ka punuar në disa vende që nga ajo kohë, bashkë me vëllezërit – të dy rreth të 20-ave – që kanë lënë Kosovën për të gjetur punë diku në Evropë.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 49 për qind të të rinjve ishin të papunë më 2019.

Pandemia COVID-19 ka shkaktuar edhe më shumë probleme, me ekonominë që, sipas Bankës Botërore, u tkurr për 8 për qind. Mijëra vende pune janë humbur.

Ky artikull paraqet edhe opinionin e Ollurit se në Kosovë edhe nëse punon, kushtet e punës janë tejet të vështira.

Por ato kushte s’janë më të mira as në Zagreb, shkruan “Euronews”. Kosovari nis punën në orën 6 të mëngjesit dhe punon 12 orë në ndërtimtari në kryeqytetin kroat. Kohën e vetme të lirë që ka ai, e shfrytëzon për lexim.

Ëndrra e tij është të kalojë në Gjermani ku shpreson të vazhdojë studimet dhe karrierën në gazetari. Në këtë, s’është i vetmi. Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë lëshoi 25 mijë viza për qytetarët më 2019 dhe 2020, sipas të dhënave zyrtare.

Më shumë se 200 mijë kosovarë jetojnë në Gjermani, shumica të larguar gjatë viteve të ’90-ta, dhe pas luftës me Serbinë më 1999. Por mijëra ende po vazhdojnë të shkojnë, edhe pse Kosova shpalli pavarësinë më 2008.

Sipas të dhënave, mes viteve 2015 dhe 2019, më shumë se 170 mijë njerëz nga Kosova u larguan drejt Evropës, kryesisht Gjermanisë. Shqiptarët nga Kosova janë larguar edhe drejt kontinenteve të tjera.

Lëvizjet e fundit politike kanë ngjallur shpresën te të rinjtë se vala e largimit të të rinjve mund të ndalet pasi një parti opozitare mori fitoren e madhe në zgjedhjet e shkurtit, shkruan “Euronews”. Megjithatë, ekspertët presin që pavarësisht fitores me mbi 50 për qind të votave të Lëvizjes Vetëvendosje, trendi i migrimit do të vazhdojë.

“Pres që të ketë përmirësime, por gjithsesi një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë ndjen lodhje dhe ka nevoje të menjëhershme, ashtu që do të jetë e vështirë të ndalet trendi i migrimit”, ka thënë Artan Mustafa, një studiues i politikave sociale.

Vetëvendosje fitoi zgjedhjet me punësimin dhe drejtësinë si top-prioritete. Përkrahësit e saj janë kryesisht të rinjtë dhe diaspora.

Për Ollurin, që ishte në mesin e 75 për qind të qytetarëve të diasporës që votuan për Vetëvendosjen, pavarësisht pritjeve të mëdha, shërimi i dëmeve të shkaktuara në 20 vjetët e kaluara i sheh si sfidë të madhe për VV-në.

I pyetur nëse do të konsideronte kthimin në Kosovë nëse shpejt bëhen reforma, Olluri s’e përjashton mundësinë, por shprehet pak optimist se do të mund të kthehet në vendlindje në afat të shkurtër kohor.

Që nga largimi drejt Kroacisë më 2017, Olluri është kthyer në Kosovë të paktën dy herë për pushime dhe u dërgon të holla prindërve.

Ai s’është i vetmi as në këtë pikë. Mes 700 dhe 900 milionë euro remitanca dorëzon diaspora e Kosovës në vendlindje çdo vit.

Popullata në Kosovë është më e reja në Evropë me gjysmën nën moshën 25-vjeçare.

Rronë Kryeziu është në këtë grup. 22-vjeçarja s’kishte menduar të largohej nga Kosova për një shtet tjetër para se të kompletonte vitin e tretë të studimeve për stomatologji në UP.

Në vitin e katërt, dhe dy vjet para kompletimit të nivelit bachelor, ajo po mendon seriozisht që të shkojë në Gjermani.

Ambiciet e saja janë të qarta: Dëshiron të vazhdojë specializimin atje dhe të jetojë aty. Tashmë ka mësuar gjuhën bazike gjermane.

“Është shumë keq që shteti investon për ne për gjashtë vjet dhe ne shërbejmë në shtetet tjera”, ka thënë ajo. Por Kryeziu shprehet se dëshiron të largohet jo vetëm për avancim profeisonal, por edhe për shkak të situatës financiare pas kompletimit të studimeve.

Për të gjetja e një vendi të punës në Kosovë si stomatologe nuk ofron një jetë të dinitetshme.

“Gjenerata e prindërve tanë u përball me çështjet e mbijetesës, por unë s’pajtohem vetëm me mbijetesën – unë dua të jetoj, jo thjesht të mbijetoj”, ka thënë ajo.

Ngjarja paraprake

“Nuk kishim të dhëna”, Manastirliu: Pse ndërroi qeveria mendje për vaksinat ruse e kineze

Ngjarja e ardhëshme

Kryediplomati iranian do të udhëtojë për vizitë pune në Turqi

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian