Më 13 shtator të vitit të kaluar organet e rendit parandaluan futjen e një sasie droge, kryesisht mariuhanë e pilula të dyshuar si ekstazi. Ato ishin duke hyrë në burgun e Dubravës.
Këto lëndë ishin futur në kamionin e “Hajdini Comerc”, kompani kjo e cila në vitin 2018 u angazhua nga Shërbimi Korrektues i Kosovës në tenderin “Furnizim me mallra ushqimore për te burgosur – kantinë”.
Kamionin prej mbi 200 pilulash të dyshuara si ekstazi, do ta voziste shoferi Haxhi Topalli i cili ishte arrestuar nga policia dhe po mbahej në burg.
Përmes videos së publikuar, zbulohej se personi i cili futi piluat në kamion nuk ishte Topalli.
Kjo video ishte publikuar edhe nga policia e Kosovës një muaj pas raportimit të Insajderit me kërkesën për ndihmë nga qytetarët për identifikimin e personit që shihej në video.
Media ka kontaktuar me zëdhënësin e Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi dhe i njëjti ka konfirmuar se personi në video është identifikuar.
Nikçi tha se ai gjendet tashmë në paraburgim për një tjetër vepër penale.
“Po mund ta konfirmojmë se pas një pune intenzive është arritur te identifikohet para disa ditësh i dyshuari nga Policia e Kosovës. I njëjti gjendet nen masën e paraburgimit për një vepër tjetër penale”, tha ai.
Zëdhënësi i prokurorisë shtoi se prokurori i shtetit është duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për procesin penal që zhvillohet ndaj tij nga Prokuroria Themelore e Pejës.