Bushi: Jam optimist, skuadra është e motivuar

Shqipëria U-21 do të zhvillojë ditën e nesërme ndeshjen e parë kualifikuese ndaj Republikës Çeke, e vlefshme për Kampionatin Europian 2023. Në prag të kësaj sfide të rëndësishme, trajneri i skuadrës U-21, Alban Bushi ka dalë në një konferencë për mediat, ku ka folur në lidhje me gjendjen e skuadrës dhe synimet e ekipit për këtë ndeshje. Tekniku kuqezi shprehet i kënaqur dhe i mbushur me optimizëm nga i gjithë grupi.

“Në përgjithësi jemi shumë mirë. Jam shumë i kënaqur nga i gjithë grupi, fizikisht janë shumë mirë, pavarësisht mungësave që kanë ikur në ekipin e parë që na i kanë prishur pak ekuilibrat, por jemi munduar që ta miksojmë pak grupin edhe për ditëlindjet për sezonin tjetër 2002, 2003, 2004. Në përgjithësi skuadra është mirë, sidomos ditën e djeshme ka qenë një stërvitje shumë e mirë dhe më kanë bërë shumë optimist” – shprehet Bushi.

Më tej, Alban Bushi thotë se objektivi kryesor i skuadrës U-21 është furnizimi i Kombëtares A me lojtarë të rinj, që është një objektiv i realizuar, por kjo nuk i shërben ekipit U-21 në ndeshjet e tyre. – U bëra disa vite në drejtimin e skuadrës U-21 dhe kemi pasur probleme gjithmonë. Ne jemi një vend i vogël dhe objektivat nuk janë madhor për U-21. Pra, objektivi ynë është personal, lojtarët duan të kualifikohen në Europian, por si objektiv madhor ne kemi ekipin A. Kemi çuar shumë lojtarë në ekipin A si asnjëherë më parë, Shqipëria ka 80% të ekipit me lojtarë që i kanë ardhur nga moshat. Dhe për këtë arsye jemi shumë të gëzuar dhe të lumtur, si Federatë, si Drejtori Teknike sepse është bërë një punë shumë e mirë te moshat, por gjithsesi na prish edhe neve pak ekuilibrat sepse 2-3 lojtarë të mirë, po të lëvizin nga U-21 bëjnë diferencën dhe kur përballesh më pas me ekipe të forta dhe me cilësi duhet të marrësh edhe rezultat. Kjo na i ka prishur pak objektivat që kishim, por gjithsesi jemi të lumtur sepse po shkojmë mirë.

Barazimi nuk do ta kënaqte Bushin, i cili thekson se që nga ndeshja e fundit me Çekinë, skuadra ka mësuar shumë dhe i ka marrë masat për t’u paraqitur në mënyrën më dinjitoze të mundshme. “Nuk do isha i kënaqur. Pa dyshim që do jëtë një ndeshje e fortë, një ndeshje me emocion, e luftuar nga të dyja ekipet për ta fituar. Ne jemi përgatitur shumë për këtë ndeshje. E vlerësojmë shumë ekipin çek, është një ekip që thuajse çdo sezon merr pjesë në Kampionatin për moshat u-21. Kemi luajtur më parë me ta në Çeki, na kanë mundur thellë, për gabime individuale, që tek unë i pari, te futbollisti i fundit.

Gjithsesi kemi mësuar, jemi përmirësuar dhe shpresojmë t’i bëjmë yzmetin deri në fund, të luftojmë shumë, të sakrifikojmë shumë dhe me ndihmën e tifozëve, shpresoj se do të arrij një rezultat pozitiv. Kam shumë besim tek ekipi, jam dhe shumë optimist. I kemi marrë të gjitha masat, e di edhe se ku do ta sulmojmë kundërshtarin, ku i kanë difektet. E di edhe se ku nuk duhet të përballemi me ta, ku ata janë të fortë dhe shpresoj që të bëhet një ndeshje shumë e bukur nesër” – vijon Bushi.

Sa i përket formacionit që do të hedhë nesër në fushë, trajneri Bushi shprehet se e ka menduar se cilët lojtarë do të aktivizojë. “E kam menduar, kemi 5 ditë në grumbullim, nesër është ndeshja. I kemi bërë të gjitha stërvitjet, sot do bëjmë vetëm ca reagime për të qenë në formë ditën e nesërme.

Nuk mund të themi ekipi ideal sepse kemi mungesa shumë, si Bajrami dhe Asllani që ne i kishim programuar për këtë ndeshje, por janë tek ekipi A dhe i kanë prishur pak ekuilibrat. Por me lojtarët që kam, jam shumë i kënaqur nga ata dhe e dinë se çfarë duhet të bëjnë, e dinë se çfarë i pret, e dinë se si duhet të luftojnë, e dinë objektivin tonë që nëse ne fitojmë nesër me Çekinë i afrohemi një pikë atyre dhe kemi edhe tre ndeshje të tjera, pavarësisht se dy janë me Anglinë dhe një është me Kosovën, por në futboll çdo gjë mund të ndodhë.

Jemi shumë të përgatitur për këtë ndeshje, shumë të motivuar. Jemi ekip modest, në rangun europian dhe botëror dhe duhet të vlerësojmë çdo kundërshtar, jo vetëm Çekinë dhe duhet të japim maksimumin. Duhet të kënaqemi kur luajmë, duhet të argëtojmë veten tonë, familjet tona, publikun tonë dhe të marrim rezultate pozitive, pavarësisht se objektivat madhore ia lëmë Çekisë, Anglisë dhe ekipeve të tjera të forta” – thotë Bushi që ka edhe një thirrje për tifozët shqiptarë, teksa i konsideron si një faktor mjaft të rëndëisishëm për ekipin shqiptar.

“Tifozët shqiptarë në stadiume dhe rëndësia e tyre për ekipin – Janë bërë 3 sezone që drejtoj ekipin U-21.

Kudo që shkojmë jashtë ka tifozë. Nuk janë shumë, 2000-3000 në çdo qytet dhe japin një ndihmë shumë të madhe.

Ne e kuptojmë shumë mire dhe e dimë shumë mire se sa i rëndësishëm është tifozi për ekipin Kombëtar shqiptar, sepse kam luajtur me ta, kam luajtur me tifozë dhe pa tifozë dhe e di shumë mirë se sa rëndësi ka për një ndeshje. Ata janë një faktor shumë i rëndësishëm. Kur ekipi i U-21 humb, flasin të gjithë, edhe një tifoz flet, pse humbi, pse nuk humbi, por nuk është se jep ndihmën e tij. Unë shpresoj që ta japë ndihmën e vet.

Ndihma e çdo tifozi është shumë e rëndësishme. Është lojtari i 12-të, të ndihmon shumë. Unë e kam parë shumë herë kur kemi luajtur me tifozë, në ‘’Elbasan Arena’’, e kam parë shumë mirë se çfarë motivi i kanë dhënë ekipit dhe sa bukur ka luajtur ekipi kur ata kanë qenë aty. Shpresoj të jenë sa më shumë, do jenë një motiv shumë i madh për ekipin tone”.

Mision i plotësuar nëse lëmë poshtë, Andorrën, Kosovën dhe Slloveninë? 

Unë mendoj që rezultat pozitiv quhet kur ti kualifikohesh, sepse u bë kaq vite që ne luajmë dhe për pak nuk jemi kualifikuar, pavarësisht se kanë qenë ekipe shumë të forta. Unë dëshiroj shumë të kualifikohemi. Kemi qenë shumë afër kualifikimit këtë vit, por duke pare që ekipi A merr shumë lojtarë te ne, kjo na ka penalizuar, për ta thënë shumë hapur, sepse ne kishim dy ndeshjet e fundit ku jemi mundur si në Slloveni dhe në Kosovë. Nëse ne do të kishim Brojën dhe Kumbullën, ata janë lojtarë shumë deçizivë dhe për ekipin A, jo më për U-21.

Ne do i kishim fituar dy ndeshjet dhe sot do të ishim me 15 pikë dhe Çekia me 13, por objektivi madhor I FSHF-së ka qenë ekipi Kombëtar A. Do të vijë një ditë shumë shpejt, që pasi të mbushet ekipi A, siç është mbushur me lojtarë të rinj, shpresojmë që sezonin tjetër të fokusohemi vetëm te lojtarët e mirë dhe ekipi A të mos na marrë më lojtarë, që edhe ne të kualifikohemi sepse është gjë e mirë për Shqipërinë.

Është e mirë edhe për Federatën sepse sjell të ardhura. Kështu që duhet fillimisht të marrim një vendim madhor që ekipin U-21 ta çojmë në kampionatin europiane sepse i kemi të gjitha cilësitë. Vetëm sot në ekipin Kombëtar janë Asllani dhe Bajrami, të cilët e kanë moshën jo për këtë sezon, por për sezonin tjetër për të luajtur me U-21, por ata kanë ikur që tani në ekipin e parë. Kjo na bën të gëzuar e të lumutur, e thash dhe më parë, por gjithsesi ne shpresojmë që një vit ne të kualifikohemi me ekipin U-21 – përfundon Bushi.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Rriten infektimet me COVID në 24 orët e fundit

Story i radhës

G7 paralajmëron Rusinë kundër përdorimit të armëve kimike, biologjike ose bërthamore

Të fundit nga