Blinken: Rusia mund ta pushtojë Ukrainën çdo moment

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se Rusia vazhdon të mbledhë trupa në kufi me Ukrainën dhe mund të nisë pushtimin në çdo moment, duke përfshirë edhe periudhën sa mbahen Lojërat Olimpike Dimërore në Pekin.

Ai ka thënë se Uashingtoni vazhdon të “tërheqë” stafin e ambasadës nga Kievi dhe ka përsëritur thirrjen e Departamentit amerikan të Shtetit që shtetasit amerikanë të largohen nga ky shtet menjëherë.

Thënë thjesht, ne vazhdojmë të shohim shenja të turbullta të përshkallëzimit rus, duke përfshirë arritjen e forcave të reja ruse në kufirin ukrainas”, ka thënë Blinken në një konferencë në qytetin Australian, Melbërn më 11 shkurt.

Siç e kemi thënë më parë, ne mund të përballemi me pushtim në çdo kohë, dhe të jem i qartë, aty përfshihet edhe periudha e Lojërave Olimpike Dimërore”.

Edhe presidenti amerikan, Joe Biden, u ka bërë thirrje të gjithë shtetasve amerikanë që janë në Ukrainë të largohen nga ky shtet menjëherë, pas rritjes së kërcënimeve për veprime të ushtrisë ruse.

Shtetasit amerikanë duhet të largohen tani”, ka thënë Biden të enjten për NBC News.

Ne po përballemi me një prej ushtrive më të mëdha në botë. Është situatë krejt ndryshe dhe gjërat mund të përshkallëzohen shpejt”.

I pyetur nëse ekziston një skenar që mund ta shtyjë atë të dërgojë trupa ushtarake për t’i shpëtuar amerikanët, Biden ka thënë se nuk ka.

Bëhet luftë botërore kur amerikanët dhe rusët nisin të shtëna ndaj njëri-tjetrit. Ne jemi në një botë krejt ndryshe prej asaj që kemi qenë”.

Rusia ka mohuar vazhdimisht se ka plan të pushtojë Ukrainën, pavarësisht se ka mbledhur më shumë se 100 mijë trupa afër kufirit.

Ndërkohë Rusia ka nisur edhe stërvitjet masive ushtarake me shtetin fqinj, Bjellorusinë.

Ukraina ka akuzuar Rusinë për bllokim të qasjes në det.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dymtro Kuleba, ka thënë se Deti Azov është bllokuar plotësisht dhe Deti i Zi është mbushur me forca ruse.

Stërvitjet detare të Rusisë nisin javën e ardhshme në dy detet në jug të Ukrainës.

Rusia ka lëshuar paralajmërime se do të ketë gjuajtje me raketa dhe armë tjera gjatë stërvitjeve.

Moska ka thënë se nuk mund ta pranojë që Ukraina – ish-republikë sovjetike me lidhje të forta socio-kulturore me Rusinë – t’i bashkohet një ditë NATO-s dhe ka kërkuar që kjo të mos ndodhë ndonjëherë.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka thënë të enjten se Evropa po përballet me krizën më të madhe të sigurisë në dekada për shkak të këtyre tensioneve.

Liderët botërorë vazhdojnë të deklarohen se diplomacia duhet të shërbejë për ulje të krizës rreth Ukrainës.

Rusia dhe Ukraina kanë njoftuar të enjten vonë se kanë dështuar që të arrijnë në ndonjë pikë kyçe në bisedimet me zyrtarë francezë dhe gjermanë, me qëllim të dhënies fund të konfliktit separatist në lindje të Ukrainës.

Tensionet aktuale kanë ardhur tetë vjet pasi Rusia ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë.

Prej atëherë, ushtria ruse ka luftuar me rebelët e përkrahur nga Rusia, në lindje të shtetit.

Kryeministri britanik ka thënë se shpreson në “diplomaci të durueshme” për të gjetur rrugën në këtë krizë, ndonëse rreziqet janë të mëdha.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë gjatë një konference me homologen e tij britanike, Liz Truss se bisedimet kanë qenë “zhgënjyese”.

Ai ka thënë se marrëdhëniet në mes të Mbretërisë së Bashkuar dhe Rusisë “lënë për të dëshiruar” dhe se “janë në pikën më të ulët në vjetët e fundit”.

Truss ka akuzuar Rusinë për “retorikë të Luftës së Ftohtë”.

Ka shqetësime se nëse Rusia tenton të pushtojë Ukrainën, stërvitjet e afrojnë ushtrinë ruse afër kryeqytetit ukrainas Kiev, duke e bërë më të lehtë sulmin aty.

Rusia, në anën tjetër, ka deklaruar se trupat e saj do të kthehen në baza të përhershme pas përfundimit të stërvitjeve.

Ukraina ka nisur stërvitjet e veta ushtarake 10-ditore, mirëpo zyrtarët kanë dhënë pak hollësi./REL

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Turkey (Unintentionally) Builds Case for Bitcoin as It Plans to Convert Citizens’ Gold to Lira

Story i radhës

Ndikimi pozitiv i ushtrimeve fizike në tru

Të fundit nga