Doka: Kombëtarja, ëndërr e realizuar

Një futbollist i lindur hedh hapat e para duke goditur një top, me kalimin e viteve nisin e kultivohen dy ëndrra të mëdha, të luash me kombëtaren dhe të fitosh Kupën e Botës si ikonat që sheh ne televizor, Pele, Maradona, Matheus, Zidane.

Për një shqiptar Kupa e Botës do të mbetet gjithnjë “ëndrra e një të marri”, por të luash me ngjyrat kuqezi është e vështirë, kërkon orë pa fund stërvitje, vuajtje e gjak. Megjithatë kur ia del është emocionuese, është vërtetë një ëndërr e realizuar dhe kësaj here ai që sheh me krenari emrin për herë të parë në listën e kombëtares është Albi Doka.

Kampioni i Shqipërisë me Tiranën, pas vetëm 2 muajsh tek Gorica në Kroaci ka marrë ftesën e trajnerit Reja dhe në një intervistë për gazetarin Glend Tafaj në Supersport, ai rrëfen ndjesinë unike që po përjeton.

“Jam jashtëzakonisht shumë i lumtur sepse është një ëndërr e bërë realitet. Si çdo fëmijë e kam pasur ëndërr që një ditë ta vesh fanellën e kombëtares dhe e arrita këtë ditë. Unë jam gati të vij dhe të bëj më të mirën, luaj apo jo, e ka në dorë trajneri”, tha Doka.

Aventura e re tek Gorica ka nisur mjaft mirë dhe 23-vjeçari është aktivizuar në 6 ndeshje duke shënuar një gol dhe dhuruar një asist. Ambientimi i mbrojtësit të djathtë ka qenë më i shpejtë sesa parashikohej dhe Kroacia mund të jetë një trampolinë për të shkuar edhe më lart.

“Kam dy muaj në Kroaci dhe jam ambientuar shumë shpejt. Shokët e skuadrës dhe trajneri më kanë pritur shumë mirë, shpresoj të vazhdoj me paraqitjet pozitive. Plani im është të bëj sa më mirë me ekipin dhe pse jo të transferohem në një kampionat më të fortë”, tha mbrojtësi kryeqytetas.

Kudo që të luajë në karrierë, Tirana do të mbetet gjithnjë skuadra e zemrës për Albi Dokën, i cili pavarësisht eliminimit ndaj Young Boys është i sigurt që një ditë bardheblutë do të jenë në grupet e Europa Leagues

“Tirana është dhe gjithmonë do jetë në zemrën time. Përsa i përket eliminimit në Europa League, mendoj se ishte një kundërshtar shumë i fortë përballë dhe fati nuk donte që Tirana të ishte në grupe, megjithatë jam i sigurt që bardheblutë do jenë një ditë në grupet e Europa Leagues”, tha Doka.

A e kanë mundësinë lojtarët e rinj ta Tiranës të luajnë në ligën kroate?!Ish mbrojtësi i bardhebluve ka një bindje të palëkundur në lidhje me këtë diskutim.

“Të gjithë lojtarët e rinj të Tiranës e kanë cilësinë për të luajtur në një kampionat më të fortë se ai shqiptar”, shprehet Doka.

Ngjarja paraprake

Ramosaj: Familja e Rrustem Gecaj dhuroi 10 mijë euro për Adisa Cacaj

Ngjarja e ardhëshme

852 gjoba për mosmbajtjen e maskës në 24 orët e fundit

të fundit nga