BESA i mban “ZHAGUN” VMRO-së për bllokimin e Kuvendit, ASH-ja me strategji të vetën?

Shpesh dëgjojmë nga përfaqësues të ndryshëm politikë shprehjen “ne do të jemi opozitë konstruktive”, ashkruan desk.al

Ama, gjithë konstruktiviteti i tyre, pastaj, mbetet në letër: bllokojnë çdo gjë, madje edhe ato gjëra për të cilat vetë kanë dhënë premtime, vetëm pse këtë e bën pushteti.

Në praktikë, te ne dhe në vendet e rajonit, ku inatet janë më të forta se interesi shoqëror, shumë rrallë ndodh që pushteti dhe opozita të merren vesh për diçka, kjo falë kryeneçësisë së ndërsjellë, por të shpeshtën të opozitës.

Këtu në Maqedoni rolet e mëdha dhe ato episodike, pakashumë dihen. Vallen e opozitarizmit, normalisht e hedh VMRO-ja dhe ajo, pas dështimit të krijimit të një shumicë të re parlamentare pas fitores së saj në zgjedhjet lokale, një kohë këtë temë e heshti, por tash ka paralajmëruar se pas 8 majit do të fillojë me “bllokadë aktive të Parlamentit”. Dhe për çudi, si në ndonjë këngë polifonike të Pollogut të vëllezërve Sejdiu, Lëvizja Besa u bë “zëri i dytë” për t’ia mbajtur ison VMRO-së, duke paralajmëruar edhe ata bllokadë! Tash kur ikën nga koalicioni qeveritar dhe ndihen të rrezikuar, sigurisht mendojnë t’i mbajnë ison VMRO-së, çka të bëjë ajo, edhe ata. Sepse vetë vështirë se “këndojnë” solo!

Për çudi, dhe këtu vijmë te tema e opozitarizmit konstruktiv, Aleanca për Shqiptarët nuk iu bashkëngjit “polifonisë” bashkë me VMRO-në dhe Besën.

Ilire Dauti, deputetja e Aleancës për Shqiptarët sikur ka paralajmëruar diçka tjetër: “Është e drejtë e çdo subjekti politik që të ndërtojë strategjinë e vetë të veprimit. Në këtë drejtim ka vepruar me siguri edhe kryetari i VMRO-DPMNE-së siç është e drejtë edhe e Aleancës për Shqiptarët që të ndërtojë strategjinë e vetë të veprimit, ashtu siç kemi ardhur sot në Kuvend për të futur në procedurë parlamentare dy propozim-ligje”.

A është kjo shenjë që Aleanca megjithatë nuk do të ndjekë VMRO-në qorrazi në çdo hap siç bëri partia e Bilall Kasamit? Ndoshta nga bindja se ndjekja e çdo hapi të saj Aleancës i ka sjellë vetëm dëm…

Story i mëparshëm

Mickoski: Nëse nuk organizohen zgjedhjet, nga 10 maji bllokojmë Kuvendin

Story i radhës

Negociatat ndërmjet SASHK-ut dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës do të vijojnë të premten

Të fundit nga