Conte: Jemi “arbitrat” e fatit tonë

Interi ka lënë pas krahëve humbjen në derbi, pasi nesër në mbrëmje në “San Siro” do të vijnë gjermanët e Borussia Monchengladbach për sfidën e parë në grupet e Ligës së Kampionëve.

Trajneri Antonio Conte ka dalë në konferencën e zakonshme për shtyp, ku ka pranuar se këtë sezon është shtuar eksperienca në ekip dhe se skuadra zikaltër i ka të gjitha mundësitë të shkojë shumë përtej grupeve.

Këtë sezon keni një skuadër më eksperte në Europë, pasi keni marrë Vidal e Hakimin…
Është e vërtetë që kemi më shumë eksperiencë, mbi të gjitha për ecurinë e sezonit të kaluar, që shkuam deri në finalen e Europa Leagues. Më pas Vidal ka shumë eksperiencë dhe sigurisht që mund të na ndihmojë. Nga kjo pikëpamje jemi shumë më të kompletuar se një vit më parë.

Si është gjendja e futbollistëve? Bastoni do të luajë titullar?
Bastoni është stërvitur vetëm dje me grupin dhe sot do të ketë seancën e dytë ,ndaj besoj se do të jetë në pankinë, pasi nuk duam ta ngarkojmë shumë. Sa i përket pjesës tjetër, duhet të bëjmë disa vlerësime, pasi Brozovic e mbylli derbin disi i lodhur dhe nuk kemi pse të ndërmarrim risqe.

Nga 4 skuadra italiane që luajnë në Champions, 3 kanë humbur këtë fundjavë. Çfarë shpjegimi jepni?
Sigurisht që kjo është një tregues i rritjes së konkurrencës në kampionatin tonë, por të mos harrojmë që e njëjta gjë ka ndodhur edhe në Spanjë, ku Reali i Madridit e Barcelona kanë humbur ndaj rivalëve dukshëm më modestë se ata. Kur kthehesh të luash pas ndërprerjes së kombëtareve, është gjithmonë e vështirë për skuadrat e mëdha, që kanë pjesën më të madhe të organikës të impenjuar në përfaqësueset përkatëse dhe vijnë disi të lodhura.

Deri ku mund të arrijë Interi këtë vit në Champions?
Sigurisht që jemi arbitrat e fatit tonë dhe shpresoj që ta bëjmë këtë në mënyrë pozitive. Dua të shkojmë sa më lart, pasi unë nuk preferoj të vendos kufij.

Këtë vit po luani me fantazist, edhe kur nuk është Eriksen në fushë…
Po luajmë kështu që nga faza finale e Ligës së Europës, pasi duke parë cilësitë e lojtarëve, mendoj se kemi më shumë lojtarë që mund të shprehen mirë në atë vendosje. Fantazisti luan disi më i spostuar në të majtë dhe niset nga atje për të shtuar fuqinë sulmuese. Barella e ka bërë mirë këtë punë dhe besoj që kemi edhe elementë të tjerë që mund të shprehen mirë aty.

Në Madrid shikojnë Interin si favorit të grupit…
Këtë nuk mund ta them, pasi po flasim për Realin e Madridit, që ka fituar La Ligën në sezonin e fundit dhe që ka në organikë futbollistë kartoni i të cilëve kushton më tepër se 100 milionë euro. Nëse nënvlerësohet Reali vetëm se nuk ka bërë merkato, nuk jemi duke folur seriozisht.

Mendon se të mungon një trofe ndërkombëtar në rrugëtimin tënd si trajner?
Në fakt kam marrë pjesë në 4 sezone dhe kam regjistruar me radhë arritjen në 1/8-at, më pas në çerekfinale, në gjysmëfinale dhe në fund të finalen e Ligës së Europës. Tani më mungon vetëm të fitoj një finale, por gjithsesi unë jam shumë i kënaqur dhe krenar për rrugëtimin tim si trajner.

Duke parë cilësitë e mbrojtësve, mendoni se rrezikoni shumë duke luajtur aq lart?
Ne kemi luajtur kështu edhe sezonin e kaluar dhe këtë vit në mbrojtje ka vetëm një ndryshim, pasi është larguar Godin e ka ardhur Kolarov. Një vit më parë ishim mbrojtja më e mirë, ndërsa këtë fillim sezoni po pësojmë shumë, por edhe po luajmë mirë e po krijojmë shumë.

Sigurisht që ka vend për përmirësim, por po luajmë shumë shpesh dhe nuk po arrijmë të rishikojmë videot e ndeshjeve tona, për të analizuar gabimet. Duam të ushtrojmë një futboll jo shumë italian, më sulmues e më argëtues, ndaj sigurisht që ka disa rreziqe, por mund të përmirësohemi.

Ngjarja paraprake

Elio Hysko, kandidati për depuetet i PS në Kamëz, që synon të promovojë frymën rinore të PS në Kuvend

Ngjarja e ardhëshme

Mësimdhënës e nxënës të shumtë me COVID-19, shkollat nuk mbyllen

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian