Dervishi: Ajo çfarë ka ndodhur në Kosovë prej përfundimit të luftës e tutje, thjesht një mrekulli

Analisti politik Lutfi Dervishi ka vlerësuar se Kosova ka arritur shumë në këto 14 vjet të shtetësisë së saj.

Madje, ai ka thënë se ajo çfarë ka ndodhur në Kosovë prej përfundimit të luftës e tutje është thjesht një mrekulli.

“Në retrospektivë Kosova ka arritur shumë gjatë këtyre 14 vjetëve. 14 vjet mund të jenë shumë për jetën e një njeriu por janë shumë pak për historinë e një shteti të ri siç është rasti i Kosovës. Rindërtimi në Kosovë, pas kthimit të njerëzve në vitin 1999, ka qenë i befasishëm, i shpejtë dhe një lloj mrekullie. Kosova sot është populli i dytë më i ri në botë, është shteti i ri. një vend i vogël me talente të mëdhenj në fushën e artit, kulturës dhe kinematografisë së fundi”.

“Kosova është një leksion demokracie për demokracitë e vjetra dhe të reja jo vetëm në rajon por edhe Evropë. Kosova është vend që s’druhet nga futja në zgjedhje dhe krizat politike i zgjidh përmes zgjedhjeve dhe madje me zgjedhje edhe bën revolucion, në kuptimin që nuk është se ndëshkon apo ndryshon qeveritë, por ndryshon edhe elitat politike. Kosova ka infrastrukturë për t’u admiruar në një kohë rekord, nga pikëpamja ekonomike ka borxhin më të vogël krahasuar me gjithë Evropën, kështu që ka shumë shpresa për optimizëm pavarësisht vështirësive të ditës apo gjërave që mund të bëhen më mirë. Kosova ka shumë për çka të krenohet në këto 14 vite të pavarësisë”.

Dervishi, tha se Kosova është vendi më i izoluar në Evropë, por për këtë e fajëson krejtësisht Bashkimin Evropian.

“Është problemi i Bashkimit Evropian dhe në një mënyrë është turp në ndërgjegjen e tyre. Ka vende jashtë kontinentit dhe që s’kanë lidhje as gjeografikisht dhe as nga pikëpamja e vlerave me vlerat e Unionit Evropian dhe e gëzojnë të drejtën e lirisë së lëvizjes. Për më tepër kjo njollë do të vijë të bëhet më e madhe, duke marrë parasysh se Kosova si askush tjetër i ka plotësuar me kohë kushtet teknike. Mbetet një vendim politik për t’u marrë dhe sa më shpejt të merret aq më mirë është jo thjesht për kosovarët që nuk mund të lëvizin, por edhe për ndërgjegjen e politikëbërësve dhe vendimmarrësve në vendet e BE-së, qoftë Franca apo Gjermania”.

Kur ka folur për kauzën e Bashkimit Kombëtar, Dervishi ka deklaruar se Kosova dhe Shqipëria janë larg kësaj pike.

Madje, ai thotë se bashkimi i dy vendeve relativisht të dobëta do të ishte më shumë pafuqi sesa fuqi.

“Mantra e politikës në Tiranë, por besoj edhe në Prishtinë, për shumë kohë ka qenë që bashkimi i shqiptarëve do të ndodhë në Bashkimin Evropian. Përtej sloganit patriotik, nëse ekonomitë e dy vendeve përparojnë dhe rregullat e shtetit të Shqipërisë dhe Kosovës njehsohen me rregullat e komunitetit evropian, atëherë bashkimi ndodh. Është e njëjta hapësirë ku lëvizin njerëzit, idetë, mallrat, kapitalet dhe shërbimet. Ne ende jemi larg kësaj dite dhe një bashkim i dy shteteve të dobëta dhe jo funksionale do të ishte rasti fatkeq ku bashkimi nuk bën fuqinë, por sjell dëmin. Jemi larg kësaj pike dhe të dy vendet kanë nevojë, sidomos Shqipëria në kuptimin e forcimit të institucioneve dhe respektimin e rregullave të lojës në demokraci, ka shumë për të bërë dhe pastaj është hap tjetër. Hapi tjetër është i sheshimit të pengesave që kemi, jo në kuptimin e gjuhës, komunikimit, apo retorikës por në kuptimin e biznesit që duhet të jetë instrument që të lehtësojë lëvizjen dhe jo ta pengojë. Për këtë më shumë duhet punuar dhe menduar sesa folur”.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Lubonja nxjerr detajet e forta: Ky politikan i njohur ka marrë mijëra euro për arbitrazh

Story i radhës

Bëni maskë nga banania

Të fundit nga