-Mereshim me Facebook, dhe po diskutojmë dhjetë minuta për çështje facebooku që është irelevante totalisht se kush çfarë ka thënë sepse ka të bëjë me vetveten
Mbi dhjetë minuta zgjati debati në Click Plus se kush kë ka sulmuar dhe kush kë ka ofenduar në rrjetet sociale. Arbër Ademi nga Bashkimi Demokratik për Integrim, arsyetoi reagimin e Grubit në Facebook, përmes së cilës shkroi fjalë ofenduese për kreun e Lëvizjes Demokratike Izet Mexhitin. Sipas tij, ai reagim erdhi pas një sulmi për blerje të pëlqimeve në Facebook në profilin e Artan Grubit.
-E sulmuan për arsye se z.Grubi reagoi publikisht. Bëhet fjalë jo për të denigruar dikë sa i përket ngjyrës, prejardhjes, gjuhës e kështu me radhë. Ajo bëhet pas një ataku që i është bërë profilit të z.Grubi dhe profilit të BDI-së, tha Arbër Ademi – BDI.
Ma spjegoni, a e ka shkruar z.Grubi atë apo nuk e ka shkruar?
-Besoj se e ka shkruar se në profilin e tij është, tha Arbër Ademi – BDI
Dmth e ka shkruar.
-Po.
Për analistin politik Besim Hoda, këto diskutime janë humbje kohe. Ai zhvendosi debatin në një aspekt krejt tjetër, që sipas tij është temë shumë më e dhimbshme se sa të flitet për Facebook. Hoda tha që para se të vinte në emision, e ka telefonuar një ish ushtar i UÇK-së, i cili i ka kërkuar ushqim për fëmijët e tij për iftar.
“Një ushtar i UÇK-së, dy orë para se të vijë në emision, më ka telefonuar dhe më ka thënë, ka qarë hallin, është nga zona juaj nga Likova, më ka thënë se nuk ka buk për fëmijët, pesë fëmijë i ka, për iftar. Nëse ka mundësi të na ndihmoni. Që është shumë më e dhimbshme se kjo që e flasim tani për Facebook-at. Nuk dua t’ia përmend emrin, do e përmend nëse doni kështu veçmas por nuk dua ta denigroj në formë të tillë dhe nuk është hera e parë që ndodhin gjëra të tilla. Nuk ka të paguajë rrymën, nuk ka t’i ushqejë fëmijët buk, është pjesëtar i UÇK-së”, tha Besim Hoda – Analist.
Megjithatë si duket Ademit kjo nuk i bëri përshtypje dhe filloi të përmend të arriturat e disa pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së, të cilët sot bartin funksione publike.
“Edhe unë mund të them se m’u paraqit dy orë para emisionit një tjetër ushtar i UÇK-së i cili sot është kryeministër, një tjetër ushtar i UÇK-së që sot është ministër, nj tjetër që sot është deputet, një tjetër që është drejtues i lartë në institucione e kështu me radhë”, pohoi Arbër Ademi – BDI.
Sipas analistëve, fjalët ofenduese dhe denigruese nuk duhet të përkojnë me fjalorin e përfaqësuesve politik, ofendime të cilat siç thonë, janë prezente edhe tek të dy blloqet politike shqiptare.
Burimi: tv21