Distancimi nga Enver Hoxha dhe komunizmi

Sot bota e internetit shqiptar është e tejmbushur me fotot e Enver Hoxhës, më saktë me statujën e tij tek rrëzohet në shkurtin e vitit 1991. Kjo me pretendimin se rrëzuam komunizmin. Por, vërtetë e rrëzuam ne komunizmin? Nuk e besoj… Le t’i sqarojmë përciptas, jo me themel disa pretendime. Për më tepër që sipas paraqitjes virtuale duket sikur i kemi sheshuar të gjitha dhe po ndërtojmë realisht shtetin ligjor a demokracinë perëndimore.

1) Nëse ne si shoqëri do ishim distancuar nga komunizmi, Edi Rama nuk do ishte sot kryeministër i Shqipërisë. Jo vetëm për firmën e të atit mbi një dekret ekzekutimi të një poeti në gushtin e vitit 1988, por së fundi edhe vrasjen e votës së lirë në forumet e partisë, në zgjedhjet e lira të një vendi. Deri tek mos dhënia e dorëheqjes pas djegies së mandatave të opozitës, ndryshimet kushtetuese etj. Por po qëndroj vetëm tek dënimi me vdekje i votës kolegjiale në forumet e partisë. Përfundimisht, modeli i Edi Ramës është unikal, pasi gjithçka ndodh, ka vulën e tij. Sot në partinë socialiste karriera fillon dhe mbaron pas emërimit dhe jo votës së forumeve. Shkurt kjo ndodhte edhe me aktivitetin politik të Enver Hoxhës.

2) Nëse ne si shoqëri do ishim distancuar nga komunizmi, Lulzim Basha nuk do ishte kryetari i partisë demokratike. Por ai është? Madje paturpësisht ka dalë publikisht duke mbledhur firma në bulevard me preteksin për dekomunistizimin tonë. Kërkon firma por nuk pranon votën. Këtë bënte edhe Enver Hoxha. I gjithë aksioni politik i tij nuk është për të ndihmuar çarjen e madhe të së djathtës, por për bythën e tij. Ashtu si Enveri që përjashtonte me urdhër të Jugosllavisë, Bashkimit Sovjetik, Kinës etj. Kështu edhe ky me urdhër të Amerikës. Shkurt, demokraci, distancim nga komunizmi, është proçesi i votimit, gara. Kush nuk njeh garën dhe njeh padronët e mësipërm, nuk është distancuar nga komunizmi. Përkundrazi është një mëtues i kultit të individit. Ata që e përkrahin dhe pretendojnë se po bëjnë demokraci, ta dinë mirë, po bëjnë një shkërdhatokraci.

3) Nëse ne si shoqëri do ishim distancuar nga komunizmi, Sali Berisha nuk do ishte sot akoma në politikë. Por në pension, madje edhe pa damkën non grata. Bën mirë që sot është rikthyer, fal Amerikës. Ashtu siç bën gabimin më të madh kur thotë që, nuk e bëj për vete këtë luftë politike, por për vendin, demokracinë etj. Jo, ore jo për vete bëje. Se ne shqiptarët themi se dy duart për një kokë janë. Ne respektojmë njeriun që lufton për familjen. Për veten bëje se vetja jote është historia e demokratëve. Dhe demokratët janë për votën kolegjiale, primaret, forumet. Jo për unin e kultit të individit që sot ka krijuar një humnerë mes shqiptarëve dhe liderëve. Askush nga liderët e dalë në pension, nuk lëviz me biçikletë por me makina luksi, me shoferë dhe ka vila në bregdet. Ishim banorë të apartamentesh, gatuamin me furnela vajguri.

4) Nëse ne si shoqëri do ishim distancuar nga komunizmi, Ilir Meta nuk do të ishte sot president i Shqipërisë, por një një qytetar i thjeshtë. Mbase një Lsi-ist, deputet, por jo president nëse nuk do kishin qënë në mes kulisat mes Edi Ramës dhe lali Erit. Ndofta edhe në burg për shkak të videos së Fiks fare, a strategjisë së Ramës etj., që prodhoi viktimat e 21 janarit 2011. Për të cilët Edi Rama nuk mori asnjë përgjegjësi personale politike. As ne nuk ia dhamë, vetëm se atdheut iu shtuan ca dëshmorë më shumë, sigurisht të rremë si ata që shtonte Enver Hoxha, për të arritur tek shifra 28 mijë.

5) Nëse ne do ishim distancuar nga komunizmi, sot edhe të përndjekurit do kishin si mision viktimat e komunizmit, por jo nuk e kanë. Kanë disa shoqata që çuditërisht i gjen në aleanca politike, jo në mision e duhur. Kanë një dashuri të dukshmeme xhelatin, me gardianin, aq sa kanë barazuar unin me unin e atyre që thoshin dikur se ne ishim ata që luftuam, ne e bëm luftën.

6) Nëse ne do ishim distancuar nga komunizmi, sot një persekutor do i kishte kërkuar falje publike vëllait që e burgosi, e internoi, e pushkatoi. Por ai nuk e bën, madje mburret me dekoratat dhe thotë plot krenari boshe, se, ashtu ishte koha, ashtu ishte ligji. Andaj nuk jemi distancuar akoma, përkundrazi, e kemi bërë modelin e tij, Enver e komunizëm, në relike modelesh që po na sundojnë.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Kriza në Ukrainë: Macron dhe Putin bien dakord të ‘intensifikojnë përpjekjet diplomatike’, thotë Kremlini

Story i radhës

Aksion i MPB-së në Manastir, kapet drogë dhe disa shkelje të tjera

Të fundit nga