20
Shkup, 19 shkurt – Balncuesi temë që ka marrë fund me shpresë se VLEN do të sjellë diç më të mirë e të duhur për ta zëvendësuar këtë mekanizëm. BDI që aktualisht janë në opozitë kritikuan ashpër heqjen e balancuesit duke e cilësuar si humbje për shqiptarët dhe shtetin sepse sipas tyre nuk ka më përfaqësim të drejt dhe adekuat. Por, pak muaj më vonë VLEN koalicioni shqiptar pjesëmarrës në pushtet sjellën argumente konkrete se si Valmir Aziri sekretar në Ministrinë e Kulturës kuadër nga BDI në momentin e punësimit të tij përkatësinë etnike e kishte ndërruar, duke u bërë maqedonas me deklarim që ta fitojë atë punësim, shkruan Zhurnal.
BDI-së u dhimbsej balancuesi sepse në vend të përdorimit e kishin keqpërdorur –
“Valmir Aziri, ish-sekretari shtetëror i Kulturës, ka realizuar një akt të turpshëm dhe të papranueshëm që e turpëron jo vetëm personalisht, por edhe çdo shqiptar. Në konkursin e vitit 2021 dhe fillim të vitit 2022, ai nuk nguroi të ndryshojë identitetin e tij nga shqiptar në maqedonas, vetëm për të mundësuar një mundësi përfitimi personale dhe për të siguruar një vend pune që ishte i dedikuar për etnitetin maqedonas. Ky është një akt i paimagjinueshëm tradhtie ndaj shqiptarëve dhe një shkelje e rëndë e vlerave që na përcaktojnë si komb.
Bashkimi Demokratik për Integrim, që e ka gojën plot me mbrojtjen e interesave të shqiptarëve, nuk hezitoi të shesë çdo vlerë dhe identitet të shqiptarëve kur bëhet fjalë për interesa të ngushta personale. Ky skandal është një reflektim i qartë i hipokrizisë dhe paaftësisë së këtij subjekti politik që vazhdon të përfitojë nga pozitat dhe të manipulojë në kurriz të shqiptarëve.
Pyetje të rëndësishme ngrihen pas këtij skandali: Cila është marrëveshja që e ka shtyrë Valmir Azirin të bëjë një lëvizje të tillë? A është heshtja e tij gjatë kohës që ka shërbyer si sekretar shtetëror pjesë e një agjende për të degraduar dhe margjinalizuar shqiptarët në kulturë? A mund të quhet ndryshe një individ që për interesat e tij është i gatshëm të tradhtojë dhe shesë identitetin e tij?
Ky është një akt që nuk mund të mbetet pa pasoja! Koalicioni VLEN është i vendosur të luftojë çdo tentativë për të manipuluar dhe për të shkelur identitetin shqiptar për interesa të ngushta dhe personale. Kërkojmë llogaridhënie të menjëhershme për këtë skandal të rëndë dhe angazhohemi të sigurojmë që individë si Valmir Aziri të mos kenë vend në institucionet që duhet të mbrojnë interesat dhe vlerat e shqiptarëve.
Ky është një mesazh i qartë për të gjithë ata që mendojnë se mund të tradhtojnë kulturën dhe identitetin shqiptar për përfitime personale: Koalicioni VLEN nuk do të ndalet dhe do të vazhdojë të mbrojë interesat e shqiptarëve dhe integritetin tonë kombëtar!”, thuhet në njoftimin e VLEN-it.
Punësimet jo adekuate dhe diskriminuese vijnë pikërisht nga punësimet partiake –
Punësimet partiake janë fenomeni më i njohur në Maqedoninë e Veriut, madje duke u shndërruar në diçka shumë normale që pa librezë partiake punësimin mund vetëm ta ëndërrosh. E kjo pastaj ka sjellë vendin në këtë gjendje që po rrezikon të bëhet i pabanueshëm sepse secili i ri dhe e re jetën e tyre po e planifikojmë jashtë kufijve të shtetit, që nuk njeh kufij të normalitetit.
Punësimet partiake janë dukuria më negative e shoqërisë dhe prodhimit të produktivitetit sepse me anë të punësimeve partiake eliminohen kriteret e punësimit. Punësimi pa kritere është punësim për të marrë një pagë dhe pa bë asnjë punë. Tani që Maqedonia e Veriut është në periudhën që pret datën për fillim të negociatave me BE-në, rikthehen shpresat që skriningu me BE-në do të ndikojë që të pastrojë punësimet partiake. Dhe, ky fenomen mos të vazhdojë të përsëritet sepse sjellë pasoja të pariparueshme, punësimet duhet të bëhen në bazë të kritereve dhe meritokracisë.
Pra, Maqedonia e Veriut krahas problematikave tjera që ka për sa i përket shtetit të së drejtës, sundimit të ligjit, njëra ndër shqetësimet tjera është edhe fakti që administrata shtetërore është e mbingarkuar me të punësuar, që një pjesë e tyre nuk i kanë as kualifikimet e duhura. Prandaj, është e domosdoshme që administrata shtetërore të pastrohet nga të punësuarit partiak që janë aty për të marrë një pagë e në shkëmbim të kësaj nuk bëjnë gjë tjetër pos që kalojnë kohën kot dhe nuk janë të gatshëm të avancohen e as të kryejnë punën për të cilën janë të ngarkuar.
Bashkimi Evropian nuk pranon dot shtete që nuk janë të gatshme të harmonizojnë ligjet e tyre me ato të BE-së, prandaj do të jetë rrugë e gjatë e anëtarësimit e aq më e gjatë e përmirësimit dhe çrrënjosjes së asaj praktike që ka shkërmoq shoqërinë duke vendos kriter të punësimit partizimin. /Zhurnal.mk
BURIMI: zhurnal.mk