Dritëroi për Nikolla Zoraqin: Një aristokrat në sjellje dhe kërkues i pamëshirshëm. E bija publikon shënimet e shkrimtarit për kompozitorin

“O njerëz, përse nuk punojmë, përse nuk japim vepra, se ato do të na vlerësojnë me gjakftohtësinë e viteve, kur kockat do të na jenë tretur e bashkuar me dheun e kuq të Tiranës!”.

Kështu mendonte Dritëro Agolli, teksa shihte pikat e shiut që u binin xhamave dhe në mendje i vinte muzika e Nikolla Zoraqit – sa “kërkues i pamëshirshëm”, aq edhe i urtë, një aristokrat i heshtur.

Ndër kujtimet që herë pas here publikon Elona, e bija e shkrimtarit Dritëro Agolli, ishte edhe ky shënim dedikuar kompozitorit Nikolla Zoraqi, në shtëpinë e të cilit ai shkonte shpesh me Sadijen për të biseduar mbi gjithçka, teksa gjerbnin një gotë raki apo përpara një pjate me trahana.

Kujtime që ia sillnin në mendje pikat e shiut dhe muzika e operës “Trovatre”, që luhej në mbrëmjen kur mbylli sytë Nikolla Zoraqi, mes shumë shqetësimesh dhe mbylljes në vetvete. Ç’mendonte Dritëro Agolli për një nga kompozitorët më të ndjerë shqiptarë?

REKUIEM PËR NIKOLLA ZORAQIN

Unë kam punuar bashkë me Nikollën për libretin e operës “Komisari” dhe libretin e baletit “Shota dhe Azem Galica”. Kam hequr të zitë e ullirit! Ishte kërkues i pamëshirshëm: “Kjo më duket e pjekur, kjo e papjekur”. Ecnim natën në bregdetin e Ujit të Ftohtë të Vlorës. Kur punonim bashkë, shikonte valët e detit, heshtte për një çast dhe thoshte: “Sa bukur e bën artin ky deti”!

Deti i përjetshëm thur valë. Milionave gjenerata njerëzish nuk u ka mbetur as pluhuri. Ka dhe plot që jetojnë. Ndër ta është edhe Nikolla Zoraqi. Është vala e pavdekshme e muzikës së tij, që me tingujt e saj përpiqet t’i bëjë njerëzit më të mirë dhe më fisnikë. Më 9 nëntor 1991, kur varrosëm Nikollën, kujtuam dhe miqtë e shokët e tjerë artistë që kishin vdekur dhe ishin varrosur pranë njëritjetrit në parcelën e veçantë.

Dhe nuk ishin pak, Jakov Xoxa e Fatmir Gjata, Endri Keko e Vehbi Bala, Guri Madhi e Foto Stamo, Simon Gjoni e Nikolla Zoraqi… Dhe ndërsa zihemi, shahemi e betohemi, duke rrahur gjoksin për dashurinë që kemi për dheun shqiptar e mirëqenien e këtij vendi, mua më vjen të bërtas: “O njerëz përse nuk punojmë, përse nuk japim vepra, se ato do të na vlerësojnë me gjakftohtësinë e viteve, kur kockat do të na jenë tretur e bashkuar me dheun e kuq të Tiranës!”.

** Sa herë bie shi, më kujtohet Nikolla Zoraqi, përjetoj me të dhe në veshë më tingëllojnë tingujt e pianos së tij. Pikat e shiut, era që fryn dhe hyn nëpër të çarat e dritareve, perdet që tunden, më kthehen në mënyrë të pavetëdijshme në muzikë pianoje dhe në mijëra balerina të vogla që më vallëzojnë përpara syve.

Ndofta, kjo më ndodh ngaqë shpeshherë, kur binte shi, shkonim së bashku me gruan të kalonim mbrëmjet te Nikolla. E dinim se ndodhej në shtëpi dhe do të na priste, duke thërritur me atë zërin e tij karakteristik: “O, ju prisja! Sonte bie shi i bukur”.

Dilte nga studioja e punës, i linte të heshtnin tingujt e pianos dhe uleshim në minderin e ngushtë të kuzhinës së vogël dhe bisedonim për probleme nga më të ndryshmet. Gruaja e tij, këngëtarja Gjenovefa Heba, ndërkohë përgatiste trahananë, që e shijonim me një kënaqësi të veçantë së bashku me dy fëmijët e tij, Teutën dhe Enkelin. E shoqëronim trahananë dhe me nga një gotë raki. Nikolla nuk pinte shumë. Ishte si aristokrat në ngrënie, në pije, në sjellje dhe në veshje. Ishte shumë qibar. Nuk dinte të shante, apo të merrte nëpër gojë asnjeri, pa le më të fyente.

Si natyrë e mbyllur, edhe vuajtjet apo shqetësimet që mund të kishte i shpërthente duke luajtur me forcë në tastierën e pianos, ose në shëtitjet e gjata që bënte vetëm, ose me ndonjë mik. Pikat e shiut këndonin e fishkëllenin në dritare; ktheheshin në balerina të qeta e në balerina të çakërdisura, ndërsa Nikolla ngrihej e luante mbi tastierën e pianos. Nga ato mbrëmje te Nikolla, nga përjetimet me të, kam shkruar poezinë “Ëndërr”.

Humbën këto mbrëmje të bukura dhe njerëzore. Mbetën pas në kujtimet tona ato mbrëmje me ngrohtësinë e sobës dhe avullin e trahanasë, me euforinë që na krijonte rakia e Skraparit; na filluan halle nga më të ndryshmet, u rritën fëmijët dhe hallet e tyre, por Nikolla i pat shumë më të vështira se ne: iu sëmur Teuta, vajza e tij.

U mbyll shumë në vetvete. Shëtiste në vende e bulevarde më të qeta, pa shumë lëvizje. Këto vitet e fundit, në koncertet e majit apo në veprimtaritë e tjera, muzika e tij po ndjehej më pak. Atë mbrëmje që Nikolla mbylli sytë, në Teatrin e Operës dhe Baletit shfaqej premiera e operës së Xh. Verdit “Trovatore”.

Në rrugët e sheshet e Tiranës shiu dhe era luanin një muzikë madhështore, duke pastruar thashethemet e gazetave, duke i vënë njerëzit në mendime për të nesërmen e tyre dhe të fëmijëve të shpërndarë kudo në botë. Ndërsa Nikolla mendonte për gruan dhe dy fëmijët që i kishin shkuar në Greqi.

Kraharori i ishte mbushur me muzikën e “Trovatore”-s, zemra i ishte mbushur me shpresë se e bija mund të kurohej, se e ardhmja mund të ishte më e mirë dhe se ai do të ulej përsëri mbi tastierën e pianos dhe do të na jepte vepra të tjera. Por, siç duket, ritmi i zemrës nuk mbajti më ekuilibrin e gjithë atyre shqetësimeve, e gjithë atyre tingujve muzikorë që kishte akumuluar në gjithë këto vite heshtjeje dhe pushoi. Pushoi, duke marrë me vete projektet e veprave të ardhshme…”.

BURIMI: www.arsalbanica.mk

Ngjarja paraprake

Lëndohet Mërgim Berisha, humbet ndeshjen ndaj Admira

Ngjarja e ardhëshme

Prizren: Policia kryen aksion për zbatimin e masave anti-pandemi

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian