COVID-19 – Suedia pezullon testimin masiv

Suedia ka pezulluar testimin masiv për COVID-19 madje edhe për ata persona që shfaqin simptoma të koronavirusit, duke argumentuar se kostoja dhe rëndësia e testimit nuk justifikohen më.

Vendi skandinav mbylli të mërkurën qendrat e testimit të vendosura në sheshet e qytetit që gjendeshin kudo gjatë pandemisë.

“Kemi arritur në një pikë ku kostot dhe rëndësia e testimit nuk justifikohen më. Nëse do të kishim testime të gjera për të gjithë personat që kanë COVID-19, kjo do të thoshte gjysmë miliardë kruna në javë (rreth 55 milionë dollarë) dhe 2 miliardë në muaj (220 milionë dollarë)”, deklaroi në fillim të kësaj jave drejtoresha e Institutit suedez të Shëndetit Publik, Karin Tegmark Wisell.

Nga e mërkura, qytetarët me simptoma të COVID-19, gjendja e të cilëve nuk kërkon shtrimin në spital, përgjithësisht nuk do të testohen më në sistemin shëndetësor publik, por kapacitetet do të ridrejtohen tërësisht në testimin e personelit mjekësor, të moshuarve dhe grupeve vulnerabël.

Testet antigjene janë të disponueshme për t’u blerë në supermarkete dhe farmaci, por këto rezultate nuk raportohen tek autoritetet shëndetësore. Klinikat private mund të kryejnë analiza dhe të ofrojnë çertifikata për udhëtime ndërkombëtare, por sigurimet shtetërore dhe shëndetësore nuk do të mbulojnë shpenzimet.

Shkalla e lartë e vaksinimit në Suedi ka krijuar optimizëm midis autoriteteve shëndetësore ndërsa një studim i publikuar të martën tregon se antitrupat janë të pranishëm në 85 për qind të mostrave.

“Duke pasur parasysh përqindjen e konsiderueshme të të vaksinuarve, popullatës së informuar, të arsimuar dhe të edukuar mund t’i besohet kur bëhet fjalë për izolim në rast simptomash”, tha Bharat Pankhania, profesor në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit Exeter në Britaninë e Madhe.

Në vitin 2021, vetëm rajoni i Stokholmit shpenzoi më shumë se 320 milionë dollarë për testet PCR.

Burimi: ATA

Story i mëparshëm

Zbulohet mashtrimi i madh që bëri Antonela pas daljes nga Big Brother

Story i radhës

Helikopteri Black Hawk i ushtrisë amerikane, për herë të parë fluturoi për 30 minuta pa pilot brenda kabinës

Të fundit nga