Dëshmitari thotë se s’kishte të drejtë t’ia japë të akuzuarit CD-në me informata për hyrje-daljet në numrin e bashkëshortes së tij

 Dëshmitari Rrahim Muja, gjatë dhënies së dëshmisë së tij tha se nuk kishte të drejtë që të akuzuarit Dukagjin Emarllahu të ia japë CD-në me informata për hyrjet e daljet të numrit të bashkëshortes së tij V.Z, në rastin ku ai po akuzohet për ushtrim ndikimi.

Emarllahu po akuzohet se duke u paraqitur si biznesmen, kishte kërkuar nga dy zyrtarë policorë që t’ia vënin në dispozicion hyrjet dhe daljet dhe mesazhet telefonike të numrit që ishte në shfrytëzim të bashkëshortes së tij, V.Z, duke u premtuar të njëjtëve punësim për familjarët e tyre.

Ai gjithashtu po akuzohet se pas kontrollit nga policia, në banesën e tij i është gjetur dhe konfiskuar arma pa leje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Një deklarim të tillë dëshmitari Muja e tha gjatë dhënies së dëshmisë së tij duke u përgjigjur në pyetjet e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Ngadhnjim Arrni.

Tutje i pyetur nga gjykatësi Arrni, dëshmitari Muja tha se nuk kishin të drejtë që atë CD, as ta merrnin në vete në takimin me të akuzuarin Emarllahu dhe se ishte në dijeni që nuk kishin të drejtë që atë CD t’a jepnin të njëjtit.

Dëshmitari Muja po ashtu tha se kishte qenë gabimi i tij që ia kishte dhënë të njëjtit atë CD, dhe se për këtë gjë ishte akuzuar dhe dënuar.

Fillimisht i pyetur nga gjykatësi Arrni, i njëjti tha se me të akuzuarin Emarllahu ishin takuar për të biseduar lidhur me rastin e grabitjes në të cilin rast i njëjti ishte i dëmtuar, duke shtuar që me të njëjtin ishin takuar në kafene për shkak se të njëjtin e kishin konsideruar si informator.

Paraprakisht në pyetjet e prokurores Dulina Hamiti i njëjti tha se të akuzuarin Emarllahu e ka njohur  përmes kolegut të tij Florim Krasniqit, për shkak se i njëjti ia kishte dhënë kolegut të tij një numër për të verifikuar për rast të grabitjes që i kishte ndodhur ku i akuzuari ishte i dëmtuar.

Dëshmitari Muja tha se në vitin 2014 kishte punuar në stacionin policor në Drenas në njësitin e hetimeve si polic hetues së bashku me Florim Krasniqin dhe se me të akuzuarin Emarllahu ishin takuar në një kafene në Prishtinë për të biseduar lidhur me çështjen lartcekur të grabitjes.

Sipas dëshmitarit Muja, numrin për verifikim e kishte siguruar kolegu i tij Florimi, dhe se ai nuk e kishte ditur se numri i kujt ishte por që më vonë e kishte kuptuar që numri i përkiste  bashkëshortes e të akuzuarit Emarllahu.

I njëjti po ashtu tha se kishin bërë kërkesë në gjykatë që të lëshohet urdhër për verifikimin e atij numrit, përkatësisht  hyrjet e daljet e tij, dhe e njëjta ishte lëshuar, të dhënat ishin siguruar dhe të njëjtat i ishin dorëzuar të akuzuarit Emarllahut.

I pyetur nga prokuroja Hamiti i njëjti tha se kishin kontaktuar dhe ishin takuar ai me kolegun e tij Florimin dhe me të akuzuarin Emarllahu në cilësi të palës së dëmtuar për rastin e grabitjes që të bisedonin nëse përputheshin numrat me dyshimet që kishin.

Tutje dëshmitari Muja tha se me këtë veprim që kishte bërë kishte humbur vendin e punës dhe se nuk e dinte se si e kishte bërë një gabim të tillë dhe se sipas tij qëllimi i tij i vetëm kishte qenë që të zbulonin rastin e grabitjes.

Ndërsa në pyetjet e mbrojtësit të akuzuarit Emarllahu, avokatit Afrim Salihu, dëshmitari Muja tha se i akuzuari Emarllahu nuk i kishte dhënë asnjë premtim por qëllimi i tyre kishte qenë zbulimi i rastit.

Në pyetjet e anëtares së trupit gjykues, gjykatëses Medie Bytyqi, dëshmitari Muja tha atë numër ia kishte dhënë kolegu i tij Florimi dhe që i kishte thënë se ai numër lidhej me grabitjen që kishte ndodhur  me qëllimin se ai numër do ju ndihmonte në lidhje me zbulimin e të njëjtës.Në pyetjet e anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Agimi Kuçit, dëshmitari Muja tha se me kolegun e tij kishin qenë në pozitën e njëjtë të punës, duke shtuar se me të akuzuarin Emarllahu ishin takuar në kafene për shkak se ai ka qenë i Prishtinës dhe aty kishin lënë takim.

Propozimin e provave personale të prokurores Hamiti për dëgjimin e dëshmitarëve Florim Krasniqi dhe bashkëshorten e të akuzuarit Emarllahu, V.Z,  e aprovoi gjykatësi Arrni, edhe pse për dëgjimin e dëshmitares V.Z mbrojtja kishte kundërshtim.

Ndërsa për dëshmitarin  Krasniqi gjykatësi Arrni tha se gjykata do të lëshojë urdhëresë për verifikim adrese dhe dorëzim të ftesës që ta siguroj të njëjtin për seancën e radhës, ndërsa për dëshmitaren V.Z do ta sigurojë mbrojtja pasi që ishte bashkëshortja e të akuzuarit.

Pasi që nuk kishte kushte për vazhdimin e seancës e njëjta u ndërpre ndërsa e radhës pritet të mbahet më 7 korrik 2023.

Edhe seanca e 20 shkurtit 2023, ishte shtyrë në mungesë të të akuzuarit Emarllahu. Kurse, seanca e 16 janarit ishte shtyrë në mungesë të prokurores Dulina Hamiti.

Ndryshe, ky rast më parë gjykohej nga gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, ndërsa tani kryetar i trupit gjykues është gjykatësi Ngadhnjim Arrni.

Në këtë rast, të akuzuar për zbulim të fshehtësisë zyrtare kanë qenë edhe dy zyrtarët policorë Rrahim Muja dhe Florim Krasniqi, por që për shkaqe të efikasitetit të lëndës ishte veçuar procedura, me ç ‘rast zyrtarët policorë janë gjykuar ndaras nga i akuzuari Dukagjin Emarllahu.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 4 korrik 2018, dy zyrtarët policorë i kishte dënuar me nga 6 muaj burgim, i cili dënim me pëlqimin e tyre u është zëvendësuar me gjobë në shumën prej 3 mijë e 600 euro, për secilin nga ta.

Paraprakisht, më 22 nëntor 2017, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte marrë aktvendim me të cilin procedurës ndaj dy zyrtarëve policorë, i ishte bashkuar edhe Dukagjin Emarllahu me arsyetimin se provat ishin të përbashkëta.

Këtë kërkesë për bashkim të procedurës, e kishte bërë prokurorja e rastit, Dulina Hamiti, në seancën e 18 tetorit 2017, pasi sipas saj, Emarllahut, i cili edhe përmendet edhe në aktakuzën e Rrahim Mujës dhe Florim Krasniqit, i është ngritur një tjetër aktakuzë për armëmbajtje pa leje dhe ushtrim ndikimi.

Hamiti, kishte thënë se kjo lëndë lidhet me çështjen, meqenëse ka të bëjë me prova të përbashkëta dhe një gjë të tillë, ka thënë se e ka kuptuar pas ngritjes së aktakuzës ndaj Emarllahut.

Por, përsëri kjo procedurë për shkak të efikasitetit të lëndës sërish është veçuar, ku dy zyrtarët policorë janë gjykuar ndaras nga i akuzuari tjetër, Dukagjin Emarllahu.

Dukagjin Emarllahu akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për veprat penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Ushtrim i ndikimit”.

Sipas prokurorisë, Emarllahu në janar të viti 2014 ishte takuar me dy zyrtarë policorë, Florim Krasniqi dhe Rrahim Muja, ku ishte prezantuar si biznesmen. Nga të njëjtit kishte kërkuar që numrin telefonik të bashkëshortes së tij, ta vendosin nën masat e fshehta, si dhe kishte kërkuar që të gjitha hyrje-daljet e sms-ve t’ia dorëzojnë përmes një CD-je. E të gjitha këto favore i kishte kërkuar, duke iu premtuar policëve Krasniqi dhe Muja, punësim për familjarët e tyre.

Ndërkaq, plot gjashtë muaj pas takimit dhe ushtrimit të ndikimit te zyrtarët policorë, pas një kontrolli të policisë në banesën e Emarllahut, ishte gjetur një revole e tipi “Beretta”, së bashku me një karikator dhe 14 fishekë, të cilat dhe ishin konfiskuar nga ana e policisë. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Story i mëparshëm

Xhaçka në OKB: Interneti dhe teknologjia s’duhet të përdoren si armë

Story i radhës

Pse njerëzit mendojnë se postimi i fundit i Bled Manes me Bora Zemanin ishte (edhe) ironi për Kiara Titon?

Të fundit nga