Çavuşoğlu: Zgjidhja e mosmarrëveshjeve Turqi-SHBA është një nevojë urgjente

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, tha sot se gjetja e mënyrave për të zgjidhur mosmarrëveshjet midis Turqisë dhe SHBA-së është një nevojë urgjente jo vetëm për marrëdhëniet dypalëshe, por edhe për bashkëpunimin transatlantik, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Turqia vlerëson marrëdhëniet e saj të rrënjosura thellë me SHBA-në. Ne kemi një aleancë që i ka rezistuar kohës dhe ka qenë e dobishme në formësimin e peizazhit politik transatlantik”, tha ministri Çavuşoğlu, duke folur për agjencinë spanjolle të lajmeve EFE gjatë vizitës së tij në Madrid.

Kryediplomati turk vuri në dukje se Ankaraja dhe Washington aktualisht nuk janë dakord mbi disa çështje të rëndësishme, veçanërisht në lidhje me sigurinë kombëtare të Turqisë, të tilla si ndihma e SHBA-së për grupin terrorist PKK/YPG, mosveprimi i saj kundër Organizatës Terroriste FETO dhe sanksionet e saj kundër Turqisë.

Ai shprehu vlerësimin e Turqisë për vizitën e presidentit të zgjedhur Joe Biden në Ankara gjatë kohës sa shërbente si nënkryetar në administratën Obama, pas përpjekjes pëe grushti shteti më 15 korrik 2016 nga FETO, duke treguar solidaritetin e tij me qeverinë dhe kombin turk.

“Kështu, ne shpresojmë që kjo përvojë e dorës së parë të rrezikut të paraqitur nga kjo organizatë terroriste do të lejojë administratën e re të SHBA-së që të ndërmarrë veprime urgjente dhe konkrete ndaj FETO-s dhe udhëheqësit të saj”, tha Çavuşoğlu.

“Por mbi të gjitha, ne shpresojmë që ju, administrata e re e SHBA-së, të njihni rëndësinë strategjike të marrëdhënieve turko-amerikane dhe të ndërmerrni hapat e nevojshëm për të rritur potencialin e saj të plotë. Mënyra për ta bërë këtë është të adresojmë mosmarrëveshjet tona përmes dialogut dhe diplomacisë, siç bëjnë aleatët”, shtoi ai.

Çavuşoğlu tha se një hap i mirë i parë për ta bërë këtë do të ishte heqja e sanksioneve të administratës Trump kundër Turqisë të imponuara në bazë të Aktit të Kundërvënies së Armiqve të Amerikës përmes Sanksioneve (CAATSA).

Më 14 dhjetor 2020, SHBA vendosi sanksione ndaj Turqisë lidhur me blerjen e sistemit rus të mbrojtjes raketore S-400.

Në prill të vitit 2017, kur përpjekjet e saj të zgjatura për të blerë një sistem të mbrojtjes ajrore nga SHBA u treguan të kota, Turqia nënshkroi një kontratë me Rusinë për të blerë mburojën raketore.

Zyrtarët e SHBA-së kanë shprehur kundërshtim për vënien e sistemit në përdorim, duke pretenduar se ai nuk do të ishte në përputhshmëri me sistemet e NATO-s dhe do të ekspozonte avionët F-35 ndaj dredhive të mundshme ruse.

Megjithatë, Turqia theksoi se sistemi S-400 nuk do të integrohet në sistemet e NATO-s dhe nuk përbën asnjë kërcënim për aleancën ose armatimet e saj.

Zyrtarët turq kanë propozuar vazhdimisht një grup pune për të shqyrtuar çështjen e përputhshmërisë teknike.

“Nuk ka vend për kërcënime ose sanksione midis aleatëve. Këto sanksione, pavarësisht qëllimit ose bazës, janë një fyerje e drejtpërdrejtë e sovranitetit të Turqisë”, shtoi Çavuşoğlu.

Ai gjithashtu theksoi se Turqia është një aleat i shquar i NATO-s dhe kontribuon në përpjekjet e aleancës për të përmbushur detyrat themelore, veçanërisht në mbrojtjen kolektive, administrimin e krizave dhe bashkëpunimin e sigurisë.

“Ne jemi një nga pesë kontribuesit më të mëdhenj në misionet dhe operacionet e aleancës dhe kontribuuesi i tetë më i madh në buxhetin e përbashkët të NATO-s”, tha ai.

Çavuşoğlu shtoi se NATO ofron një bazë të fuqishme për përmirësimin e marrëdhënieve me SHBA-në, duke shtuar se administrata e re duhet të njohë rëndësinë e Turqisë brenda aleancës.

“Shpresojmë që administrata e Biden-it do ta shohë këtë dhe do të angazhohet me ne në një dialog kuptimplotë që do të na ndihmojë të kthehemi në agjendën tonë reale dhe të fillojmë të bashkëpunojmë në mënyrë më efektive për disa çështje duke filluar nga Siria e deri te Libia”, tha ai.

“Në këtë drejtim, mesazhet fillestare që vijnë nga administrata e Biden-it në lidhje me rëndësinë e marrëdhënieve transatlantike dhe multilateralizmin efektiv, si dhe angazhimin për bashkëpunim konstruktiv me aleatët, janë mjaft inkurajuese. Çdo hap në këtë drejtim do të sillte përfitime si për marrëdhëniet tona ashtu edhe për komunitetin më të gjerë transatlantik”, shtoi ai.



. .

Ngjarja paraprake

Traore i jep fund thatësirës 11 mujore, shënon ndaj Crystal Palace

Ngjarja e ardhëshme

Mkhitaryan zgjat kontratën me Romën

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian