Bulliqi mori pjesë në shënimin e Ditës së Shkollës “Enver Maloku”

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i shoqëruar nga drejtori i Arsimit, Avni Fetahu, mori pjesë në manifestimin e organizuar për nder të Ditës së Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Enver Maloku” në Podujevë.

Në manifestimin e organizuar për shënimin e Ditës së Shkollës, në SH.F.M.U. “Enver Maloku”, ku ishin të pranishëm nxënës, personeli arsimor, Këshilli i Shkollës dhe prindër, kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi tha se ndjehet i nderuar të jetë në kremten e Ditës së Shkollës, e cila mban emrin e intelektualit, publicistit dhe veprimtarit llapjan, i cili 22 vite më parë u vra në një atentat ndaj tij në Prishtinë.

“Enver Malokun me të drejtë mund ta quajmë hero i gazetarisë dhe informimit publik, i cili në kohët më të vështira u vu në krye të një misioni tepër të rëndësishëm dhe të guximshëm për vendin tonë”, tha kryetari Bulliqi.

“Në kohën e okupimit serb dhe territ informativ në Kosovë, Enver Maloku mori përsipër udhëheqjen e Qendrës për Informim të Kosovës, si i vetmi burim i informimit të opinionit të brendshëm e të jashtëm në kohë okupimi të egër e lufte të ashpër”, tha kryetari Bulliqi.

Kryetari Bulliqi, duke përgëzuar nxënësit dhe personelin arsimor të kësaj shkolle për rezultatet e deritashme, u zotua që institucionet komunale do të angazhohen maksimalisht që në shkollat e komunës sonë të krijojmë kushte sa më të mira për mësimdhënie dhe mësimnxënie.

“Sado që këtë vit shkollor e kalendarik e nisëm me telashe e sfida të mëdha si pasojë e pandemisë që e ka kapluar botën, ne nuk e ndalëm, procesin mësimor, herë përmes mësimit nga distanca e herë me punë në grupe. Pandemia do të kalojë dhe do t’i kthehemi normalitetit në çdo fushë të jetës. Ndërsa, një nga prioritetet në punën time si kryetar i Komunës dhe ekzekutivit tim do të jetë, investimi në arsim”, tha kryetari Bulliqi.

Drejtori i shkollës, Agim Hamza, duke përshëndetur të pranishmit foli për historikun e shkollës dhe rezultatet e arritura.

Me këtë rast nxënësit e shkollës shfaqën një program artistik.

Manifestim u mbajt duke respektuar masat anti-Covid, sipas vendimeve dhe akteve tjera të nxjerra nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe rekomandimeve të IKSHPK lidhur me situatën nga Pandemia Covid-19.

Ngjarja paraprake

Vajza e ish-prokurorit Xhevat Hana do përfaqësojë PS në zgjedhje, në zonën e Rrajcës dhe Prrenjasit

Ngjarja e ardhëshme

Ju prezentojmë kreativitetin e fëmijëve nga Qendra për autizëm “Fluturo për jetën”-Tetovë

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian