Challandes: Rrahmani vështirë se do të paraqitet kundër Suedisë, ja pse nuk u ftua Daku

Trajneri i Kombëtares së Kosovës në futboll Bernard Challandes dhe futbollisti Valon Berisha kanë folur në një konferencë për media, para miqësores kundër Lituanisë nesër në “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 20:45.

Challandes shfrytëzoi rastin të tregojë rëndësinë e ndeshjes së nesërme kundër një kundërshtari të fortë, përcjell KosovaPress.

Challandes: Do ta fillojmë këtë kampanjë me një miqësore të rëndësishme kundër Lituanisë

“Jemi para një kampanje të re kualifikuese për botërorin 2022, megjithatë para se të fillojmë këtë kampanjë, ne kemi një miqësore me rëndësi kundër Lituanisë. Besoj që është ndeshje që vjen në kohë goxha të mirë për ne, është ndaj një kundërshtari të fortë, dhe besoj që nuk do të jetë ndeshje miqësore, por është ndeshje me rëndësi të madhe për mua, lojtaret dhe për ekipin kombëtar në përgjithësi, në mënyrë që t’ia nisim në mënyrën më të mirë të mundshme, jo vetëm në aspektin e futbollit, por në përgjithësi në mënyrë të suksesshme dhe me një paraqitje sa më të mirë të mundshme”, tha Challandes.

Futbollisti i ‘dardanëve’ Valon Berisha ndeshjen kundër Lituanisë e cilëson si të rëndësishme për skuadrën, që të gjithë lojtarët të kenë minuta së bashku, që të jenë më të përgatitur për ndeshjen ndaj Suedisë.

Berisha: Ndeshjen ndaj Lituanisë ta shfrytëzojmë si mundësi që të jemi më të përgatitur ndaj Suedisë

“Edhe për mua si lojtar, por edhe për neve si ekip, ma merr mendja që këto tri lojë janë të rëndësishme. Por, edhe e para, miqësorja është e rëndësishme se s’kemi luajtur bashkë gati që një vit, krejt lojtarët s’jemi grumbulluar dhe duhet të kthehemi përsëri me një ritëm, për t’ia nisur prej zeros 2021-ën. Ma merr mendja që me rëndësi është loja e parë miqësore, që të merret me entuziazëm për të hyrë në dy ndeshjet që janë më të vështira dhe më të rëndësishme”, tha Berisha.

I pyetur rreth situatës momentale me mbrojtësin Amir Rrahmani, trajneri Challandes tregoi se nuk mund të llogarisë në shërbimet e tij kundër Lituanisë dhe Suedisë.

Challandes: Rrahmani do të mungojë kundër Lituanisë dhe Suedisë

“Në kohë afatshkurtër është e pamundshme që Amiri të mund të paraqitet, dhe është e sigurt se ai nuk do të luajë nesër, por për ne ka qenë shumë e rëndësishme që Amiri të vijë këtu, të ketë terapi, të shohim situatën e tij. Gjatë tërë kohës kemi pasur kontakte shumë të mira me stafin mjekësor, kemi marrë të gjitha informacionet e lidhura me gjendjen aktuale të Amirit. Ne i kemi bërë kontrollimet e duhura për të, ka pasur edhe negative kësaj radhe, dhe tani do të shohim se si do të përparojë gjendja e tij. Por është e sigurt që nuk ka mundësi te luajë kundër Lituanisë, po ashtu mbase mund thuhet se s’do të ketë gjasa që të luajë të dielën kundër Suedisë. Ne do të shohim situatën nëse ai do të mund të luajë kundër Spanjës në ndeshjen e tretë, por më duhet të them se nuk kam shumë shpresa se ai do të jetë i gatshëm në ndeshjen e tretë”, tha strategu zviceran.

Ndër të tjera, ai ka folur edhe për përjashtimin e portierit Aro Muric nga kampi stërvitor i kombëtares së Kosovës.

Challandes: S’ka pasur probleme mes Zhegrovës e Muric, arsyeja e përjashtimit ishte disiplinore

“Fillimisht, raportimet se ka pasur përleshje fizike mes tij dhe Zhegrovës janë të gjitha false. Arsyeja e përjashtimit të Muric është çështje disiplinore dhe unë nuk dua të jap më shumë detaje për shkak se do të ishte mos respekt për lojtarin”, tha Challandes.

Pas qartësimit të përjashtimit të portierit Muric, Challandes u pyet rreth deklaratës së Valon Behramit drejtuar atij, ku tha që më mirë është që këto gjëra të thuhen në katër sy.

Challandes: Ndoshta është më mirë nëse ai vjen këtu dhe i thotë këto gjëra në katër sy

“Ndoshta do të ishte më mirë që ai të vijë e t’i thotë këto gjëra në katër sy, dhe t’i shprehë mendimet e veta. Megjithatë, unë e respektoj dhe nuk kam asgjë për të shtuar për ato që ai ka thënë. Nëse mund të themi që një trajner, i cili ka fituar tituj të kampionatit, dhe tri vjetët e fundit është trajner i kombëtares, por që ka sukses edhe me ekipet U21, s’ka lidhje me pjesën taktike, atëherë ndoshta unë kam qenë trajner me fat që kam arrit t’i kem gjithë ato suksese pa pasur lidhje me pjesën praktike”, tha Challandes.

Po ashtu, Challandes iu kërkua edhe një qartësim rreth mos ftesës së sulmuesit Mirlind Daku, ku tregoi që problemi nuk qëndron te cilësia e Superligës së Kosovës, por te konkurrenca e madhe brenda skuadrës.

Challandes: Problemi nuk qëndron te cilësia e Superligës së Kosovës, por konkurrenca brenda klubit

“Nuk është problemi i Superligës së Kosovës, por i konkurrencës brenda ekipit dhe në bazë të saj merren vendimet. Daku ka qenë me ne në muajin nëntor pasi ka pasur një periudhë shumë të mirë, ku ka shënuar afërsisht 20 gola me ekipin e tij. Ai është një lojtar interesant dhe mund të jetë pjesë e ekipit kombëtar në një të ardhme të afërt, sepse edhe mosha e tij është e re. Por nuk mund të them që ai ka qenë i gatshëm tani të jetë pjesë e ekipit dhe kjo është puna ime, unë jam përzgjedhës dhe duhet të zgjedh lojtarët më të mirë dhe më të përshtatshëm për momentin e caktuar”, tha Challandes.

Për sa i përket rikthimit të Zlatan Ibrahimovic në radhët e Suedisë, strategu zviceran tha se kombëtarja suedeze është e fortë me Ibrahimovic, por edhe pa të në krye të sulmit.

Challandes: Edhe pa Ibrahimovic Suedia ka lojtarë shumë të mirë

“Mungesa e Rrahmanit është patjetër ajo që na e komplikon më shumë punën si ekip, por mungesa e tij nuk do të thotë që ne duhet ta ndryshojmë strategjinë, do të luajmë me tre mbrojtës, me katër mbrojtës, është diçka që do ta mendoj tërë kohën. Por përtej ndryshimit të strategjisë dhe rikthimit të Zlatan Ibrahimovic te Suedia, mendoj se duhet ta shohim Suedinë si ekip shumë të fortë, është e qartë që Ibrahimovic është shumë i fortë dhe shumë i vështirë për t’u përballë me të, mirëpo besoj që Suedia është e fortë edhe pa të”, tha Challandes. 

Ngjarja paraprake

Vrasja e Çekiçit dhe plagosja e 25 vjeçarit/ FNSH dhe Shqiponjat zbarkojnë në Durrës dhe Krujë, çfarë po ndodh

Ngjarja e ardhëshme

Arta Bajramin vështirë se do ta njihni në këtë fotografi

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian