Bebi i parë bën “boom” në Pollog

Nëse në Maqedoninë e Veriut mbeten shqetësuese ritmet negative të shtimit të popullsisë, konkretisht numri i vogël i lindjeve – diferencën vazhdon ta bëjë rajoni i Pollogut, ku trendet janë pozitive, sidomos sa i takon shifrave më të larta për lindjen e fëmijës së parë.

Në vitin 2019, sipas publikimit më të fundit të Entit të Statistikave “Mbrojtja sociale për fëmijë dhe të rritur”, në rajonin e Pollogut lindja e fëmijës së parë ka shënuar rekorde krahasuar me rajonet e tjera, përfshirë këtu edhe rajonin e Shkupit me numrin më të madh të popullsisë. Kjo zonë kontribuon pozitivisht, duke iu referuar të dhënave se në periudhën nga 2009 deri në 2019, numri i lindjeve u ul me një numër prej 3.839 lindje, ose me 16.2 për qind më pak. Në total – në gjithë territorin e vendit,  në vitin 2019 janë lindur 19.845 fëmijë, prej të cilëve 7047 janë shqiptarë (10.039 maqedonas). Për herë të parë në 25 vjet, në vitin 2019 Maqedonia hyri në një rritje natyrore negative, e cilësuar edhe si plakje demografike. Edhe pse është treguar në vite një rënie e qëndrueshme e rritjes natyrore, pra një rënie në numrin e lindjeve, në 2019 kishte më shumë vdekje sesa lindje. Konkretisht numërohen rreth 40 komuna që kanë zvogëluar popullsinë e tyre dhe nga tetë rajone kryesore, përveç Shkupit dhe Pollogut, gjashtë të tjerat kanë shkallë vdekshmërie më të lartë se shkalla e lindjeve. Madje Pollogu renditet si rajoni i parë sa i takon moshës mesatare më të re të popullsisë, që është 37 vjeç.

“Sa i përket strukturës së moshës, popullata e Maqedonisë po plaket. Në periudhën 2009-2019, pjesa e popullsisë së re (0-14 vjeç) në total u ul nga 17.7 për qind në 16.2 për qind, dhe pjesa e popullsisë së vjetër (65 e më shumë vjet) u rrit nga 11.6 për qind në 14.5 për qind”, thuhet në Raportin statistikor.

Me gjithë ndryshimet në vite të ligjit për mbështetjen financiare për lindjen e fëmijëve, që synonte stimulimin e lindjeve, “baby boom” nuk pati rezultatet e pritshme, sidomos në rajonet dhe komunat e rrezikuara dhe ku numri i vdekjeve ishte dhe vazhdon të jetë më i madh se i lindjeve. Para ndryshimeve ligjore – për lindjen e fëmijës së tretë jepeshin nga 8.048 denarë çdo muaj për 10 vjet, ndërsa për fëmijën e katërt vlera arrinte deri në 11.267 denarë në muaj për 15 vite. Ndërsa me ndryshimet e reja, për fëmijën e parë jepet një shumë në vlerën prej 5 mijë denarëve, për të dytin 20 mijë denarë dhe të tretin prej 60 mijë denarësh. Po të krahasohen viti 2018 dhe vitin 2019 vërehet se stimuli material nuk ndikoi në rritjen e numrit të lindjeve të fëmijës së tretë apo të katërt, madje për këtë të fundit vërehet ulje e numrit të lindjeve të fëmijës së katërt. Prindërit që vendosin për fëmijën e tretë vijnë sidomos nga komuna si Shkupi, Tetova, Kumanova (në total 30.124 fëmijë deri në fund të vitit 2019), ndërsa si fëmijë i katërt që vazhdojnë të përfitojnë shtesa financiare numërohen gjithsej 798 fëmijë. Shteti ka harxhuar rreth 200 milionë euro për mbështetjen në vite të fëmijës së tretë dhe të katërt, ndërkohë që nataliteti vazhdon të ulet, nga 13.3 për qind në vitin 2011, e deri në 11 për qind vitet e fundit.

(Koha.mk)

Ngjarja paraprake

Kovid 19 RMV/ 7 të vdekur, 325 raste të reja. Shërohen 479 pacientë

Ngjarja e ardhëshme

Milan me tre pikë të mëdha nga Bologna, MIhajlloviq përjashtohet 

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian