Bushi: Pandemia na ka modifikuar listën

“Falënderoj FSHF-në që më dha mundësinë të drejtoj edhe për një edicion eliminator kombëtaren Shpresa. Shpresoj që të bëjmë sa më mirë jo vetëm për të furnizuar kombëtaren A, por edhe për të arritur diçka me Shqipërinë U21”, tha Alban Bushi në nisje të konferencës për shtyp, ku prezantoi edhe listën me 26 futbollistë të grumbulluar për dy miqësoret e planifikuar për këtë fund-muaji.

Tekniku i Shpresave pranoi se ka pasur jo pak vështirësi për të përpiluar listën, qoftë për shkak të dëmtimeve të lojtarëve, por mbi të gjitha për shkak të situatës së krijuar nga pandemia, që ka bërë të pamundur udhëtimin e shumë lojtarëve.

“Kemi marrë shumë futbollistë, disa prej të cilëve të datëlindjes 2001-2002, të cilët duam t’i shohim nga afër, pasi janë baza për të ardhmen. Dua të falënderoj edhe futbollistë shqiptarë të Kosovës si Lundrim Hetemi, Hajdin Salihu i Lokomotivës apo Bytyçi i Kukësit, të cilët zgjodhën Shqipërinë dhe vijnë për herë të parë në këtë grumbullim. Kemi vuajtur jo pak për të bërë listën, pasi portieri Molla është dëmtuar, ndërsa në plan kemi pasur edhe 4-5 lojtarë që luajnë në Angli e Skoci, por që nuk kanë ardhur për shkak të pandemisë”, deklaroi Bushi.

Gjatë vitit të kaluar shumë futbollistë të Shqipërisë U21 bënë hapin e madh, duke kaluar te Kombëtarja A, ndërsa Bushi e pranon se te Shpresat ka ndryshime të shumta, por baza mbetet dhe është kryesisht me futbollistë të Superiores.

“Ka pasur ndryshime të shumta të them të drejtën dhe kanë ardhur shumë futbollistë të rinj, por baza është pak a shumë e njëjtë dhe mbahet me lojtarë të Tiranës, Laçit apo Kukësit, që do të mbajnë peshën e Shqipërisë U21. Ne i kemi prioritet të gjithë futbollistët që luajnë në Kategorinë Superiore dhe i ndjekim vazhdimisht nga afër. Nëse kanë vlera, atëherë u japim mundësinë menjëherë”, tha tekniku kuqezi.

Sa u përket eliminatoreve, Bushi pranoi se ka bërë disa gabime për shkak të mungesës së eksperiencës, por u shpreh mjaft optimist për edicionin e ardhshëm me Shpresat kuqezi.

“Gjatë edicionit të kaluar mund të kishim bërë më mirë dhe tani edhe unë e pranoj se situata të caktuara nuk i kam menaxhuar si duhet, kjo edhe sepse njeriu mëson nga eksperienca. Jam optimist se do të bëjmë një edicion mjaft të mirë, pasi kemi futbollistë të talentuar, që luajnë në ekipe mjaft të njohura dhe mund të përballemi denjësisht me këdo”, deklaroi Bushi.

Tekniku i Shpresave u shfaq mjaft optimist edhe për të ardhmen e Kombëtares Shqiptare, duke deklaruar se kuqezinjtë do të bëjnë shumë mirë, duke kaluar ture e duke marrë pjesë në Europianë e Botërorë.

“Unë e kam thënë vazhdimisht që Shqipëria do të ketë një të ardhme të ndritur.

E them këtë pasi shoh që kemi futbollistë të shumtë të rinj, që luajnë në skuadra të mëdha europiane. Nëse kemi elementë të tillë, atëherë pse të mos përballemi denjësisht me skuadra të mëdha. Unë jam optimist”, tha Bushi.

Ngjarja paraprake

Ekzekutimi i Mond Çekiçit, flet banorja e lagjes ku ndodhi atentati: Dëgjuam krisma

Ngjarja e ardhëshme

Rinia në këmbë për REGJISTRIMIN, sensibilizon diasporën (FOTO)

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian