Çmimet e larta rezultojnë që po frenojnë konsumin për shumë produkte. Sipas INSTAT, për periudhën janar- shtator, importet në sasi ranë me gati 6%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndonëse në sasi kanë rënë, importet në vlerë u rritën me 25%, ose rreth 139.5 (1.2 miliardë euro) më shumë.
Tendenca tkurrëse në sasi është ndikuar kryesisht nga reduktimi i importeve të grupit “Lëndët djegëse minerale, vajrat minerale dhe produktet e distilimit të tyre”, që ranë me 16% për 9 mujorin me bazë vjetore. Rritja e çmimeve të karburanteve rezulton se po e frenon konsumin në vend. Nafta tregtohet aktualisht me 240 lekë, nga 185 lekë që ishte në fund të shkurtit, përpara se të fillonin sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës që çuan në një valë shtrenjtimesh të shumë produkteve. Nafta është sot 30% më e shtrenjtë se në fillim të vitit.
Në rënie vijojnë të jenë dhe plehëruesit, me tkurrje 47% për 9 mujorin, një tregues i vështirësive që po kalon sektori bujqësor. Burimet nga tregu bënë të ditur se heqja e subvencioneve dhe vënia e TVSH mbi inputet, të kombinuara me çmimet e larta të plehëruesve në tregjet ndërkombëtare i bënë të papërballueshme blerjet nga fermerët shqiptarë. Për shkak të kostove të larta, fermerët këtë sezon kanë kryer më pak mbjellje si në sera dhe në fushë. Në kontrast, importet e zarzavateve për 9 mujorin janë rritur ndjeshëm në sasi me 44%. Fermerët në zonat prodhuese të vendit Lushnjë dhe Berat bëjnë me dije se importet e prodhimeve bujqësore do të rriten me shpejtësi në të ardhmen pasi sipërfaqet e mbjella në vend kanë rënë këtë vit dhe prodhimet që realizohen kanë kontrata me eksportin. Hendeku që mbetet në tregun vendas po mbulohet me import.
Importet e drithërave u tkurrën me 22% për janar-shtator, duke reflektuar një tkurrje të konsumit, që sipas operatorëve po ndikohet edhe nga emigracioni. Ky i fundit po bëhet një faktor i ndjeshëm në konsum, sipas raportimeve nga shumë sektorë, që po ndiejnë rënien e fuqisë blerëse për shkak të mungesës së njerëzve, sidomos të rinjve.
Në rënie vijon dhe kafeja, me importet e këtij produkti që ranë rreth 10%.
Rikthehet ndërtimi
Ndërsa konsumi po vjen në rënie për shkak të çmimeve të larta dhe emigracionit, ndërtimi i është rikthyer vrullit. Pas rënies së importeve të materialeve të ndërtimit në pjesën e parë të vitit, si rrjedhojë e çmimeve të larta, sidomos hekurit, muajt e fundit po importohet më shumë. Sipas INSTAT, importet e gizës dhe çelikut u rritën me 5% për janar-shtator.
Duhen më shumë para për të blerë më pak produkte
Në shtator inflacioni, sipas INSTAT, arriti në 8.1%, niveli më i lartë që nga viti 1998, kur vendi po vuante pasojat e krizës së piramidave. Rritja e lartë e çmimeve ka bërë që për të blerë të njëjtën sasi produktesh, apo më pak, të të duhet të shpenzosh më shumë.
Ndonëse në sasi, importet ranë me 6%, në vlerë ato u rritën me 25%, duke arritur në 695 miliardë lekë (5.8 miliardë euro). Si rrjedhojë, për të blerë 6% më pak mallra janë paguar 139.5 miliardë lekë më shumë (1.2 miliardë euro), për 9 mujorin 2022, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.