Davenport: Vazhdimi i dialogut e vetmja formë për të dalë nga kriza

Situata e krijuar pas vendosjes së barrikadave në veri të Kosovës, e ka vendosur procesin e integrimit të serbëve në rrezik. Në një intervistë për Radio Kosovën Shefi i Misionit të OSBE-së,  në Prishtinë, Michael Davenport, thotë se vazhdimi i dialogu dhe formimi i Asociacionit janë zgjidhje për të dalë nga kjo situatë.

Z.Ambasador a mendoni që duhet të mbahen zgjedhjet lokale në veri në pranverë të vitit 2023 dhe deri atëherë si e shihni zgjidhjen e çështjes së qeverisjes lokale në veri?

Michael Davenport: Çështja e zgjedhjeve lokale është çështje që i takon Presidentes. Presidentja kanjoftuar që zgjedhjet komunale do të mbahen në prill 2023 dhe të gjitha vendimet rreth kësaj i përkasin Presidentes. Kur flasim për pjesën tjetër të pyetjes suaj – rreth sundimit të ligjit dhe qeverisjes – mendoj se netë gjithë kemi parë një përmirësim të dukshëm gjatë disa viteve të kaluara, kur flasim për zbatimin e zotimeve që kanë bëjnë me integrimin e strukturave kyçe si gjyqësori, prokuroria dhe Policia e Kosovës. Çështja është se e tërë kjo është në rrezik tani, dhe prioritet tani është të shohim angazhimproaktiv në dialog dhe në diskutime në Bruksel, të fasilituara nga BE, natyrisht edhe me ndihmën e tjerëve. Dhe të shohim përparim në këtë drejtim, drejt normalizimit të plotë. Nuk më pyetët për OSBE-në, por Misioni i OSBE-së është natyrisht gjithmonë i gatshëm që të ofrojë mbështetje në zbatimin e asaj që dakordohet në dialog.

Z. Ambasador duke parë se me çfarë lehtësie të gjithë serbët në komunat veriore të cilët ishin integruar në strukturat e sistemit kosovarë, përfshi ato të policisë, doganave , gjyqësori, nën ndikimin politik të “Listë Serbe”  dorëzuan mandate tyre, vërtet vlerësoni që ata ishin integruar mirë në sistemin kosovarë?

Michael Davenport: Mendoj që ne që kemi punuar ngushtë me Policinë e Kosovës në integrimin dhe rekrutimin e kadetëve nga të gjitha komunitetet jo-shumicë në Policinë e Kosovës; ne që kemi punuar së bashku me prokurorët e gjyqtarët kosovarë në integrimin si të shqiptarëve ashtu edhe të serbëve, por edhe gjyqtarëve e prokurorëve tjerë, mund të themi “po integrimi ka qenë i vërtetë, natyrisht se ka pasur përparim”. Ka qenë sfidë shumë e vështirë mirëpo është zbatuar dhe në fakt Policia e Kosovës do të duhet të vazhdojë me rekrutimin e personave nga të gjitha komunitetet edhe në të ardhmen. Andaj mendoj që kjo ka qenë arritje e vërtetë, gjë që tani është vënë në rrezik në situatën aktuale.

Marrë parasysh tërheqjen e serbëve nga të gjitha institucionet e Kosovës, mendoni që ka hapësirë për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë?

Michael Davenport: Nuk jam i sigurt se çka nënkuptoni me hapësirë. Mendoj që jo është vetëm se ka hapësirë por është edhe domosdoshmëri që të vazhdohet. Është vërtetë esenciale dhe në interes të të gjithë atyre që jetojnë në këtë pjesë të botës, dhe është thelbësore për të gjitha komunitetet që procesi politik të vazhdohet dhe të shtyhet përpara sa më shpejtë që të jetë e mundur, sepse kjo punë nuk është kryer dhe ajo duhet përmbyllur. Ka një plan që është paraqitur nga Bashkimi Evropian, si fasilitues i dialogut, dhe duhet t’i shohim të dyja palët në dialog duke ecur përpara dhe duke u angazhuar në mënyrë proaktive në dialog për të arritur normalizimin i cili në fund të fundit mendoj se është në interes të secilit.

A mendoni që çështja e formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është zgjidhje? Kosova insiston që ky asociacion nuk mund të ketë kompetenca ekzekutive, ndërsa Serbia e thotë të kundërtën.

Michael Davenport: Mendoj se të gjithë jemi në dijeni që zotimi për të themeluar asociacionin e komunave buron nga marrëveshja e parë e vitit 2013, e mbështetur pastaj edhe nga marrëveshjet e mëvonshme të vitit 2015 e tutje. Pra kemi këtë zotim dhe shtyrja përpara është çështje që i takon Bashkimit Evropian në vazhdën e fasilitimit të dialogut, si dhe palëve në zbatimin e zotimeve të tyre nga dialogu.

Çfarë mendoni për mos miratimin e Kodit Civil. Vlerësoni që kjo është në kundërshtim me të drejtat e njeriut, ose grupe të caktuara?

Michael Davenport: E di që ka pasur një diskutim mjaft të vështirë në Kuvend kur Kodi u dërgua atje në muajin mars dhe nuk e kaloi leximin e pare. Ka kaluar mjaft kohë që nga atëherë. Ndoshta aspekti kyç është se ky akt ligjor do të ndihmojë që ta sjellë legjislacionin e Kosovës në linjë me obligimet ndërkombëtare në Kosovës në fusha si prona dhe të drejtat pronësore, ligji për familjen e kështu me radhe. Kodi i bën bashkë në një ligj aspektet e ligjit nga fusha të ndryshme, pra mendoj se do të ishte e dobishme që të kalohet ky ligj. Sidoqoftë kjo është çështje e Kuvendit.

Përgjatë viteve në Kosovë kemi parë vrasjen e grave. Tashmë ko është shndërruar në një fenomen. Ku mendoni që kanë stagnuar institucionet tona?

Michael Davenport: Gratë po vriten në rrethana të tmerrshme dhe kjo është turp për të gjithë ne. Vrasja e fundit e një gruaje shtatzënë në Prishtinë pak para se ajo të lindte – ku humbi jetën edhe foshnja – duhet tëjetë alarm për të gjithë ne, për të ndërmarrë veprime urgjente për ta adresuar këtë fenomen dhe gjithashtu për t’i adresuar mangësitë të cilat më duket se i referoi pyetja juaj. Një gjë që duhet bërë, dhe kjo është fushë ku Misioni i OSBE-së ka punuar shumë, në bashkëpunim me Kuvendin dhe me Komisionin për të Drejtat e Njeriut, të udhëhequr nga Duda Balje dhe me Ministrinë e Drejtësisë, me Kordinatoren Kombëtare kundër Dhunës në Familje, Nita Shalën – e meqë ra fjala, na duhet një Kordinator Kombëtar i ri – është nxjerrja e ligjit.Dy vite më parë, ishte shumë i mirëpritur vendimi që mori Kuvendi, më duket unanimisht, për ta inkorporuar Konventën e Stambollit në të drejtën e Kosovës. Kjo ende nuk ka ndodhur, por tani ekziston projektligji dhe Misioni i OSBE-së është duke punuar për së afërmi në këtë çështje. Kjo do tii ndryshojë gjërat, do të përcaktojë standarde të reja për aspekte të rëndësishme siç janë vlerësimi dhe zbutja e rrezikut, si dhe planifikimi i sigurisë për viktimat e mundshme dhe viktimat aktuale të dhunës në familje. Gjithashtu, kjo duhet të kontribuojë në parandalimin e mëtejmë të krimeve të tilla në të ardhmen, nëse zbatohet. Natyrisht, duhet bërë edhe më shumë për viktimat e dhunës në familje. Financimi për strehimoret ka qenë tejet ad-hoc dhe i paparashikueshëm. Jam i kënaqur që qeveria së fundmi ka marrë vendim për të plotësuar hendekun e financimit, që në fillim të vitit, me vendimin e fundit për këtë çështje. Misioni i OSBE-së ka qenë mjaft aktiv dhe ka punuar me komunat në hartimin e Memorandumeve ndër-komunale të mirëkuptimit ku komunat japin kontributet e tyre në shpenzimet e Strehimoreve. Dhe, për herë të parë, në nëntor kemi pasur biznese lokale në Prizren që u janë bashkuar këtyre zotimeve për të ofruar mbështetje për strehimoren në Prizren. Një tjetër element që duhet përmendur në këtë kontekst është puna në përmirësimin e kordinimit në nivel komunal ndërmjet aktorëve të ndryshëm, kontributi i të cilëve është thelbësor, por koordinimi i të cilëve më njëri-tjetrin është gjithashtu jetik. Prioriteti kryesor për fillimin e vitit 2023 do të jetë që të sigurohemi që aty ku nuk funksionojnë sa duhet mekanizmat e tillë koordinues komunal kundër dhunës në familje, të bëjmë përpjekje ta përmirësojmë këtë. Në këtë përpjekje bashkohen policia, prokuroria, gjyqësori, kryetarët e komunave dhe drejtorët komunalë të shëndetësisë dhe arsimit, qendrat për punë sociale, qendrat e mjekësisë familjare, etj.

Misioni i OSBE-së ka publikuar një raport ku flet për trashëgiminë kulturore të Kosovës. Çfarë thuhet në këtë raport dhe cilat janë hapat që duhen bërë?

Michael Davenport: Raporti thotë shumëçka. Është raport gjithëpërfshirës që kryesisht shqyrton trashëgiminë kulturore të ndërtuar, dhe një nga rekomandimet kryesore të raportit ka të bëjë me nevojën për ndryshim-plotësimin e Ligjit për trashëgimi kulturore për t’a përafruar atë me Strategjinë Kombëtare për Trashëgiminë Kulturore. Por, raporti detajon edhe disa nga problemet me zbatimin e Ligjit për Zonat e Veçanta të Mbrojtura ku ende shohim zhvillime të pakontrolluara, ndërtime pa leje, rrënime të objekteve të trashëgimisë, gjëra të cilat duhet adresuar qartë. Një nga gjetjet kryesore të raportit është se mbrojtja e trashëgimisë kulturore nuk ka të bëjë vetëm me rehabilitimin fizik ose restaurimin e trashëgimisë së ndërtuar, por se ka nevojë për një qasje më të gjerë ku menaxhimi i monumenteve të trashëgimisë kulturore është gjithëpërfshirës, duke i përfshirë edhe gjeneratat e reja dhe të gjitha komunitetet në mbrojtjen e monumenteve të trashëgimisë kulturore. Kjo edhe po ndodh për herë të parë përmes përpjekjes, në të cilën edhe ne jemi të përfshirë, për të hartuar dhe mbështetur hartimin e Planeve të Menaxhimit për monumentet kyçe të trashëgimisë kulturore, siç janë Hamami në Prishtinë ose Çarshia e Pejës. Pra, këto do të jenë prioritetet kryesore gjatë vitit 2023 të Misionit, ku do të punojmë me të gjithë akterët e tjerë të përfshirë.

Meqenëse po flasim për trashëgiminë kulturore, çfarë duhet të bëhet më Manastirin e Deçanit, me mos zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës?

Michael Davenport: Zgjidhja në të vërtetë është zbatimi i plotë i vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ne si Mision i OSBE-së e kemi kërkuar zbatimin e vendimit të Gjykatës që nga viti 2016, pra që gjashtë vjet. Mendoj që nuk ka ndonjë rrugë alternative të veprimit, përveç që autoritetet kompetente të regjistrojnë tokën, që është diku rreth 24 hektarë tokë përreth Manastirit, ta regjistrojnë pra tokën siç kërkohet, në kadastër. Mendoj që është me rëndësi të mbahet mend që Gjykata Kushtetuese është instanca më e lartë gjyqësore në Kosovë, si dhe është me rëndësi që vendimet e gjykatës të respektohen dhe të zbatohen plotësisht, është çështje e sundimit të së drejtës.

Një vendim i tillë si ai për Manastirin e Deçanit, nga qeveria e Kosovës është konsideruar si politik, a mendoni që kjo mund të ketë efekt në anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës? 

Michael Davenport: Duhet ta theksoj që vendimi i gjykatës është vendim i gjykatës, dhe nuk është çështje e interpretimit politik, duhet të zbatohet si i tillë. Nuk jam i sigurt nëse mund të përgjigjem në emër të Këshillit të Evropës, kjo është çështje e Këshillit të Evropës, por ndoshta ajo që mund të përmend është që ka pasur vizitë në Kosovë nga Dunja Mijatoviq, Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejta të Njeriut, më herët gjatë këtij viti. Ajo ka vizituar Kosovën si dhe ka nënvizuar po ashtu këtë si çështje brengosëse për të.

Në Kosovë ka sulme dhe kërcënime të vazhdueshme ndaj gazetarëve dhe mediave. Ku qëndron Kosova në aspektin e lirisë se mediave?

Michael Davenport: Siguria fizike e gazetarëve është gjithashtu brengosëse, dhe kjo është çështje shumë më e gjerë, rajonale jo vetëm në Kosovë. Shohim raporte të shpeshta mbi mënyrën se si, jo vetëm gazetarët, por edhe punëtorët e mediave, profesionistët e mediave, pengohen në punën e tyre, kërcënohen, e fatkeqësisht në disa raste, edhe vriten. Kjo është e patolerueshme, si dhe duhet të bëhet shumë më shumë për të nxjerrë kryesit e krimeve të tilla para drejtësisë, por edhe përpjekjet për të heshtur gazetarët, me mënyra të ndryshme, duhet të dënohet fuqimisht. Më 2022, besoj që e kam të saktë, sipas Reporterëve pa Kufij, Kosova është ngritur për 17 pozita në renditje. Por, një pjesë e shpjegimit për këtë ngritje është fatkeqësisht që veprimtaria mediale e shumë vendeve është përkeqësuar shumë në 12 muajt e fundit. Kështu, si Mision i OSBE-së do të vazhdojmë të mbështesim profesionin e medias, të punojmë me shoqatat e gazetarëve, të mbështesim organet rregullatorë – Këshillin e Mediave të Shkruara dhe Komisionin e Pavarur të Mediave – si dhe të ndihmojmë mediat që të luftojnë tendencën e vetë-censurës kur i nënshtrohen trysnive, sidomos në aspektin e politikës redaktuese.

Z. Ambasador Kosova së fundmi ka palikuar për antarësim në Këshill të Evropës dhe Bashkim Evropian. Kur mendoni që është koha që Kosova të aplikoëj për antarësim në OSBE?  Ambasador, Kosovo has recently applied for membership into the

Michael Davenport: OSBE është organizatë që operon në bazë të konsensusit, me 57 shtete pjesëmarrëse, pra i takon shteteve pjesëmarrëse që të përgjigjen në pyetjet lidhur me zgjerimin e anëtarësisë. Por ajo që megjithatë mund të them është që OSBE, si dhe Misioni i OSBE-së këtu në Kosovë, janë tejet të përkushtuar ndaj partneriteteve që kemi, të cilat i kemi krijuar e kultivuar për shumë vite, dhe jam krenar të them që Misioni i OSBE-së në Kosovë ka marrëdhënie tejet të mira me institucionet e Kosovës në të gjitha nivelet, duke përfshirë normalisht edhe komunat. Mund të theksoj faktin që Kryesuesi i Radhës i OSBE-së ka vizituar Kosovën, për dy vite rresht nga ardhja ime në këtë post. Ministrja e Jashtme suedeze Anna Lindt ka vizituar Kosovën në 2021, pastaj edhe Ministri i Jashtëm polak, si kryesues i OSBE-së, ka vizituar Kosovën në korrik 2022. Po ashtu, që prej ardhjes sime këtu, Sekretarja e Përgjithshme e OSBE-së, Helga Schmidt, ka vizituar Kosovën, andaj, marrëdhëniet janë pozitive dhe të afërta.

Z. Ambasador jemi në fund të viti 2022, si do e përkufizonit këtë vit dhe çfarë pritni nga viti 2023?

Michael Davenport: Vështirë të përmblidhet një vit i tërë me saktësi. Ajo që do të thosha është që një nga fushat reale ku Misioni i OSBE-së mund të shtojë vlerë është niveli komunal, pra niveli lokal i qeverisjes, me rrjetin e Qendrave Rajonale që kemi, si dhe me praninë tonë në të gjitha 38 komunat. I kam vizituar 36 nga 38 komunat, pra edhe dy komuna më kanë mbetur t’i vizitoj. Në vitin 2022, në fillim të vitit, pas përfundimit të zgjedhjeve komunale në fund të vitit 2021, apo në vjeshtën e vitit 2021, kjo na ka vënë në pozitë shumë të mirë, në përpjekjet për të siguruar që shumica e organeve të nivelit komunal të krijohen shpejt pas zgjedhjeve, sidomos ato organe që janë të rëndësishme për të drejtat e komuniteteve jo-shumicë në gjitha komunat. Këtu dua t’i përmend posaçërisht Këshillat Komunalë për Siguri në Bashkësi, Lomitetet Lokale për Siguri Publike, emërimi i Nënkryetarëve të Komunave për Komunitete, në komunat ku kërkohet, zëvendëskryesuesit e kuvendeve komunale, si dhe Mekanizmat Kordinues Lomunalë kundër Dhunës në Familje, që i përmenda më parë. Të tjerat përfshijnë Zyrtarët komunalë për barazi gjinore, Zyrat komunale për komunitete e kthim, si dhe për rininë në nivel lokal, Këshillat Rinorë për Veprim lokal. Nuk bën të harroj edhe punën që bëjmë për të inkurajuar krijimin e Grupeve Joformale të Grave në kuadër të kuvendeve komunale, por edhe në nivel të Kuvendit të Kosovës. Në të gjitha këto fusha, Misioni ka qenë tejet aktiv, por edhe ka gëzuar bashkëpunim të shkëlqyeshëm me të gjitha komunat. Përveç asambleistëve të shumtë të rinj që kanë hyrë në kuvende komunale, ekipet tona në gjitha komunat, në 5 Qendrat Rajonale të OSBE-së, kanë qenë shumë aktivë në ofrimin e trajnimit për asambleistët e rinj të kuvendeve komunale në çështje si mbikëqyrja e buxhetit, buxhetimi gjinor, si dhe proceset buxhetore. Pra, si kuvendet komunale ashtu edhe komunat dhe administratat e tyre kanë parë këtë si shumë të dobishme. Nëse shikojmë përpara, në vitin 2023, ne sigurisht do të vazhdojmë të ndërtojmë mbi gjitha këto arritje në vitin vijues të mandatit përkatës. Një fushë në të cilën gjithsesi do ta rrisim punën është mbështetja e përpjekjeve për zbatim të rekomandimeve nga misionet e njëpasnjëshme të vëzhgimit të zgjedhjeve në vitet e fundit. Se fundi pata një takim shumë të mirë me Kryetarin e Kuvendit, z. Glauk Konjufca, lidhur me gjitha këto dhe lidhur me realizimin e kësaj gjatë vitit, që do të jetë tejet e rëndësishme. E përsëris që Misioni i OSBE-së qëndron i gatshëm, siç kemi qenë gjithmonë, për të mbështetur zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Shpresojmë të shohim progres në këtë fushë, si dhe qëndrojmë të gatshëm të ndihmojmë.

 

Ky OPINION është huazuar nga media BOTASOT.INFO

Story i mëparshëm

Miratohet Informacioni për nënshkrimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare midis BE-së dhe RMV-së për programin Evropa Digjitale

Story i radhës

Messi dhe Di Maria shkruajnë historinë

Të fundit nga