Ç’nuk bën leximi

Nga: Aurel Plasari

E ka, edhe leximi, ekscitimin e vet, d.m.th. atë lloj ngacmimi që në shkrimet e mia letrare e kam quajtur “ndezullí”, për ata që nuk e dinë ç’është.

Lumo Skëndo, ndryshe Mid’hat Frashëri, gjatë Luftës së Parë Botërore qe strehuar gjysmë-i-internuar në Rumani. Për rreth gjashtë muaj në Bukuresht, mandej në Kalimanesht, në Moldavi etj., tregon në kujtimet e veta zhgënjimin nga shoqëria e Kolonisë së Shqiptarëve të Rumanisë: apatinë e madhe dhe sidomos të rinjtë që mbaheshin për “intelektualë” ndërsa nuk bënin asnjë punë. Mezi mundi të bënte me ta disa mbledhje, rreth tryeze, mbas darkave në restorant. Afërmendsh që u fliste për nevojën e leximit. “Por fatkeqësia qe se gjithkush donte të shkruante, të vjershëronte e të fitonte famë…”, ka treguar, “pa shkuar prej purgatorit të të nxënit, studimit dhe këndimit”. Një mbrëmje, i dëshpëruar, s’duroi më e u tha:

“Nuk mundni, pra, zotërinj, të kuptoni që këndimi i një faqeje të shkruar mirë ose i një paragrafi artistik, i jep njeriut tërë atë delir që ndjen kur sheh se dhëmbi i një sise së bukur forcohet nën përkëdheljen e buzëve?”

Ra heshtje. Disa po përpiqeshin të kuptonin. Një zotëri i quajtur Sabri Qyteza u ngrit i pari të largohej duke thënë:

“Mësuam një send. Mësuam se maja e gjirit u ngritka kur ta gudulisnjë njeri me gojë!”

Atëherë Lumo Skëndo nuk mund të mos ia kthente habitjen me habitje:

“Po, zot, edhe unë mësova një gjë më të madhe akoma: se paska një njeri tridhjetë e pesë vjeç që nuk e ditka këtë!”

BURIMI: www.arsalbanica.mk

Ngjarja paraprake

L’Equipe: Lewandowski në PSG!

Ngjarja e ardhëshme

Netanyahu: Fushata ndaj militantëve palestinezë do të vazhdojë sa të jetë e nevojshme

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian