Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, në mbledhjen e sotme të kësaj partie, ka thënë se regjimi i tanishëm s’përmbyset me vota por vetëm me revolucion.
Sot jemi në një moment ku secili prej jush, çdo shqiptar që u përmbahet një grushti parimesh themelore, disa parime themelore, të një vendi të lirë dhe sovran, duhet ti shtrojë vetes disa pyetje; çfarë do të bëjmë ne sot, a përmbyset me votën e lirë, kur qytetarët nuk lejohen të votojnë të lirë, një regjim që ka zëvendësuar shtetin ligjor me narko shtetin? Ne jemi njerëz të politikës, nuk mund të bëhemi iluzivë. Ai përmbyset vetëm me revolucion, vetëm me revolucion. A mund të përmbyset me votën që nuk ekziston sepse është asgjësuar, një regjim i cili të gjithë makinerinë e shtetit e ka shndërruar në makineri partiake”, është shprehur Berisha.
Kryedemokrati Berisha ka deklaruar se janë sulmuar nga të gjitha anët, teksa ka shtuar se kanë bërë një zgjedhje epike duke vendosur të qëndrojnë si parti e vokacionit perëndimor.
“U gjendëm në rrethana në të cilat ne ishim parashikuar që kurrë më të mos ishim ajo forcë politike që kemi qenë. Në rrethana në të cilën u vërsulën ndaj nesh me tërbim mafia qeveritare më e rrezikshme e Evropës, mafia e Edi Ramës. Besprerët në gjirin e kësaj partie, por duhet të pranojmë më shumë se kaq, mafia më e rrezikshme dhe e fuqishme ndërkombëtare. Ne bëmë një zgjedhje epike. Ne vendosëm të qëndrojmë. Të gjithë ishim tokësorë, të gjithë vdekatarë, të gjithë njerëz të cilët ishin përpjekur në një mënyrë apo një tjetër të qëndronim për ato parime dhe vlera që besonim. Të gjithë plotësisht të vendosur dhe me besim në vokacionin tonë perëndimor dhe ne u gjetëm në mes të një cikloni nga një qeveri që nuk ka asnjë princip”, ka shtuar ai.