Belgjikë, kapacitetet e njësive të kujdesit intensiv mund të mbushen brenda dy javëve

Zyrtarët belgë të shëndetësisë kanë paralajmëruar se kapacitetet e njësive të kujdesit intensiv mund të mbushen brenda dy javëve, pasi vendi raportoi një mesatare prej 12.500 rasteve ditore të koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, i cili çdo javë publikon mesataren ditore të infeksioneve, në periudhën 16-22 tetor në Belgjikë shifra mesatare e rasteve ditore të koronavirusit ishte 14.491.

Më 20 tetor, Belgjika raportoi shifrën më të lartë të rasteve ditore që nga shpërthimi i pandemisë, respektivisht 18.217 raste të reja të regjistruara brenda 24 orëve.

Vendi me 11.4 milionë banorë deri më tani ka regjistruar 321.031 raste të koronavirusit, përfshirë 10.810 vdekje, në Evropë niveli më i lartë i vdekjeve në frymë banori. 

Kapaciteti i spitaleve po ashtu vazhdon të mbushet, aktualisht me 4.827 persona të prekur nga COVID-19 që po trajtohen në spitale në mbarë vendin, 757 prej të cilëve në kujdes intensiv. 

Duke kujtuar barrën e sistemit shëndetësor, zyrtarët belgë apeluan deri te publiku që të respektojnë masat e qeverisë kundër përhapjes së koronavirusit.

“Deri në fund të kësaj jave, numri i pacientëve në kujdes intensiv do të kalojë shifrën 1 mijë. Nëse nuk ndryshojmë sjelljen tonë, brenda dy javësh ne do të përballemi me një kapacitet maksimal prej 2 mijë pacientësh në kujdes intensiv”, tha Yves Van Laethem, zëdhënës i Qendrës së Krizave të Belgjikës.

Laethem bëri të ditur se Belgjika teston mesatarisht 80 mijë persona çdo ditë, duke shtuar se afërsisht një në çdo pesë teste rezulton pozitiv.

Ai theksoi se mbushja e kapaciteteve të spitaleve ka tendencë në rritje, pasi virusi po përhapet jo vetëm tek të rinjtë, por edhe tek të moshuarit. 

Belgjika ka marrë disa masa shtesë për të përmbajtur infeksionet, përfshirë në arsim ku për disa nxënës do të zhvillohet mësimi në distancë. Pushimi shkollor një javor, duke filluar nga fillimi i javës tjetër, është zgjatur dhe mësimi do të rinisë më 12 nëntor, në vend të 9 nëntorit, por autoritetet nuk përjashtuan mundësinë e zgjatjes së pushimit shkollor më tej.

Po ashtu për katër javë do të jenë të mbyllura në të gjithë Belgjikën restorantet, kafenetë dhe baret. Vendi po ashtu imponoi një shtetrrethim nga ora 10 në mbrëmje deri në orën 6 të mëngjesit.

Masa shtesë u morën edhe në rajonin e Brukselit, të tilla si mbyllja e përkohshme e vendeve të adhurimit duke lejuar vetëm 15 persona të marrin pjesë në funerale, mbylljen e objekteve sportive, si dhe pezullimin e aktiviteteve kulturore në vende si në kinema, muze dhe salla ekspozitash.



. .

Ngjarja paraprake

Koronavirusi shkakton “paralizë” në spitalin e Matit, mbyllen tri reparte

Ngjarja e ardhëshme

Prekëse/ I humbi aksidentalisht, qeni besnik bën 37 milje për t’iu bashkuar të zotit

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian