Në një kohë kur çmimet e produkteve bazë po vazhdojnë të rriten, qytetarët ankohen se po përballen me vështirësi të mëdha.
Ata thonë se rritja e çmimeve është e papërballueshme duke pasur parasysh të ardhurat aktuale.
Njëri prej qytetarëve thotë se me të ardhurat e tij nuk mund të mbushet as gjysma e shportës me produkte esenciale.
Emin Beholli, qytetar, thotë se çmimet janë shumë të larta dhe të papërballueshme.
Ai thekson se me pensionin prej 120 eurosh këto çmime janë të papërballueshme dhe se mund të shkosh vetëm deri në “gjysmë të marketit”.
Beholli: Çmimet janë të papërballueshme
“Për nder janë të forta, të mëdha janë, të papërballueshme, me do pensione qysh i ka ky milet, të lodhëta nuk mundet, pensioni i pleqërisë që është 120 euro, me atë as deri në gjysmë të marketit nuk mund të hyj. Kur shkon aty te perimet, duhet kthyer, se tjetër nuk mund të blesh ma shumë, janë shtrenjtë”, tha ai.
Fehmi Dragusha thotë se rritja e çmimeve në Kosovë ka marrë hov të pazakontë. Ai veçon produktet ushqimore si më goditëset për xhepin e qytetarëve, veçanërisht për pensionistët.
Dragusha: Ngritja e çmimeve ka marrë hov të pazakontë në Kosovë
“Ngritja e çmimeve ka marrë një hovë të pazakontë sidomos në Kosovë, por megjithëse është një ngritje e çmimeve edhe në rajon e në Evropë, por këtu te ne si po duket po shkon jashtë mase. Produktet ushqimore megjithatë se ato janë të përditshme edhe konsumatori e vëren xhepin në blerjen e produkteve ushqimore më së shumti. Për ndryshe me këto gjërat tjerat mund të orientohet edhe në çmime të lira edhe në të shtrenjta. Assesi sidomos pensionistët, shembull, pensionistët si para katër vjetëve, me pensionin e 90 eurove e ka blerë bukën 30 centë, tash e blen 60 centë, po flitet se do të bëhet 80 centë. Kjo është e papërballueshme”, potencoi Dragusha.
Arbnon Cana thotë se rritja e çmimit të rrymës ndikon në gjithë zinxhirin e prodhimit, ndërkohë që të ardhurat mbeten të pandryshuara.
Cana: Tash ka frikë të hysh në markete shkaku i çmimeve
“Çmimet janë të papërballueshme për shumicën e popullatës. Tash ka frikë të hysh nëpër markete, çdo ditë ke çmime të reja. Çdo ditë nuk po flasim për 10%, por po flasim 20% plus për secilin artikull të domosdoshëm jetësor, jo të luksit, por të domosdoshme jetësore e kësi ushqimore buka tash prej 50 në 60, ajo është 20 për qind. Çmimet janë, rryma plus, me rrymë çdo çmim rritet, edhe prodhimi varet prej rrymës, është ai zinxhiri prodhues, secili send e rrit blerjen e kostos, edhe secili, rrogat nuk mjaftojnë, nuk e di, nuk kam koment”, tha ai.
Kujtojmë, nga 1 maji i këtij viti është shtrenjtuar energjia elektrike prej 16.1 për qind, pas së cilës ka ardhur edhe deri te shtrenjtimi i produkteve esenciale, sikurse buka, e cila në disa furra shitet me çmim prej 80 centëve.
Zyra e Rregullatorit Energjetik ka paralajmëruar se nuk do të ketë kthim sa i përket vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike, përkundër thirrjeve dhe kundërshtimeve të shumta.
Burimi: botasot.info