Blinken: SHBA të shqetësuara nga arrestimi i kreut të opozitës gjeorgjiane

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se Uashingtoni është ‘thellësisht i shqetësuar’ nga arrestimi i udhëheqësit gjeorgjian të opozitës Nika Melia, dhe i kërkoi qeverisë së vendit të shmangë veprimet që mund të shkallëzojnë më tej tensionet.

Policia hyri me forcë në zyrat e partisë së udhëheqësit të opozitës Melia dhe e ndaloi atë të martën në mëngjes, duke thelluar krizën politike e cila bëri që kryeministri i vendit të jepte dorëheqjen javën e kaluar.

Mbështetësit e zotit Melia ishin ngujuar nëpër zyra, duke përdorur mobiljet për të bllokuar dyert. Shumë policë u futën në ndërtesë dhe përdorën shkallët e zjarrfikësve për të depërtuar përmes çatisë.

Image

Nika Melia

Shtatëmbëdhjetë njerëz u lënduan në përleshjet midis policisë dhe aktivistëve, njoftoi agjencia e lajmeve Interfax. Disa aktivistë u panë duke u kollitur dhe patën acarim të syve kur policia i spërkati me gaz nga bombolat që mbante në dorë.

Melia, kryetar i partisë Lëvizja Kombëtare e Bashkuar (UNM) në Gjeorgji, një shtet i Kaukazit të Jugut me 3.7 milion banorë, është akuzuar për nxitje dhune në protestat e qershorit 2019, akuzë që ai e hedh poshtë si të motivuar politikisht.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se zhvillimet e fundit në Gjeorgji bien ndesh me me aspiratat e saj euro-atlantike.

Parlamenti zgjodhi të hënën një kryeministër të ri, Irakli Garibashvilin, për të zëvendësuar Giorgi Gakharian, i cili dha dorëheqjen javën e kaluar pasi një gjykatë urdhëroi ndalimin e Melias, një hap për të cilin Gakharia tha se do të shkaktonte trazira politike.

Në një video të postuar në Facebook të martën vonë, kryeministri i ri bëri thirrje që “të gjitha forcat politike…të fillojnë një dialog të vërtetë”.

Qindra njerëz në protesta

Qindra njerëz u mblodhën jashtë parlamentit për të protestuar kundër ndalimit të Melias dhe ngritën dy çadra në kryeqytetin Tbilisi. Një protestues mbante një pankartë që bënte thirrje për zgjedhje të parakohshme, dorëheqjen e qeverisë dhe lirinë e “të burgosurve politikë”.

Një anëtar i partisë UNM bëri thirrje për një marshim të madh proteste të premten, njoftoi media Rustavi 2.

Ministria e Brendshme tha se nuk kishte asnjë mundësi tjetër përveç përdorimit të masave të forcës në zyrat e partisë së Melias, pasi aktivistët nuk kishin përfillur paralajmërimet e shumta për të mos penguar punën e tyre.

“Retorika polarizuese, forca dhe agresioni nuk janë zgjidhja për dallimet politike të Gjeorgjisë,” tha Sekretari Blinken në një deklaratë. “Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të shmangin veprimet që mund të përshkallëzojnë më tej tensionet dhe të angazhohen në negociata me mirëbesim për të zgjidhur krizën aktuale politike,” tha ai.

Ambasada amerikane më herët shprehu keqardhje që thirrja e saj për përmbajtje dhe dialog nuk ishte përfillur.

Ambasadori i Britanisë, Mark Klejton, kërkoi përmbajtje nga të gjitha palët. Ambasadori i Bashkimit Evropian bëri thirrje për përpjekje për të gjetur gjuhë të përbashkët.

“Logjika e përshkallëzimit po merr epërsi. Kriza politike po thellohet,” shkroi në Twitter diplomati i BE-së, Carl Hartzell.

Zygimantas Pavilionis, i dërguar special i parlamentit lituanez i cili u kthye të hënën nga një mision ndërmjetësues në Gjeorgji, tha se autoritetet kishin kërkuar mbështetje nga diplomatët perëndimorë për masa të forta.

“Ata po kërkonin dritë jeshile nga unë, nga ambasadori i BE-së, nga ambasadori amerikan. Unë thashë, në asnjë mënyrë,” u shpreh ai. “Tani demokracia po merr fund atje.”

Javën e kaluar, një gjykatë urdhëroi arrestimin e zotit Melia me pretendimin se nuk kishte pranuar të jepte garanci për t’u paraqitur në gjyq. Gakharia dha dorëheqjen papritur të enjten, duke përmendur si shkak mosmarrëveshjen me ekipin e tij rreth urdhrit të arrestimit. Ministria e Brendshme fillimisht e shtyu ndalimin e zotit Melia për shkak të dorëheqjes së kryeministrit.

Kryeministri i ri, Garibashvili, ka qenë në këtë post nga viti 2013 deri në 2015. Kandidatura e tij u paraqit nga partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane.

Ngjarja paraprake

Ka vetëm një mënyrë të shpejtë dhe të pamundimshme për të eleminuar celulitin; Zbulojeni këtu

Ngjarja e ardhëshme

Plagosën me armë zjarri nënë e bir pas sherrit për një vend parkimi, policia arreston dy vëllezërit

të fundit nga