​Begaj në hapjen e “Gusht e n’Fest”: Të ruajmë dhe promovojmë punimet artizane

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, mori pjesë në çeljen e eventit “Gusht e n’Fest” në qytetin e Gramshit. Me këtë rast, kreu i shtetit mbajti dhe një fjalë përshëndetëse për të gjithë të pranishmit, ku e konsideroi “Gusht e n’Fest” si një mundësi promovimi për potencialin turistik të Gramshit.

Begaj nënvizoi se Gramshi i ka të gjitha kushtet për të zhvilluar edhe më tej turizmin e qëndrueshëm.

Në aktivitetet e organizuara përgjatë “Gusht e n’Fest” është dhe panairi i kulinarisë dhe artizanëve.

Begaj: Gramshi ofron të gjitha kushtet për të zhvilluar edhe më tej turizmin

“Infrastruktura e re rrugore e ka sjellë Gramshin më pranë dhe ka mundësuar mbarë Shqipërinë dhe vizitorët e huaj të zbulojnë bukuritë e natyrës së zonës magjepse nga kanionet, ujëvarat, liqenet, traditat historike e kulturore, kulinaria plot shije, të gjitha këto të zbukurua nga mikpritja e ngrohtë gramshiote. Gramshi ofron të gjitha kushtet për të zhvilluar edhe më tej turizmin e qëndrueshëm, një turizëm që teksa ofron më të mirën për vizitorët, e bën duke pasur mirë parasysh perspektivën e zhvillimit të zonës duke respektuar natyrën, tradita e mbi të gjitha duke respektuar komunitetin”, tha Begaj.

Për Begajn është e rëndësishme jo vetëm njohja e traditës kulinare, agroturistike apo kulturore, por edhe ruajtja, vlerësimi dhe nxitja që ajo të mos humbasë dhe të përcillet te brezat e rinj.

Begaj: Promovojmë punimet artizane

“Jemi sot këtu gjithashtu në këtë nismë kaq interesante të bashkësisë së Gramshit për të promovuar zejet e punimet artizane të zonjave duararta gramshiote, për ne, mbështetja e trashëgimisë kulturore, nënkupton promovimin dhe vënien në dukje të rëndësisë së saj. Të qenit pjesë e këtij panairi, nuk ka ndihmon thjesht e vetëm të njohim edhe më shumë atë që zotërojmë në traditën tonë kulinare, agroturistike, kulturore, por njëkohësisht ta ruajmë, ta vlerësojmë, ta nxisim dhe ta përcjellim te brezat e rinj”, deklaroi Begaj.

Përgjatë qëndrimit në qytetin e Gramshit, presidenti Begaj së bashku me zonjën e parë u përfshinë në një sërë aktivitetesh të organizuara me rastin e “Gusht e n’Fest”. Pjesë e vizitës së presidentit ishin edhe Kanionet e Holtës. Ata ishin të shoqëruar edhe nga kryetari i Bashkisë së qytetit, Besion Ajazi.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Vushtrria gati për edicionin e ri 

Story i radhës

Nga rekordet në atletikë në finalen e Botërorit

Të fundit nga