Nga Dogana e Kosovës njoftojnë se kanë arritur një sukses historik duke mbledhur mbi 1 miliard euro të hyra.
Me anë të një komunikate për media bëhet e ditur se kjo arritje përfaqëson një pikë të rëndësishme për institucionin dhe për ekonominë e vendit tonë, duke reflektuar përpjekjet e vazhdueshme për të përmirësuar proceset dhe për të rritur efikasitetin e shërbimeve tona.
Tutje theksohet se që nga themelimi i doganës e deri tani, kjo është hera e parë që me datën 1 gusht arrihet kjo shumë.
Ky rekord i ri është rezultat i një kombinimi faktorësh, duke përfshirë:
Përmirësimin e procedurave Doganore: Implementimi i sistemeve të reja dhe teknologjive për të thjeshtuar dhe shpejtuar proceset doganore ka luajtur një rol kyç në arritjen e këtij suksesi.
Lufta kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal: Masat e intensifikuara dhe bashkëpunimi me agjencitë tjera të zbatimit të ligjit kanë kontribuar në uljen e kontrabandës dhe evazionit fiskal, duke rritur të hyrat.
Transparenca dhe edukimi publik: Rritja e ndërgjegjësimit publik dhe edukimi i qytetarëve dhe bizneseve për rëndësinë e përputhshmërisë me ligjet doganore ka rezultuar në një përputhshmëri më të lartë dhe, rrjedhimisht, në të hyra më të larta, thuhet tutje në njoftimin për shtyp nga ky institucion.
Drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, shprehu mirënjohjen për stafin e doganës dhe për partnerët strategjikë që kanë ndihmuar në arritjen e këtij suksesi.
“Ky është një moment i rëndësishëm për Doganën e Kosovës dhe për të gjithë qytetarët e vendit tonë. Mbledhja e 1 miliard eurove të hyra është dëshmi e punës së palodhshme, përkushtimit dhe profesionalizmit të Doganës së Kosovës”, shtoi Llugaliu.