Besimi: Vazhdon dialogu me komunitetin e biznesit, debat lidhur me nismën për tatimin mbi fitimin ekstra

Ministria e Financave, në kuadër të procesit transparent dhe inlkuziv që po zbaton në krijimin e politikave, fillon debatin për nismën lidhur me vendosjen e tatimit mbi fitimin ekstra. Sot, ministri Fatmir Besimi, në ministrinë e Financave, ka zhvilluar takim me komunitetin e biznesit. Në takim morën pjesë përfaqësues nga odat më të mëdha ekonomike, Oda Ekonomike e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Lidhja e Odave Ekonomike, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore si dhe Asociacioni Bankar i Maqedonisë.

Marketing

“Nisma për vendosjen e tatimit mbi fitimin ekstra rezultoi nga debati që Ministria e Financave e organizoi në kuadër të Konceptit të reformës tatimore, që duhet të nisë me zbatim nga data 1 janar i viti 2023. Kjo nismë përfshin edhe politikat që kohën e fundit po ndërmerren në nivel të BE-së dhe të cilat synojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë zbutjen e efekteve ekonomike mbi buxhetet publike, konsumatorët finalë dhe bizneset në vendet anëtare të Unionit, për shkak të rritjes së papritur të çmimeve të energjisë. Në aspekt të transparencës dhe inkluzivitetit, riaktualizojmë sërish këtë nismë, me qëllim që ta rishqyrtojmë me palët e involvuara për ta përzgjedhur modelin më të pranueshëm për të gjithë”, theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi në këtë takim, duke potencuar që pranimi i kësaj zgjidhjeje nga komuniteti i biznesit do të jetë sinjal për solidaritet në shoqëri në këtë periudhë krize.

Мinistri shtoi se në Ministrinë e Financave po bëhet analizë më e detajuar rreth efekteve fiskale lidhur me vendosjen e tatimit të tillë dhe janë duke u analizuar përvojat e vendeve të tjera që kanë vendosur një masë të tillë.

“Bëhet fjalë për tatim që ka karakter të përkohshëm dhe që vendoset në situata të jashtëzakonshme, siç e kemi aktualisht krizën energjetike dhe të çmimeve. Kjo është zgjidhje që tashmë është zbatuar nga disa vende të rajonit dhe Evropës. Kështu, ndër vendet që kanë vendosur masë të tillë është Britania e Madhe, e cila paralajmëroi tatim shtesë mbi fitimin ekstra në vlerë prej 35% në periudhën 2023-2028 për kompanitë nga sektori energjetik, Hungaria njoftoi lidhur me tatimimin mbi fitimin ekstra në sektorin energjetik, sektorin financiar, transportin ajror dhe tregtinë me pakicë për periudhën 2022-2023, me ç’rast në sektorin energjetik arrin vlerën prej 65%. Në Kroaci u paralajmërua vendosja e tatimit mbi fitimin ekstra prej 33% për të gjitha kompanitë me të ardhura vjetore mbi 40 milionë euro, të cilat kanë realizuar fitim më të lartë se 20% të mesatares së tyre vjetore për periudhën 2018-2021, si dhe Italia, e cila paralajmëroi tatim mbi fitimin ekstra prej 50% për kompanitë nga sektori energjetik që kanë fitim më të lartë se 10% të mesatares 2018-2021, që do të zbatohet në vitin 2023”, tha ministri.

Në konceptimin e këtij modeli, do të merren në shqyrtim analizat, përvojat nga vendet e tjera, si dhe propozimet që do të rezultojnë nga debati me palët e involvuara. Ky është modeli që ka zbatuar Ministria e Financave në konceptimin e reformës tatimore të paralajmëruar nga Qeveria dhe që tashmë e ka prezantuar para opinionit publik, ndërsa duhet të fillojë të zbatohet gradualisht nga muaji janar i vitit 2023. Qëllimi i kësaj reforme tatimore është krijimi i i sistemit tatimor modern që do të sigurojë drejtësi, efikasitet dhe transparencë, ndërsa do të bazohet në teknologjitë moderne dixhitale dhe inovacionet në tatimim dhe do të jetë në funksion të rritjes ekonomike të përshpejtuar, inkluzive dhe të qëndrueshme. Bazat e reformave tatimore janë vendosur në Strategjinë e reformës së politikës tatimore të miratuar nga Qeveria e RMV-së në fund të vitit 2020.

Story i mëparshëm

Gërkovska: Na duhet luftë efikase kundër korrupsionit dhe institucione të përgjegjshme

Story i radhës

ZKA auditon projektet në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit

Të fundit nga