Nga data 14 deri më 18 Mars një delegacion shqiptar i përbërë nga 15 startupe, scaleupe dhe aktorë të ekosistemit, vizituan kryeqytetin Sllovak të Bratislavës, një udhëtim 5-ditor për tu njohur nga afër me një ekosistem Evropian inovacioni.
Themeluar në kuadër të akseleratorit të startupeve Uplift Western Balkans nga një bashkëpunim i ngushtë mes SOVVA, ICTSmedia dhe me mbështetjen financiare të SlovakAid, Bridge2EU është një program ndërtuar posaçërisht për kompanitë teknologjike, startupet dhe scaleupet shqiptare të cilat kanë shansin të eksplorojnë një ekosistem Evropian.
ICTSlab, Baboon, RPay, Spyvio, Udhë, TePema, ArchiGames, Hoxton Academy, Akademi.al, Swipin, Wellness Plus, AITA, Bashkia Korçë, AlbaniaTech dhe Destil gjatë qëndrimit të tyre në Sllovaki u takuan me investitorë vendas dhe të huaj, me aktorë të ekosistemit Sllovak të startupeve, nga startupe në kompani teknologjike me shtrirje ndërkombëtare e deri në takime formale me Ministrin Sllovak të Punëve të Jashtme.
Delegacioni Shqiptar u mirëprit ditën e Hënë nga partnerët Sllovakë SOVVA dhe CIVITTA në hapësirat e qendrës inovative Base4Work ku u zhvilluan edhe pjesa më e madhe e aktiviteteve 5-ditore. Me një axhendë të ngjeshur dhe me një larmi takimesh nga investitorë tek aktorë ekosistemi dhe hapësira co-working, dita e parë filloi me një workshop udhëhequr nga Ben Gwillin.
Në ditën e dytë delegacioni Shqiptar u prit në zyrat qendrore të ESET, një kompani themeluar në Sllovaki 30 vite më parë dhe lider në sigurinë e informacionit dhe mbrojtjes nga viruset kompjuterikë. Tema e diskutimeve gjatë këtij takimi me Menaxherin e Komunikimit për Hulumtimet e Sigurisë dhe presidentin e Rajonit EMEA ishin mundësitë e investimit në Ballkanin Perëndimor.
Po të njëjtën ditë vazhduan takimet në fushën e sigurisë ku ekspertja ligjore Katarina Mihalikova ndau eksperiencën e saj lidhur me aspektin ligjor të startupeve në Bashkimin Evropian.
Gjatë takimit me investitorin e Neulogy Ventures Jaroslav Luptak u shpalos rëndësia e stimulimit të ekosistemit të startupeve dhe inovacionit përmes fondeve të kapitalit sipërmarrës (VC) ndërsa vizita në Campus City prezantoi delegacionin Shqiptar me 0100 Ventures dhe Zero Gravity Capital si dhe praktikat e tyre të operimit dhe investimit.
Bisedat me Michal Nespor, partner pranë Crowberry dhe Martin Basila bashkëthemelues i Sensoneo ishin një mundësi për startupet në kërkim të investimeve apo identifikimin e “përbërësit” sekret në jetën e një startupi. Mbështetja e komunitetit lokal për të sjellë risi në qytet patjetër ka rëndësinë e saj gjë kjo që u theksua dhe në vizitën e Petra Dzurovcinova përgjegjëse e Inovacionit në bashkinë e Bratislavës e cila tregoi më tepër mbi planet e institucionit bashkiak në përmirësimin e vazhdueshëm të komunitetit sipërmarrës.
Ditën e tretë e mbylli vizita në The Spot, një takim virtual me Marian Porvaznik, CEO dhe bashkëthemelues i Vacuum Grup. Biseda në hapësirat co-working të The Spot u përqendrua tek portofoli i kompanisë së Porvaznik shërbime që shtriheshin nga kompanitë në sektorin ligjor tek ai shëndetësor.
Michal Kardos nga Aleanca Sllovake për Ekonominë Inovative (SAIE) dhe Kristi Kurvits investitor VC nga Estonia theksuan rolin e sipërmarrjes në shoqëri e veçanërisht në inovacion. Thirrja e fortë e Kristit ishte përfshirja e gjerë e femrave në këtë industri.
Udhëtimi 5 ditor u përmbyll me një takim pranë Ambasadës Shqiptare në Sllovaki në takim me ambasadoren zj. Enkeleda Baduni dhe Ministrisë Sllovake të Punëve të Jashtme pritur nga Rastislav Bilik, Izabela Nagyova, Tomas Bokor dhe Branislav Pochaba. Nevojat e eksosistemit shqiptar dhe ndihma e qeveria Sllovake në Shqipëri, Kosovë e Republikën e Maqedonisë së Veriut ishin tema e bashkëbisedimit.
Në ditën e fundit krahas takimeve me investitorët Estonezë Anu Oks, Harri Tallin dhe Kristi Kurvits të cilët ishin pjesë e jurisë në Demo Day të akseleratorit Challenger, delegacioni Shqiptar ju bashkua në mbrëmje shpalljes së fituesve mes 8 startupeve që prezantuan në skenën e akseleratorit Sllovak. Këtij evenimenti ju bashkuan mëse 350 pjesëmarrës.
Programi Bridge2EU i mundësuar nga SOVVA dhe ICTSmedia dhe i financuar nga SlovakAid është një program studimor përgjatë të cilit kompanitë dhe startupet e përzgjedhura do të mësojnë dhe përfitojnë nga njohja me një ekosistem të ri kompanish dhe startupesh të fushës së teknologjisë.
Iniciuar në Tetor të 2021 përmes një faze aplikimesh dhe më pas në Dhjetor me përzgjedhjen e delegacionit, Bridge2EU është një program ndërtuar specifikisht për të ndihmuar kompanitë e reja në fushën e teknologjisë të fitojnë akses në financim, partnerë potencialë e madje të njihen me konsumatorë të rinj.
Krijimi i lidhjeve mes lojtarëve kyç të industrisë dhe takimi me kompani nga ekosistemi lokal i inovacionit, eksplorimi i një ekosistemi të ri do të është mundësi për tu njohur me procesin e zgjerimit jashtë Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor për startupet e Uplift dhe një shans për rritjen e biznesit të tyre ndërkombëtarisht.
Bridge2EU është një frymëzim për startupet me ide të reja dhe modele të përshtatura Sllovake për një vend si Shqipëria, Kosova apo Maqedonia e Veriut.