Britania e Madhe ka mirëpritur marrëveshjet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve.
Kështu ka thënë Ushtruesja e Detyrës së Ambasadores së Britanisë së Madhe në OSBE, Deirdre Brown, në takimin e sotëm të mbajtur në Vjenë për të diskutuar raportin e Shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport.
Ajo ka thënë po ashtu se Britania e Madhe mbështet Kosovën e pavarur dhe sovrane, mirëpo ka kërkuar nga e njëjta që ta zbatojë marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“…ne mirëpresim përparimin e konsiderueshëm që është bërë muajt e fundit në Dialogun e Normalizimit nën Përfaqësuesin Special të BE-së Miroslav Lajçak – përfshirë Marrëveshjen e Brukselit të 27 shkurtit dhe aneksin e zbatimit të saj të negociuar më 18 mars në Ohër. Deklarata e 2 majit për personat e zhdukur është një hap i parë pozitiv, por puna për pjesët e mbetura të Marrëveshjes duhet të vazhdojë pa vonesë”.
“Është e rëndësishme që të dyja palët të angazhohen në Dialog me mirëbesim, të respektojnë angazhimet e tyre dhe të shmangin veprimet ose retorikën që mund të zvogëlojë perspektivat për një marrëveshje normalizimi gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm. Në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, ne i nxisim të dyja palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive, duke përfshirë krijimin e një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë Ambasadorja Brown.
Ndër të tjera, përfaqësuesja britanike në OSBE ka thënë se Kosova për shumë vite është përballur me një sfidë unike – mungesën e një marrëdhënieje normale me fqinjin e saj Serbinë.
Kjo, sipas saj, ka implikime për stabilitetin rajonal dhe një ndikim të dëmshëm në komunitetet në të dy vendet.
Brown tha se është jetike që të gjitha palët të punojnë drejt krijimit të kushteve për një mjedis të sigurt në veri të Kosovës – një mjedis që ofron hapësirë për marrëveshje të qëndrueshme dhe prosperitet në rritje, në vend të izolimit dhe vakumit të vazhdueshëm të sigurisë.
Ajo tha se Mbretëria e Bashkuar “mbetet një mbështetëse e gjatë dhe e fortë e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran”.
Ndërkaq, theksoi se renditja e fundit e Kosovës në Freedom House dëshmon se vendi po përparon.
“Ne mbetemi të përkushtuar për të mbështetur një demokraci gjithëpërfshirëse, të larmishme dhe multietnike në Kosovë dhe pjesëmarrjen e saj të plotë në sistemin ndërkombëtar. Ne vlerësojmë angazhimin dhe përkushtimin e vazhdueshëm të Misionit [të OSBE-së, shën.red.] në punën e tij për forcimin e institucioneve të Kosovës. Përmirësimi i konsiderueshëm gjatë vitit të kaluar – i reflektuar në renditjen ndërkombëtare të Freedom House për të drejtat politike dhe liritë civile – është dëshmi e përparimit të Kosovës”, tha ambasadorja Brown në fjalën e saj.
Veç këtyre, përfaqësuesja e MB-së në OSBE vlerësoi punën e këtij misioni në monitorimin e situatës së përgjithshme të sigurisë gjatë zgjedhjeve të parakohshme komunale në veri të Kosovës më 23 prill – ndërsa theksoi se Misioni nuk kishte një rol të drejtpërdrejtë në vetë procesin zgjedhor.
“Na vjen keq për mungesën e pjesëmarrjes së partive politike serbe të Kosovës në këto zgjedhje dhe për mungesën e zgjedhjes si pasojë e serbëve të Kosovës. Raportet për presione dhe kërcënime për të mos marrë pjesë janë shqetësuese”, potencoi Ushtruesja e Detyrës së Ambasadores së Britanisë së Madhe në OSBE, Deirdre Brown.