BISHTALECJA ME VESHJE MASHKULLI

Nga Ismail Arsllani

  Mjegulla të errëta, katran, kishin mbërthyer rradaken e tij, shkaku i rrjedhave jetësore që i dolën duarsh, mbase, paksa edhe nga një shqetësim që ulej herë-herë këmbëkryq në kokën e tij, duke prekur qendrën e lumturisë, për të cilën ende s’ishte gjetur ilaçi, pos ngritjes vertikale të karakterit. Bëri një shteg të shkurtër rreth e rrotull dhomës, hapi dollapin, prej nga nxori një album të vjetër fotografish. Sapo hapi kopertinat e tij të trashë, spikati një foto të vjetër gjysmëshekullore. Me sy të zgurdulluar eci gjurmëve të së kaluarës. Ishte  një fotografi që fliste vetë për një histori të tërë. Pasi kaloi përmbi të me pëllëmbën e dorës, një shprehi e ngulitur për fshirjen e pluhurit, sytë u përqendruan te mësuesja e tij, atëbotë shumë e re, por që kishte shkuar në amshim në moshë të thyer. Njëherësh i kaluan para “syve” të kujtesës edhe mësuesja e foshnjores, pastaj mësuesi prej të cilit mësoi shkronjën e parë.

     Mësuesja që kishte ardhur në klasën e dytë të fillores, që kishte zënë vend në mesin e fotografive të tjera të albumit, ishte aq e re, e brishtë, si një filiz peme ende pa fruta. Ajo, mbase, ishte ngjeshur me shumë edukatë, shije e civilizim, kur i shihje ata vogëlushë e vogëlushe aq të urtë e të veshur për bukuri, në një kohë e pakohë të varfërisë së madhe ndër popull. Për një çast fiksoi sytë se ku gjendej vetë në foto, duke vërejtur se sa i turpshëm kishte dalë para kamerës, pas së cilës njeriu prej fotografi hidhte mbi kokë një pëlhurë të zezë e me dorën e djathtë, jashtë saj, me një sustë skaj gajtanit, para se ta shtypte çastin e kujtimit të përjetshëm, i bënte disa gjeste që të qeshnin. Shikoi një nga një shokët e klasës, përderisa nuk dolën në shiritin e kujtesës disa që ishin bërë mësues e profesorë, doktorë e çka jo tjetër. Disa ishin tretur nga kujtesa e tij.

     Mësuesja nga albumi dukej shumë e dashur, e kishin nënë të dytë. Nënën nganjëherë nuk e dëgjonin, po aq sa edhe mësuesen. Fjala e mësueses zinte vend. Atëherë flakëroi një moment prej kujtese, që kishte ndodhur në klasën e katërt. Kishte vizatuar një elefant në bllokun e skicimit, aq real po dukej, saqë mësuesja kishte mbetur pa gojë. Një elefant të tillë, të ngjashëm, kishte pasur dhuratë nga daja, para se të hynte në shkollë. Mësuesja e mahnitur shkrepi: “Ti do të bëhesh vizatues!” Ai aq shumë u gëzua, saqë për pak që s’fluturoi pa krahë.

     -Eh, që ia paskam çuar porosinë e saj në vend!, – psherëtiu Valton Duka vetë më vete, i cili kishte kryer artin figurativ.

     Me dalldisje iu qesëndis albumit të tij, duke mos vërejtur se po belbëzonte diçka. E shikon atë, në rreshtin lart, i treti nga e djathta; ky do të jetë Heqimi, i cili u shpërngul shumë vonë në një shtet ish-perandorak, pas dyndjeve të mëdha që u bënë në vendlindjen e tij. Madje kishte kryer shkollën e mesme në vendlindje. Prafulloi edhe një sekuencë kujtimi: Ky Heqimi prej shoku ishte pikërisht ai që ishte nisur diku dhe, hop, u regjistrua në mjekësi, ndërsa Valton Duka ishte nisur për mjekësi dhe e gjeti veten në shkollë mësuesie. Çfarë fatesh jetësore që kishin pasur. Për herë të parë në historinë e qytetit të tyre rrëzë bjeshkëve, hapej shkolla për mjekësi dhe mësuesi, për kënaqësinë e moshatarëve të tij. 

     Ai nuk ishte bërë rastësisht vizatues. Kur dalloi në foto një vogëlushe prej lagjeje, rrahën kujtime varg e vistër në rradaken e tij. Ishte kjo me të cilën në banka shkollore kaloi së bashku deri në maturë, kur morën diplomat e mësuesisë. Ishte një profesor hijerëndë që u përsëriste se “secili mësues duhet të di të vizatojë e të shkruajë bukur”. Valton Duka asaj i bënte skica vizatimi në çast, për të shpëtuar nga qortimi i pa kripë i profesorit. 

     Sa i strukur kishte qenë në këtë foto prej kujtimi, shoku i Valton Dukës nga lagjja e një xhamie të vjetër. Seç ia kishte kujtuar atë sfidë prej boksi, larg në harkun kohor prej një gjysmë shekulli. Në shkollën ku mësonin, pasi kryen katërvjeçaren, kishte ardhur një arsimtar i fizkulturës, i cili kishte sjellë disa reforma në lëndën e tij. Një ditë pranvere i kishte nxjerr në pjesën e gjelbër të kopshtit të shkollës dhe aty kishte vendosur një ring. Duhej të dilnin boks, nxënës me nxënës, me doreza profesionale. Do të ishte për notim. Duka, siç e thërritnin, u gëzua tepër, ngase e konsideronte veten si një boksier me teknikë të shkëlqyer. Mendonte se është më i miri. Deshi rastësia që të bënte boks me shokun e tij të ngushtë. Hipën në ring dhe filloi sfida. Sakaq kishte marrë një goditje të fuqishme dhe ishte turbulluar paksa. Kishte shtrënguar dhëmbët dhe ishte sulur, duke ngrënë edhe disa të tjera, por i kishte dhënë edhe ai do  goditje të fuqishme saqë i erdhi keq. Takimi kishte përfunduar baras. Duka që atëherë kishte humbur vetëbesimin se ishte boksieri më i mirë ndër moshatarë. 

     -Po kjo, afër mësueses!, – shtroi dilemë, Duka. Sakaq iu kujtua që ishte ajo, së cilës babai kishte një dyqan pastiçerie në një qytet bregdetar. Me të ishte ndarë pas tetëvjeçares, kur ishin regjistruar në degë të ndryshme në një shkollë të mesme, për t’u bashkuar sërish si të diplomuar në një shkollë fshati. Kishin një drejtor sy shqiponje, prej të cilit gjuha e fyti bënin shkrap, sidomos nëse vonoheshin. Sa kujtime të ëmbla ishin këto për Dukën. Ai ishte mbështetur për bërrylash dhe rrihte mendje se si ishte e mundur që këto vuajtje të atëhershme të dukeshin kaq të këndshme në këtë distancë prej gjysmë shekulli. Sa herë që ishin në raport te drejtori, pse ishin vonuar disa minuta në rrugëtimin e tyre qytet-fshat dhe sa me mallëngjim e kërkonte pikërisht atë kohë. Sa relative janë hidhërimet kur vjetrohen, bluante në vete. Po ajo rrugë prej dy orësh për në shtëpi, natën pas orëve të pasdites, më këmbë, kur kishte ikur autobusi. Sa larg e sa afër i dukeshin këto ngjarje, çfarë përjetimesh të bukura, të cilat s’i kishte shkruar kurrë në ndonjë copë letre, që ta përshkruante sot më mirë këtë foto prej albumi.

     Ky, i katërti nga e majta, më lart, në foto, ishte i sigurt Duka se është ai shoku që vazhdimisht i përsëriste me shpoti ndër mote: “Mos harro, unë jam arsimtari yt i gjuhës frënge!” – vetëm e vetëm pse një javë e kishte përgatitur nga kjo gjuhë për provimin që kishte Duka, kur ishte në studime për gjuhë dhe letërsi shqipe dhe këtë e kishte zgjedhur si lëndë të dytë.

     Sa u gëzua ai, kur pa në atë foto shokun e fëmijërisë, me të cilin loznin kopshteve me një beretë që fluturonte lart-lart si një “pjatë fluturuese”. Ky shoku, në moshën dhjetë vjeç, ishte pre e shpërnguljeve në regji të regjimit të kohës, duke mbledhur plaçkat dhe lodrat e fëmijërisë, për të hipur në një tren me biletë pa kthim dhe për të lënë kujtimet e fëmijërisë në vendlindje. Se çfarë kujtimesh të ëmbla ishin ato?

     Duka, me shukun e tij nga fëmijëria, atëbotë kur ende s’dinin t’i bënin nyje lidhëset e këpucëve, shkonin pas orëve të mësimit te një “shok” tjetër të klasës, që kishte shtëpinë pas një godine ku i gjykonin me burg baballarët e tyre (kështu flitej asokohe), por ky kishte një emër jo të rëndomtë për një djalë. Loznin lojëra djemsh e shoqëroheshin për çdo ditë, pa e pandehur fshehtësinë e “tij”, që familja e mbante sekret. Kishin kaluar katër vjet, kur, një ditë, “shoku” i tyre i dashur që ishte me pantallona, kishte veshur fustan dhe kishte zënë do bishtaleca të bukura, për të kuptuar më në fund se gjatë gjithë kohës kishin luajtur me një vajzë, me veshje mashkulli.

     Dyndjet andej Dardaneleve s’kishin pushuar. Familja, tashmë e shoqes aq të dashur, ishte tretur një ditë vere nga vendlindja, si shtëllungat e avullit që dilnin nga treni i transportit në stacionin e qytetit, që përcillej me fishkëllimë shurdhuese, sa që nuk dëgjoheshin ndarjet me dënesje të familjarëve.

BURIMI: www.arsalbanica.mk

Ngjarja paraprake

Al-Khelaifi: Larje hesapesh me Bayern-in në çerekfinale

Ngjarja e ardhëshme

Kurteshi: Istogu e meritoi kualifikimin, ja kë e duam rival në gjysmëfinale të Kupës

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian