CDU-ja e shtyn kongresin për në vitin 2021

Idealja do të ishte që kongresi i partisë të zhvillohet në vitin e ardhshëm me prani fizike, tha sekretari i përgjithshëm i CDU-së, Paul Ziemiak. Friedrich Merz nuk është i kënaqur me shtyrjen.

Partia në pushtet në Gjermani, CDU e anuloi kongresin e planifikuar për më 4 dhjetor në Shtutgart.

Arsyeja janë zhvillimet rreth krizës së Covid-19. Kufizimet aktuale gjithsesi nuk do ta kishin lejuar një aktivitet me 1.000 vetë në dhjetor. Sipas një vendimi të organeve të CDU-së, kongresi i partisë me 1001 delegatët e tij duhet të zhvillohet zhvillohet në vitin e ardhshëm, më e mira me prani fizike të delegatëve.

Sekretari i përgjithshëm i CDU-së, Ziemiak tha se megjithëse kishte pajtim që një kongres i partisë me prani fizike do të ishte aktualisht opsioni më i mirë për zgjedhjen e ekzekutivit të ri të partisë, kjo nuk do të ishte e justifikueshme në pandeminë që po kalojmë. Prandaj, në mbledhjen me dyer të mbyllura të kryesisë së CDU-së në mes të janarit, do të vendoset nëse do të jetë i mundur një aktivitet i tillë.

Një kongres digjital i partisë, që të pasohet nga një votim me postë, është gjithashtu i mundur. Kryetarja në detyrë e CDU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer e njoftoi dorëheqjen e saj nga posti në shkurt. Zgjedhja e pasardhësit të saj ishte planifikuar për në muajin prill të këtij viti. Por ajo u shty për shkak të pandemisë Corona. Kryeministri i Renanisë-Veriore-Vestfalisë, Armin Laschet, politikani Norbert Röttgen dhe ish-kryetari i Grupit Parlamentar unionist, Friedrich Merz po kandidojnë për t’u bërë pasardhës të Kramp-Karrenbauerit.

Kandidati me mbështetje më të madhe për kryesimin e CDU-së, sipas sondazheve në bazë,  Friedrich Merz, shprehu kritika të ashpra për shtyrjen e kongresit.

Radios bavareze Bayerischer Rundfunk Merz i shprehu madje dyshimin se “pjesë të konsiderueshme të establishmentit të CDU-së” donin të parandalonin zgjedhjen e tij si kryetar partie. Merz tha që nëse nuk ishte e mundur një aktivitet me prani fizike në dhjetor, atëherë CDU-ja duhej të mbante një “kongres digjital të partisë”.

Konkurrenti i tij i brendshëm i partisë, Laschet ishte në favor të shtyrjes. Kurse kandidati i tretë, Röttgen, kishte thënë se do të respektonte vendimin e organeve.

Delegatët duhet të zgjedhin jo vetëm një pasardhës për Kramp-Karrenbauerin, por në dhjetor, sipas radhës, duhet të zgjidhej e gjithë udhëheqja e partisë – kjo do të ndodhte në një kongres të shtyrë të partisë. Një votë me postë për udhëheqjen së partisë nga delegatët, e cila u diskutua gjithashtu si variant në kryesinë e partisë, është një ndërmarrje e vështirë, për shkak të numrit të madh të raundeve të votimit, që kërkohen për zgjedhjen e kryesisë.

Kramp-Karrenbauer i bëri thirrje udhëheqjes së CDU-së dhe kandidatëve të tregojnë unitet. Më e rëndësishmja tani është që Gjermania të mbajë nën kontroll pandeminë, tha ajo.

Në vitin 2021, në gjashtë lande federale do të zgjidhen parlamente të reja rajonale, fillimisht në Baden-Vyrttemberg dhe Rajnland-Pfalc, në 14 Mars. Zgjedhjet parlamentare do të mbahen në vjeshtën e vitit të ardhshëm.

aud (faz, ndr, br)

Ngjarja paraprake

Nga Lufta e Ftohtë, në Luftën Gri; konflikti në internet intensifikohet

Ngjarja e ardhëshme

Historia e një gruaje që i shoqi e braktisi pak ditë para dasmës së tyre përrallore

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian