Arsim Gërxhaliu, ka treguar se si nisi puna për zhvarrosjen, identifikim dhe rivarrosjen e anëtareve të familjes Jashari që ishin varrosur nga forcat serbe në një vend pak më larg sesa ku janë sot varrezat e tyre.
Ai ka treguar se trupi i parë që kanë filluar punën ka qenë i kryeplakut të familjes Jashari.
Por, cila është simbolika e renditjes së trupave në varrezat e familjes së komandantit legjendar Adem Jashari?
Për këtë e ka një shpjegim interesant mjeku ligjor, Arsim Gërxhaliu, i cili rrëfen se për këtë renditje e morën vendimin bashkë me Rifat Jasharin.
“Kemi filluar me Bacën Shaban si kryefamiljar dhe më i madhi shtëpisë, kështu ka qenë renditja. Atëherë dhe e kemi pasur një kasetefon të asaj kohe sepse nuk kishim, dhe një agregat që e sollën TMK-ja, këtu i kemi vendosur disa beza të bardhë që mos të jetë e rëndë në anën tjetër gjatë punës. U munduam disi puna të jetë edhe më profesionale edhe më e mirë, dezinfektimin e bënim me gëlqere pluhur, me aq sa kishim, me mjetet tona dhe e lëshuam himnin aty, para se ta hapnim trupin e Bacës Shaban, i cili është faktikisht edhe kryeplaku i familjes. Me Hamzën filluam rend, më këtë renditje, pastaj Ademin, nënën Zahide dhe kështu me radhë. Kjo renditje kishte qenë e vërtetë, do të thotë kështu në këtë formë, kurse të tjerat kanë qenë në vende të ndryshme, ku pastaj kemi bërë një renditje tjetër dhe jemi munduar që t`i nxjerrim këto tri rende, duke pasur parasysh edhe atë se çfarë do të vije një ditë, sepse njerëzit do të shëtisnin. Kemi pasur disa ideja, disa skica, që të japim një formë tjetër apo diçka, por e komplikonim vendin dhe e komplikonim rendësinë e shëtitjes, sepse e dinim se këtu do të vinin njerëzit për ta vizituar këtë vend të shenjt dhe atëherë erdhëm në përfundim që t`i bëjmë këto tri rende”, thotë Gërxhaliu