Belind Këlliçi: Edi Rama është i rrëzuar në çdo moment, treguesit ekonomikë janë katastrofikë

Në intervistë me “Milori Live”, Belind Këlliçi u gjend përballë pyetjes “A rrëzohet  Rama?” Deputeti i Partisë Demokratike shpalosi planin e ardhjes së opozitës në pushtet, i cili pritet që të nisë intensivisht prej vjeshtës. Sipas tij, kryeministri Rama është i rrëzuar në çdo moment pasi vendi gjendet në një katastrofë ekonomike.

Belind Këlliçi: Patjetër që po. Pse? Protesta e 7 Korrikut ishte hapja e një sipari protestash. Nuk deklaruam në asnjë moment që në 7 Korrik mbaron kjo punë, merr fund dhe gjithçka zgjidhet. Përkundrazi,  e shprehëm disa herë që 7 Korriku është një ritakim i Partisë Demokratike, opozitës shqiptare me të gjithë shqiptarët ku do të dalim në shesh për të treguar që ka opozitë. Opozita është në këmbë. Mos të harrojmë që është bërë një investim i jashtëzakonshëm në njëvjeçarin e fundit për të shpërbërë PD. PD sot është në këmbë, është reale, e prekshme, e fortë dhe alternativë konkrete në vend. Kjo mbyllet si çështje.  

Në vijim, pa diskutim që stina e vjeshtës do ta gjejë PD në një aksion shumëdimensional. Duke nisur nga protestat që do vijiojnë të organizohen dhe do të jenë në seri, për këtë jam i bindur. Mos harroni që në PD është rikthyer një nga njohësit më të mirë të këtij mekanizmi, zoti Berisha. Do të jenë primaret në këtë forcë politike që padyshim do të jenë një risi në pushtetin lokal, ku për herë të parë nuk i caktojmë më kandidatët në limitet kohore 30 apo 45 ditë përpara zgjedhjeve, por do i japim mundësi që 6 muaj  përpara që kandidatët të jenë prezent, të jenë pranë qytetarëve dhe të bëhet një fushatë ndryshe këtë herë nga ana e PD. Do të ketë një aksion edhe më konkret edhe në parlament, për të bërë aksionin në opozitën parlamentare që është e domosdoshme për Partinë Demokratike dhe e vetmja nukël që ende mbahet peng nga Enkelejd Alibeaj dhe mbështetësit e zotit Basha. Pa diskutim do jemi në terren me qytetarët dhe do jemi kudo me denoncime.

Pra do të jetë një aksion shumëplanësh që pikën kulmore e ka me rrëzimin e Edi Ramës, shtuar këtu rikthimin në skenën politike të Ilir Metës, patjetër, nuk kam kompleks ta pranoj. Patjetër që është një aset i shtuar i opozitës shqiptare rikthimi i tij në politikën aktive, bashkimi me të gjitha forcat e frontit opozitar, me të gjitha forcat e spektrit të djathtë, bashkëpunimi me partitë e tjera dhe krijimi i një fronti të madh qytetar për të rrëzuar me çdo kusht, me çdo çmim, me çdo mënyrë paqësore patjetër, Edi Ramën. Unë besoj që në momentin që do vendoset të ketë, nëse vendoset nga ana e qytetarëve, mbështetësve të PD, opozitës së bashkuar që të ketë një protestë pa kthim deri në rrëzimin e Edi Ramës, kjo do jetë realitet, për këtë ma besoni.

Lidhur me zgjedhjet e parakohshme, Këlliçi i konsideron ato në favor krahasuar me zgjedhjet kalendarike.

Belind Këlliçi: Patjetër. Edi Rama është i rrëzuar në çdo moment. Qytetarët shqiptarë po futen në vitin e 10-të me qeverisjen e Edi Ramës. Treguesit ekonomikë janë katastrofikë, performanca e kësaj qeverie është skandaloze. Shqipëria tashmë është kthyer në Kolumbinë e Europës, por kjo tashmë me shifra e fakte. Raportet ndërkombëtare të gjitha flasin për një degradim të situatës me respektimin e lirisë dhe të drejtave të njeriut, lirisë së medias, shpopullimi i Shqipërisë është në kushte absurde, çdo minutë largohen 8 shqiptarë, me shifra zyrtare këto, të dhëna nga raportet ndërkombëtare. Fakti që ky del e tallet, Edi Rama tallet, javën e shkuar duke deklaruar që do të rrisë me 6% rrogat e mësuesve kur ndërkohë inflacioni është 7.4% dhe inflacioni për produktet e shportës është 11.4%, pra nuk kemi as indeksim, jo më rritje rrogash, ky vend po shkon tatëpjetë, në greminë.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Ja sa pritet në vendkalimet kufitare për hyrje në RMV

Story i radhës

“Sherr” i pazakontë mes fqinjëve, 49-vjeçarja i pret vazhdimisht telin e rrobave komshijes dhe arsyeja do t’ju habisë

Të fundit nga