Bora Zemani dhe Donald Veshaj gati për bashkëjetesë! Si po përdorin çifti famën për fitime, do hapin edhe biznes së bashku

Merr fund loja e Borës dhe Donaldit. Moderatorja ka publikuar foton e parë me Donald Veshajn në “Instagram”, duke zyrtarizuar kështu ribashkimin.

Ajo ka ndarë një selfie ku shfaqen të dy. “Na lini të kërcejmë”, shkroi ajo krah fotos. Çifti shihet në studion e “Më lër të flas”, ku do të jetë e ftuar në emisionin e vëllezërve Veshaj që nis më 1 tetor.

Po ashtu, mbishkrimi i saj duket si një konfirmim se çifti do jenë bashkëprezantues në “Dancing with the stars”. Kjo vjen pak javë pasi Semi Jaupaj postoi një foto me çiftin në ‘Sunny Hill Festival”.

Më pas, moderatorja dhe aktori ndërmorën një hap tjetër drejt njëri-tjetrit dhe filluan të ndiqen në rrjetin social ‘Instagram’.

Prej muajsh çifti ishte ribashkuar, por duket se kishin vendosur ta jetonin në fshehtësi të madhe këtë lidhje, duke preferuar mos të dalin publikisht. Por axhenda e tyre mediatike i ka bërë që ta pranojnë këtë raport, duke shtuar kështu fansat e tyre që prej muajsh i prisnin.

Por duket se ribashkimi nuk do të mjaftohet vetëm me foto dhe fjalë të ëmbla në emision. Bora dhe Donaldi e kanë marrë shumë seriozisht këtë herë marrëdhënien e tyre, duke e shtrirë edhe në biznes.

Bëhet me dije se dyshja ka bashkuar forcat për të sjellë një linjë të re biznesi. Aktualisht Bora e ka linjën e saj të veshjeve sportive, ndërkohë që bashkë me Donaldin do të lançojnë një tjetër linjë.

Aktualisht të dy po merren ende me skicimin e gjithçkaje dhe pritet që çifti të ketë të reja nga biznesi në nisje të vitit të ardhshëm. Të ndikuar nga popullariteti i madh që dyshja ka, ata po përpiqen ta përdorin famën e tyre edhe për biznes, duke e shndërruar edhe një histori fitimprurëse, veçse të bukur për sytë e publikut.

Bora duket se ka marrë në dorë marrëdhënien e rindërtuar me Donaldin dhe tashmë ata duken sërish gati për të bashkëjetuar. Por duket se këtë herë çifti do të shikojë edhe për një shtëpi tjetër. Në këtë mënyrë, ata lënë pas gjithçka ka ndodhur me lidhjen e tyre të mëparshme 3-vjeçare, duke nisur komplet një jetë të re në krah të njëri-tjetrit.

Në intervistën dhënë përballë të dashurit të saj dhe vëllait të tij binjak, moderatorja zbulon për herë problemet që ata kanë pasur. Duke u ndalur te raporti i saj me Donaldin, Bora rrëfen vështirësitë e problemet.

“Më shumë ziheshim se loznim, më shumë ziheshim se flisnim, një fjalë të mirë nuk ia thoshim njëri-tjetrit”, thotë Donaldi.

Sa i përket ribashkimit, Donaldi ka zbuluar se ka qenë ai që e ka marrë hapin e parë duke i shkruar Borës. Mes të tjerash, Romeo e pyet moderatoren nëse është penduar që e takoi Donaldin në “Big Brother VIP”, përgjigje që do ta marrim ditën e transmetimit të emisionit.

Për të treguar reagimet e rrjetit kur dyshja publikoi foton e parë së bashku që pas ribashkimit, mjafton të themi se postimi ka marrë rreth 7 mijë komente. Mes tyre nuk kanë munguar as reagimet e VIP-ave që kanë treguar mbështetjen apo pëlqimin me ‘likes’ apo komente.

Mes njerëzve që i ka bërë ‘like’ postimit është Jonida Maliqi, e cila ka qenë në lidhje me Romeo Veshajn. Pavarësisht ndarjes, ajo ruan raporte të mira me vëllezërit Veshaj, por edhe me Borën.

Në muajin gusht në ‘Sunny Hill’ në Tiranë ajo madje u fotografua me Donaldin. Vetë Donaldi ka komentuar simbolin e syrit blu që nënkupton mbajtjen larg të syrit të keq. Shoqja e ngushtë e Borës, Semi Jaupaj i shkruan: “Ky emoji përdoret për të mbajtur larg syrin e keq?” si dhe “Dashuri”.

Olta Gixhari ka komentuar me emojin e syve me zemra, Adrola Dushi po ashtu. Ish-konkurrenti i ‘Big Brother VIP’, Kledi Hysa shkruan:“Hopa, pra. Vetëm që ta dish, Donaldi e qan populloren”.

Albana Osmani i ka komentuar emojin e një floku dëbore dhe një zemër të bardhë. U përfol gjatë se Donald Veshaj do të ishte shoqëruesi i Bora Zemanit në “Gold Room” në shown e kërcimit, mirëpo së fundmi është zbuluar se bëhet fjalë për një emër tjetër.

Burime për Kryefjala.com kanë pohuar se një tjetër moderator do të jetë shoqëruesi i Bora Zemanit dhe ai është Eno Popi. Ndonëse pas një pauze në ekran Eno rikthehet sërish në Top Channel.

Me sa kuptojmë, aktori nuk është i gatshëm ta lë akoma programin e tij “Më lër të flas” që e bashkëmoderon me vëllain binjak, Romeo Veshajn. Por ky ribashkim e paska thyer një zemër. E nuk flasim për atë të Beatrix.

Ish-konkurrenti i “Për’puthen”, Atdhe Xharavina, ka reaguar pas zyrtarizimit të rikthimit Bora Zemani-Donald Veshaj. E kur këto foto po bëjnë xhiron e rrjetit, Atdheu ka publikuar në “TikTok” një video me këngën e Elgit Dodës me titull “Lamtumirë”. Kjo këngë është pjesë e triologjisë që ai dhe Donaldi shkruan bashkë dhe i dedikohet historisë së aktorit me Borën.

Jo më kot, Atdheu ka përdorur këtë këngë për videon e tij dhe në një moment të tillë. Trekëndëshit Bora-Donald-Beatrix shpesh i shtohet edhe emri i Atdheut.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Kush është tani portieri kryesor i Juventusit?

Story i radhës

Befasohet Chelsea

Të fundit nga