Britani, ish-lideri i Partisë Laburiste, Corbyn, ndalohet të marrë pjesë në grupin parlamentar të partisë

Lideri i Partisë Laburiste në Britani, Keir Starmer, njoftoi se ish-udhëheqësi Jeremy Corbyn, anëtarësia e të cilit u rikthye pas pezullimit si pasojë e një raporti mbi ankesat për antisemitizëm, nuk do të mund të marrë pjesë në grupin parlamentar të partisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë në llogarinë e tij në Twitter, Starmer tha se Corbyn, me përgjigjen ndaj raportit të Komisionit për Barazi dhe të Drejta të Njeriut (EHRC), minoi përpjekjet e partisë për të rikthyer besimin në luftën e saj kundër antisemitizmit.

Duke vënë në dukje se komuniteti hebre nuk e miraton vendimin për kthimin e anëtarësisë së Corbyn-it, Starmer deklaroi se në këto kushte, është vendosur të vazhdojë ndalesa për pjesëmarrjen e ish-udhëheqësit laburist në grupin parlamentar të partisë.

Me këtë, Corbyn nuk do të jetë në gjendje të votojë ose të flasë në emër të partisë, pavarësisht se anëtarësia e tij në parlament vazhdon, ndërsa ai do të pranohet si deputet i pavarur në aktivitetet parlamentare.

Në Mbretërinë e Bashkuar, liderët mund të ndalojnë që ligjvënësit e partive të marrin pjesë në grupet parlamentare.

Ndryshe, në raportin e EHRC-së të publikuar muajin e kaluar, thuhej se “Ka pasur dështime serioze në trajtimin e antisemitizmit në kryesinë e Partisë Laburiste dhe një proces joadekuat është zbatuar për të trajtuar ankesat për antisemitizëm”.

Raporti theksonte se ish-udhëheqësi Jeremy Corbyn është përgjegjës për atë që ka ndodhur në kohën e tij.

Ndërkaq, në një deklaratë në lidhje me raportin, Corbyn ishte shprehur se hetimet mbi këtë çështje ishin “bllokuar në burokracinë e partisë”, por se shkalla e problemit është ekzagjeruar në mënyrë dramatike nga kundërshtarët brenda dhe jashtë partisë dhe shumica e mediave për arsye politike.

Pas raportit dhe deklaratave të Corbyn-it, Partia Laburiste pezulloi anëtarësinë e tij deri në finalizimin e hetimit ndaj tij.

Megjithatë, Komiteti Ekzekutiv i partisë, në një mbledhje më 17 nëntor, 19 ditë pas pezullimit, vendosi në favor të vazhdimit të anëtarësisë së Corbyn-it.

Duke reaguar ndaj vendimit, Starmer tha: “E di që kjo është një ditë tjetër e dhimbshme për komunitetin hebre dhe anëtarët e Partisë Laburiste që përpiqen ta trajtojnë antisemitizmin”.

71-vjeçari Corbyn vendosi të japë dorëheqje nga posti i liderit të partisë pas humbjes së madhe në zgjedhjet e mbajtura në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa Keir Starmer u zgjodh si udhëheqës më 4 prill.



. .

Ngjarja paraprake

4 të shëruar dhe 8 raste të reja me covid-19 në Malishevë

Ngjarja e ardhëshme

SHBA: Rritet në 254.315 numri i të vdekurve nga COVID-19

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian