“Djegia e kufomave të muslimanëve të vdekur nga COVID-19 në Sri Lankë është vendim politik”

HASAN ESEN – BİLAL ACAR

Sekretari i Përgjithshëm themelues i Këshillit Musliman të Britanisë, platforma më e madhe muslimane e shoqërisë civile në Britaninë e Madhe, Iqbal Sacranie, theksoi se vendimi për djegien e kufomave të muslimanëve të vdekur nga koronavirusi i ri (COVID-19) është plotësisht vendim politik.

Sacranie në një prononcim për Anadolu Agency (AA) foli rreth djegies së kufomave të muslimanëve në Sri Lankë që kanë humbur jetën nga COVID-19 ose dyshohet se ka vdekur nga virusi.

Ai tha se situata në Sri Lankë është tejet serioze, duke theksuar se pas vendimit të marrë në mars të vitit të kaluar 103 kufoma, përfshirë edhe të një foshnje 20-ditëshe nuk i është dhënë familjeve të tyre por janë djegur.

Duke tërhequr vëmendjen se vendimi për djegien e kufomave të të gjithë atyre që kanë vdekur nga COVID-19 është në kundërshtim me besimet e muslimanëve, krishterëve dhe hebrenjëve, Sacranie tha se “Në asnjë vend të botës nuk u mor një vendim i tillë. Sri Lanka është vendi i vetëm që imponon këtë dhe djegia e kufomave është e detyrueshme”.

Sacranie, një ndër liderët e shquar muslimanë të Britanisë, deklaroi se kjo është kundër të drejtave themelore të njeriut dhe konventave të Kombeve të Bashkuara, ndërsa shprehu se respektimi i fesë dhe ndjeshmërive fetare është thelbësore.

Ai rikujtoi se kërkesa e muslimanëve rreth çështjes u refuzua para 10 ditëve nga Gjykata e Lartë, duke e cilësuar këtë goditje e madhe ndaj pakicës muslimane.

“Muslimanët për arsye politike janë duke u ndëshkuar kolektivisht”

Sacranie kujtoi se pretendimi i qeverisë së Sri Lankës se kufomat e atyre që vdesin nga COVID-19 mund të ndërhyjnë në ujërat nëntokësore nuk ka ndonjë bazë shkencore dhe se Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë një deklaratë në këtë drejtim.

“Plotësisht një hap politik. Muslimanët për arsye politike janë duke u ndëshkuar kolektivisht dhe kjo është e papranueshme”, thekoi Sacranie.

Si platformë, ai bën të ditur se, dëshirojnë të krijojnë një ndërgjegjësim në arenën ndërkombëtare. “Fatkeqësisht, bashkësia ndërkombëtare nuk është në dijeni të kësaj. Jemi në kontakt me krerë shtetërorë dhe qeveritarë si dhe ministra të jashtëm të mbi 20 vendeve. Ata të gjithë kanë filluar t’i bëjnë presion qeverisë së Sri Lankës se ajo që po bën është e padrejtë dhe e paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar”, u shpreh ai.

Sipas tij, edhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, u ka shprehur mbështetje, duke shpresuar se Erdoğan do të bisedojë me homologun e tij rreth ndalimit të kësaj.

“Nuk duam që të krijohet një precedent i tillë i rrezikshëm”

Sacranie më tej duke theksuar se shumë vende përfshirë edhe Britaninë i mbështesin ato, theksoi se:

“Përfundimi i zbatimit është vetëm çështje kohe. Sensi i përbashkët do të mbizotërojë. Nuk duam një precedent kaq të rrezikshëm të vendosur nga Sri Lanka. Veprime të ngjashme mund të ndërmerren në vende të tjera për arsye islamofobe”.

“Provokon Islamofobinë dhe urrejtjen ndaj një komuniteti”

Lideri musliman gjithashtu duke tërhequr vëmendjen se disa zyrtarë të lartë nga qeveria e Sri Lankës kanë bërë një “pretendim absurd” se virusi i marrë nga kufomat mund të përdoret si një armë biologjike, tha se një deklaratë e tillë provokon Islamofobinë dhe urrejtjen ndaj një komuniteti.

Ai shpresoi se mediat ndërkombëtare do të marrin parasysh çështjen që shkaktoi shqetësim resioz.

Shumica e popullsisë së Sri Lankës përbëhet nga budistët, ndërsa 9 për qind janë muslimanët dhe 7 për qind krishterët. Në vend deri më tani janë diagnostikuar mbi 40.000 raste me COVID-19, ndërsa kanë vdekur 208 nga virusi.

Organizatat e të drejtave të njeriut thonë se politika e djegies së trupave është pjesë e sulmit të vazhdueshëm ndaj komunitetit musliman të vendit nga qeveria me shumicë budiste e udhëhequr nga presidenti, Gotabaya Rajapaksa.

Rajapaksa mori detyrën në një mjedis anti-musliman që pasoi sulmet ndaj kishave dhe hoteleve luksoze në prill të vitit 2019.



. .

Ngjarja paraprake

Pesë mënyra për të krijuar një deodorant në kushte shtëpie

Ngjarja e ardhëshme

Sanksionohen 210 vozitës në Shkup, 78 prej tyre për tejkalim të shpejtësisë

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian